Shpallët kundërshtarin armik, beteja juaj është joproduktrive

Kryeministri Sali Berisha flet në Parlament
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në Kuvend se opozita tentoi të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë. Pas fjalimeve të deputetëve të PS-së të cilët si kurdo herë edhe këtë radhë folën për ngëçin politik, duke anashkaluar vendimin historik të Komisionit Evropian dhe deklaratën e dalë nga samiti i BE-së në Sarajevë, shefi i ekzekutivit deklaroi se Shqipëria plotësoi kushtet, ndërsa opozita u ngujua poshtë zyrës së Kryeministrisë.
“Këto ditë janë ditët e Shqipërisë. BE mori vendimin për vizat për Shqipërinë, pas luftës kundër krimit të organizuar. Pas çmontimin të bandave të Nehat Kullës, pas një lufte të vlerësuar më mirë se mesatarja e vendeve të BE. Kjo është një arritje e një rëndësie të madhe, sepse u bë një vlerësim i ndershëm, miqësor, objektiv i përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve, i vendosmërisë dhe vullnetit të tyre, për të arritur në brigjet e familjes evropiane. Shqipëria, absolutisht nuk është ajo që duam, sepse të gjithë do të donim një Shqipëri shumë kate më lart se ç’është, por Shqipëria sot është më e besueshme, më e suksesshme. Ajo është në atë nivel që ka fituar një besim universal në seriozitetin e saj në reforma, në përpjekjet e saj të ndershme dhe dinjitoze për t’u bashkuar në familjen e vendeve të zhvilluara. Në një kohë kur ne merrnim në Bruksel vendimin për vizat ndërtuat një kamp para zyrave të mia. Ishte momenti që ju të përcillnit një mesazh për këtë arritje. Vendimet u morën, pavarësisht nga çadrat e kampit dhe në fund të fundit çfarë ndodhi, asgjë tjetër veçse një ndasie mes kampistëve dhe jo kampistëve, e gjitha kjo kundër Sali Berishës. Kundërshtari, është kundërshtar, por jo armik. Duke e shpallur kundërshtarin armik, është një betejë kundër produktive. Mos vendosni si parim të veprimtarisë tuaj, vetëm antiBerishizmin, por duke e bërë totalitare këtë qeveri, iu kthehet në bumerang dhe nuk iu shërben”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se, “Shqipëria ka dalë në një stacion të ri, ku do ta ketë më të suksesshëm se kurrë rrugën e saj drejt integrimit”.
“Shqipëria nuk ka sot zhvillimin dyshifror ekonomik që do ta donim, por u vlerësua shumë më lart se ekonomia e çdo vendi, pasi në një furtunë krize ekonomia shqiptare qëndroi në 3.5 për qind. kjo rritje është shumë e vlerësueshme, nëse mendojmë që vendet e tjera janë zhytur në një hendek”, tha kryeministri.
Berisha deklaroi gjithashtu se fryt i vendimit të Komisionit Evropian dhe mbështetjes së Brukselit ishin zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat siç u shpreh kryeministri, plotësuar standardet ndërkombëtare.
“Shqipëria fitoi dinjitetin e saj në zgjedhjet e 28 qershorit, përmes një procesi të certifikuar ndërkombëtarisht sit ë lirë dhe të ndershëm. Rruga që kemi përpara nuk është kaq e lehtë. Sërish kemi një univers standardesh, kriteresh, praktikash për t’i vendosur në interesin më të mirë të vendit. është në interesin tonë të bashkëpunojmë për vendosjen e këtyre standardeve. Të ngremë këtu godinën e integrimit të Shqipërisë evropiane. Nuk ka gjë më të pranueshme sesa të mos punohet bashkërisht në këtë drejtim. Unë besoj se gjithë këto muaj, janë një periudhë në të cilën mund të nxjerrim konkluzionet më të ndershme. Dhe cilat janë, janë proceset të cilat shtyjmë integrimin e Shqipërisë përpara. Kriteret dhe kushtet e plotësuara”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Berisha.