E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më në fund drejtësia u vu në vend

Më në fund drejtësia triumfoi. Si mund të qëndronin ende në burg biznesmenë, si Delijorgji, Minxolli e Pinari, si fajëtorë për shpërthimin e 15 marsit 2008 ku humbën jetën 26 vetë? Pse duhet të qëndronin pas hekurave njerëz që për të realizuar një biznes patën Shtetin në dispozicion: Me Ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe qeverinë Berisha që bëri vendime të posaçme për të bërë atë biznes shqiptaro-amerikan? Disa biznesmenë, dihet, kërkojnë të bëjnë parà nga guri e druri, nga gra e të mitur, nga jeta e vdekja, është Shteti ai që vë fre e rregulla në vrapin për t’u pasuruar me çdo mjet e kudo. Në rastin e Gërdecit, Shteti, jo vetëm që s’vuri asnjë kufi, por krijoi e mbuloi gjithçka. E për këtë të mbahet në burg Delijorgji, Minxolli e Pinari? Do të ishte një padrejtësi flagrante, që falë të gjithëve, u vu në vend.
E në këto kohë Drejtësie të madhe në Shqipëri, Fatmir Mediu gjen rrugët e duhura të pritet nga zv/Presidenti amerikan Joseph Biden e të marrë rrëfimin e tij të papërshkruar e dëshirën e madhe për të vizituar Shqipërinë. Tamam në këto kohë, kur Shqipëria po përjeton pikën kulmore të respektimit të Shtetit, kur kryeministri flet në Kuvend me një retorikë makabre, menjëherë pas shfaqjes së videos kur një ministër e zv/kryeministri shqiptar bisedonin për përqindje mijëraeurosh korrupsioni, ambasadori amerikan në Tiranë deklaron se korrupsioni nuk është një problem i Qeverisë, por i popullit shqiptar. Sepse ambasadori amerikan, edhe pse ka pak muaj në Shqipëri, paska takuar të rinj që me cinizmin e tyre, korrupsionin e paskan kuptuar si mënyrë jetese dhe se i gjithë populli e mendon si mënyrë jetese. Atëherë, përse duhet të qëndrojnë në burg Delijorgji, Minxolli e Pinari? Sepse tentuan të bëjnë korrupsion? Nuk ishte e nevojshme. Ne të gjithë jemi të korruptuar, sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, ndaj, me të drejtë, në Shtetet e Bashkuara, në Mëngjesin e Lutjeve, në takimin me zv/Presidentin Joseph Biden e të tjerë autoritete të larta, na përfaqëson Fatmir Mediu, më i pastri mes ne mëkatarëve shqiptarë. Nëse, me ndihmën e amarikanëve, u zgjidh kaq mirë Gërdeci ku u vranë 26 vetë, kam shumë besim, që po me ndihmën e amerikanëve, e të vetë ambasadorit Arvizu, do të zgjidhet shumë mirë dhe ngjarja e errët e 21 janarit, ku humbën jetën vetëm 4 vetë. Ditë të mrekullueshme Drejtësie, po përjetojmë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›