Më mirë apo më lirë? Shqipëria e dyta për pushuesit maqedonas
Maqedoni- Pushuesit nga Maqedonia rendisin vendin tonë si zgjedhje të dytë, pas Greqisë, për të kaluar pushimet. Të dhënat janë bërë publike nga Enti i Statistikave, pas një hulumtimi të bërë. E përditshmja shqiptare në Maqedoni, Koha, i ka kushtuar sot kryeartikullin kësaj teme, ku theksohet se arsyet pse Shqipëria është e preferuar për pushuesit maqedonas janë, të qenit afër gjeografikisht dhe çmimet e lira.
“Më afër dhe më lirë, arsye të mjaftueshme që bregdeti shqiptar të jetë një prej destinacioneve më të preferuara turistike për këtë verë. Shpenzimet ditore të një pushuesi nga Maqedonia në Shqipëri mesatarisht kanë kushtuar jo më shumë se 800 denarë, ose dy herë më pak sesa në Greqi, apo tre herë më lirë sesa në Kroaci. Kjo është ndoshta edhe një nga arsyet që Shqipëria renditet e dyta në listën e vendeve që janë frekuentuar më shumë këtë vit, pas Greqisë.
Kohëzgjatja mesatare e pushimeve në bregdetin shqiptar nuk është më e gjatë se një javë, ndërkohë që në rivierën greke pushimet shijohen më gjatë, deri në 10 ditë. Sipas të dhënave zyrtare, Kroacia është vendi me kosto më të lartë për të kaluar pushimet vjetore, madje më shumë edhe sesa Turqia, një arsye kjo e mjaftueshme që edhe preferenca për këtë vend të jetë e vogël. Më pak se një për qind e numrit të përgjithshëm të pushuesve kanë zgjedhur këtë destinacion, ndërsa shpenzimet ditore të një individi në Kroaci arrijnë deri në 2500 denarë në ditë. Në Greqi kanë pushuar mbi 42 për qind e numrit të përgjithshëm, e dyta renditet Shqipëria, me më shumë se 32 për qind e numrit total. Por përveç njerëzve të zakonshëm, bregdeti grek është frekuentuar edhe nga një numër i madh personalitetesh nga politika, të cilët kanë zgjedhur rivierën grekë për të kaluar pushimet verore, por edhe për të kaluar fundjavat. Pavarësisht pritjeve të gjata në kufi e keqtrajtimeve të tjera që janë të zakonshme për veturat dhe personat që kalojnë kufirin me pasaportë maqedonase, fluksi i turistëve edhe këtë verë ka qenë i madh. Ajo që bie në sy është se edhe shpenzimet ditore për të kaluar pushimet brenda vendit janë të larta. Sipas përllogaritjeve, një vendas person në ditë mund të harxhojë mesatarisht afro 800 denarë.
Ndërkohë që preferencat për bregdetin bullgar po ashtu kanë rënë, duke mos arritur as deri në 2 për qind të numrit të përgjithshëm të pushuesve. Në të njëjtat nivele është edhe Turqia. Mali i Zi është edhe shteti i tretë, me më shumë se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të pushuesve, si destinacion turistik i kësaj vere. Kostoja e shpenzimeve ditore të një plazhisti në bregdetin malazez është e përafërt me atë në rivierën shqiptare, afërsisht 800 denarë. Banesat e marra me qera janë edhe vendet ku më së shumti prenotojnë shtetasit nga Maqedonia, ndërsa një numër i vogël është vendosur në hotele. Si mjet udhëtimi më komod, por edhe më i leverdishëm është makina personale dhe më pak autobusët dhe në raste shumë të rralla. Vetëm 1 për qind e pushuesve kanë përdoruar transportin ajror. Arsyet financiare dhe gjendja jo e mirë ekonomike kanë qenë shkaku kryesor për ato që nuk kanë kaluar asnjë ditë pushime verore. Sipas një ankete të realizuar nga Enti i Statistikave, mungesa e parave është renditur në krye të justifikimeve, për gati 80 për qind të të anketuarve”.
Marrë nga Koha