E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita të konsiderojë ofertën e mazhorancës

Berisha: “S’ka asnjë detyrim ligjor, e bëjmë vetëm për respekt të opozitës. Samiti i Sarajevës, mbështetje e fuqishme e BE për integrimin e Shqipërisë”


Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë një komunikimi me mediat se Edi Rama duhet të trajtojë me realizëm atë që i ka ofruar shumica, për zgjidhjen e ngërçit politik. Kreu i qeverisë tha se mazhorancës nuk ia imponon ligji, por e bën këtë për respekt të opozitës. “Ajo çka dua të theksoj këtu dhe besoj se përgjigjet janë dhanë të qarta, por e ftoj zotin Rama që me realizëm, me vështrim dhe analizë realiste, në interesin më të mirë të partisë që përfaqëson, të mos refuzojë paketën e ofertës së mazhorancës, e cila udhëhiqet fund e krye nga respekti i palëkundur për opozitën, rolin dhe bashkëpunimin me të. Në këtë ofertë, cilido që e shqyrton konstaton se kjo mazhorancë nuk ka asnjë detyrim ligjor për asnjërën nga premtimet e kësaj oferte, por kjo mazhorancë e bën atë në respektin më të madh për opozitën dhe interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit”, tha kreu i ekzekutivit.


Samiti i Sarajevës, mbështetje e fuqishme e BE-së për integrimin e Shqipërisë Kreu i qeverisë Berisha e vlerësoi samitin e një dite më parë mbajtur në Sarajevë, si konfirmimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Veçimi i Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës për lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen” tha kryeministri është mesazhi më i qartë që vendet e BE-së u japin shqiptarëve. “Një eveniment historik për Ballkanin. Sarajeva është një mbështetje e fuqishme për aspiratën, për procesin e integrimit të vendeve dhe kombeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, është një rikonfirmim i frymës së samitit të 10 viteve më parë, është dëshmi e vendosmërisë së vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të mbështetur fuqishëm vendet tona në procesin e integrimit. Dua të falënderoj me shumë mirënjohje presidencën spanjolle, të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve në Sarajevë, të cilët, me deklaratën që miratuan, i kanë dhënë një mbështetje të re të madhe, një inkurajim të ri të madh shndërrimit në realitet të ëndrrës më të bukur të qytetarëve të vendeve tona, të ëndrrës europiane. Mendoj se veçimi i Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, mbështetja që ju dha vendimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave ishte padyshim mesazhi më i shkëlqyer që kancelaritë e vendeve anëtare të BE-së u japin shqiptarëve, nëpërmjet ministrave të tyre të jashtëm”, deklaroi Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›