Klaus: "Nuk do ta firmos Traktatin e Lisbonës"
Presidenti i Republikës Çeke duket se nuk ka ndërmend ta nënshkruajë Traktatin e Lisbonës, një lëvizje kjo që mund ta lejojë David Cameron-in vitin e ardhshëm të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në Britaninë e Madhe dhe të thërrasë një referendum për traktatin. Presidenti Klaus, lideri euroskeptik i Çekisë, është edhe pengesa e fundit për nënshkrimin e traktatit pas ratifikimit të tij nga 26 vendet e Bashkimit Europian. Por, edhe pse qeveria, që është pro firmosjes së tij i ka lënë më shumë kohë në dispozicion kreut të shtetit, sipas asaj që raporton britanikja "The Times", ai u ka treguar bashkëpunëtorëve të tij se nuk do ta nënshkruajë kurrë Traktatin e Lisbonës, duke lënë kështu në ankth vendet e Bashkimit Europian. I pyetur se përse nuk e ka vendosur firmën e tij në këtë traktat, Klaus është përgjigjur: "Më vjen keq. Nuk mundem". Pas krizës në mbledhjen e qeverisë pak ditë më parë, Kryeministri çek, Jan Fisher, ka shmangur një konfrontim të drejtpërdrejtë me Klausin, duke thënë se i bënte thirrje që ta kishte zgjidhur këtë çështje deri në takimin e ardhshëm të BE-së. Ai vetë i pati kërkuar Presidentit çek që të japë garanci për nënshkrimin e traktatit nëse liderët e BE-së ishin pajtuar me kushtet e tij dhe nëse Gjykata Kushtetuese e vendit nuk do të nxirrte pengesa të reja. Klaus, nga ana tjetër, po kërkon një shtesë në kartën e të drejtave themelore të traktatit, që, sipas tij, do të hapte probleme mes çekëve dhe gjermanëve. Sipas tij, kjo klauzolë do të mbrojë Pragën nga hakmarrjet e gjermanëve të dëbuar nga Çekia pas Luftës së Dytë Botërore. Pas "po"-së së vështirë irlandeze, Çekia dhe Klaus duket se do të jetë një tjetër pengesë e fortë për BE-në. Refuzimi i Kryeministrit Fisher për t‘u përballur me Presidentin mund ta çojë problemin për t‘u shqyrtuar sërish në Samitin e Liderëve të BE-së, që do të mbahet në Bruksel në datat 28-29 tetor. Në këto data ata kishin menduar të festonin ratifikimin e traktatit nga 27 vendet e Bashkimit Europian. Ata shpresonin gjithashtu të emëronin Presidentin e BE-së dhe ministrin e Jashtëm, role të krijuara nga traktati, por për momentin u duhet të kënaqen me diskutimet rreth kandidatëve, përfshi edhe emrin e Toni Blerit. Traktati u miratua nga të dyja dhomat e Parlamentit çek, por Kryeministri çek kishte përjashtuar çdo vështirësi nga ana e Presidentit të vendit, edhe pse ai njihet si një euroskeptik i flaktë. "Nuk dua të flas për një krizë konstitucionale. Qeveria jonë është në gjendje të diskutojë për kushtet shtesë të kërkuara nga kreu i shtetit. Ne jemi gati të shkojmë në Këshillin Europian dhe ta çojmë traktatin të firmosur në tavolinë". Duke lënë të kuptohet për një thyerje të marrëdhënieve mes tij dhe Presidentit Klaus, ai shtoi: "Qeveria dëshiron të ketë garanci të qarta dhe të shëndosha nga ana e kryetarit të shtetit, se ky është hapi i fundit nga ana e tij dhe se asnjë kusht shtesë nuk do të shtohet". Fisher u takua dje në Bruksel me Barroson dhe mosnënshkrimi i traktatit nga ana e Klausit ishte çështja kryesore për të cilin u diskutua. Ai shpreson ende se kjo gjë do të ndodhë para fundit të vitit. Kjo pengesë mund t‘i irritojë shumë liderët e tjerë të BE-së, sidomos Gjermaninë dhe Francën, të parat që nxitën miratimin e tij.