E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Dialogu i shërben vendit, Edi Rama të heqë dorë nga ultimatumet tekanjoze

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, në konferencë për shtyp pas kthimit nga Sarajeva: Shqipëria përfiton liberalizimin e vizave, duke plotësuar 3 kushtet e Komisionit Evropian

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në daljen e parë për mediat pas kthimit nga samiti BE-Ballkani Perëndimor në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës, ikurajon politikën në Shqipëri në gjetjen e një rrugë zgjidhje, për sa i takon ngërçit politik. Kreu i diplomacisë shqiptare cilësoi se liberalizimi i vizave do realizohet nga plotësimi i kritereve teknike, ku Shqipëria po punon për të përmbushur edhe 3 kushtet e fundit, por njëherazi theksoi edhe gjetjen e dialogut politik.
“çështja e liberalizimit të vizave bazohet në kritere teknike. Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret veç tre elementëve që janë në proces dhe për të cilat ne vazhdojmë të raportojmë. Por, mungesa e dialogut ndikon në stabilitetin e institucioneve ndaj duhet t’i jepet fund ultimatumeve tekanjoze dhe për të arritur në një zgjidhje sipas Kushtetutës së vendit. Kjo nuk do të thotë se mosfunksionimi i dialogur politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve dhe ecurinë e reformave sidomos në drejtësi. Takimi në Strasburg, përpjekjet që bëhen edhe nga përfaqësues të PE-së apo komitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe bashkë me to do rritet përgjegjësi për të vendosur dialog pa ultimatume të panevojshme që më shumë se sa përparim të dialogut synojnë plotësimin e kapriçove individuale”, deklaroi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Duke iu referuar Takimit të Nivelit të Lartë në Sarajevë, Meta theksoi se takimi i kushtoi vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta e cilësoi takimin Sarajevës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor si një hap pozitiv drejt zgjerimit të radhëve të Unionit. Kryediplomati shqiptar tha se në takim është trajtuar perspektiva evropiane e vendeve të rajonit, duke e konsideruar këtë tematika kryesore e takimeve të Brukselit, pavarësisht efekteve të krizës ekonomike. Ai vuri në dukje se për të përshpejtuar perspektivën evropiane mbetet shumë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal i vendeve të rajonit, sidomos në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është shumë e rëndësishme për të përmirësuar më tej, jo vetëm imazhin e rajonit, por edhe për t’u dhënë më shumë siguri qytetarëve të BE-së se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të cenojë aspak standardet e sigurisë së tyre, përkundrazi.

Me sa duket afati trejavor i vënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e ngërçit politik duket sikur po skadon, a do të ndikojë kjo gjë në procesin e liberalizimit të vizave?
çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar. Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha përveç tre elementeve të caktuar që janë në proces dhe ku ne vazhdimisht vazhdojmë të raportojmë lidhur me përmbylljen e tyre përfundimtare. Megjithatë kjo nuk do të thotë se mos funksionimi si duhet i dialogut politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve, sidomos të parlamentit në vend apo për ecurinë e reformave në drejtime të rëndësishme sidomos në fushën e drejtësisë dhe të gjyqësorit. Besoj se takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Evropian apo të komunitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të pa nevojshme, të cilat më shumë se sa përparimin e dialogut politik synojnë realizimin e tekave apo kapriçove individuale që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të Integrimit Evropian, që është një interes kombëtar për gjithë qytetarët shqiptar, pikërisht në vendin e parë.

Folët për bashkëpunimin rajonal, por Serbia para pak ditësh zhvilloi zgjedhjet e pjesshme në veriun e Mitrovicës, a është ky bashkëpunimi rajonal për të cilën ju flisni?
Ne e kemi bërë të qartë prej kohësh që kur janë shpallur këto zgjedhje se ato nuk ndihmojnë aspak për të forcuar stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit tonë as për të përmirësuar standardet e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të saj. Kemi konfirmuar qartësisht që ne mbështesim strategjinë për veriun e Kosovës, të qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe jemi të bindur se pavarësisht vështirësive që ndeshen, për momentin, implementimi i saj, është e vetmja zgjidhje për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe sidomos për ata që jetojnë në veriun e saj.

Duke qenë se kriza nuk po zgjidhet, a do ndikojë mos zgjidhja e saj në procesin e liberalizimit të vizave?
Duhet hequr dorë nga ndikime dhe qëndrime tekanjoze të cilat janë jashtë logjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhje demokratike dhe konstruktive. Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral, i gjithë legjislacioni ynë u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjithë pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës për t`i njohur, për t`i respektuar këto institucione që janë të përbashkëta dhe për të shfrytëzuar të gjithë hapësirën që lë kushtetuta e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›