E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalimi i gazetarit, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin grek

Tiranë- Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë  thërriti sot në mesditë diplomatët grekë për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin e një dite më parë me gazetarin e Top Channel, Marin Mema, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës në Sarandë.

Burime pranë Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se në orën 12.00 zëvendës ambasadori grek në Tiranë u fut në zyrat e Ministrisë së Jashtme shqiptare, pas kërkesës së kësaj ministrie lidhur me incidentin me gazetarin Mema. Nuk ka informacione zyrtare nga ana e Ministrisë së Jashtme, por behet e ditur se pala shqiptare kërkoi shpjegime për vendimin e autoriteteve greke për shpalljen non grata të gazetarit shqiptar.

Një ditë më parë policia kufitare në Qafë Botë nuk e lejoi gazetarin të kalonte në territorin grek, pasi ishte në listën e njerëzve që përbëjnë rrezik kombëtare për Greqinë.

Sipas gazetarit, kjo lidhet me faktin se ai ka bërë disa reportazhe mbi Çamërinë dhe krahinat e tjera shqiptare që janë në juridiksionin e shtetit grek.

Gazetari Mema ka qenë duke udhëtuar me familjen për në Greqi, për të kaluar pushimet, kur është ndalur nga policia kufitare në pikan e kalimit kufitar në Qafë Botë të Sarandës. Policia i ka thënë se ishte në listën e personave që përbëjnë rrezik për kombin grek, ndaj dhe nuk mund të lejohej të kalonte. Gazetari Mema tregoi në telefon për gazetën IDEA se kishte telefonuar pranë Ministrisë sonë të Jashtme për të kërkuar ndihmë, por atje i kanë thënë se nuk kanë fuqi për të ndikuar në një vendim të tillë të autoriteteve greke. Sipas tyre, në të njëjtën mënyrë, në kufi ishte ndaluar të futej edhe një gjykatës shqiptar disa ditë më parë.

Gazetari Marin Mema, është autor i dy reportazheve në territorin shtetëror grek, njëri për krahinën e çamërisë dhe tjetri në fshatin e lindjes së patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Gjatë realizimit të këtyre reportazheve, në vitin 2010 2011, grupi i xhirimit ishte ndaluar nga rojat greke të kufirit të futej në territorin grek. Por në të dyja rastet, gazetari Mema ia kishte dalë të futej në mëyrë ilegale dhe përmes kamerave të fshehta ti realizonte reportazhet të cilët kishin në fokus jetën në trojet shqiptare të çamërisë dhe atë të shkatërrimit të shtëpisë dhe varrit të partiotit Negovani.

Duket se kanë qenë pikërisht këto reportazhe të gazetarit shqiptar që e kanë futur atë në listën e personave të padëshiruar dhe të rrezikshëm për Greqinë. Emri i tij tashmë është në sistemin kompjuterik grek për të mos u lejtuar të futet në këtë vend nga asnjë pika kalimi kufitar.

Ndalimi i gazetarit Marin Mema vjen vetëm pak ditë pasi një deputet nazist grek u fut në Shqipëri dhe mbajti një konferencë shtypi në varrezat e Himarës, duke thënë se kjo është tokë Greke dhe ne do të bëjmë çdo gjë për ta marrë atë. Autoritetet shqiptare që nuk dinë të thonë asgje për ndalimin e shtetasve të saj në kufi, sikur të ishin anëtarë të Al Kaedas, nuk mund të vendosin që të ndalojnë në kufi nazistën e rinj, të cilët nazizmin e tyre e shprehin vetëm ndaj shqiptarëve, në kërkim të Vorio Epirit.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›