Alkatraz, burgu misterioz që u kthye në legjendë

Ishulli famëkeq, i cili ndodhet 2 km larg San Franciskos, ka një pozicion të izoluar të vendndodhjes dhe duket sikur është krijuar vetëm për një qëllim, të funksionojë si burg gjithë historinë e tij. Në vitin 1861, Alkatrazi duke qenë se ishte i izoluar në mënyrë perfekte, për të u vendos të bëhej burg për të burgosurit e luftës civile. Por edhe mbas luftës ushtria e pa të arsyeshme që të ishte funksional, përsosën fortifikimin e burgut dhe bën një serë investimesh në këtë ishull.
Në vitin 1868 Alkatrazi ishte zyrtarisht burg ushtarak dhe vazhdoi i tillë për vite me radhë deri në tetor të vitit 1933, ku ai pushoi së funksionuari. Por një tjetër histori do të pasojë të parën; më 1 janar1934, Alkatraz hap përsëri dyert e tij, por këtë herë si burg i sigurisë së lartë. Ishte arritur përsosmërisht fortifikimi dhe siguria absolute garantohej nga vendndodhja e ishullit dhe numri i tejet i madh i rojave. Në të punonin 90 oficerë policie, me tre turne, ku 2/3 e tyre jetonin ne ishull. Projekti i godinës ishte i ndarë në tre blloqe: B, C dhe D, numri i qelive në B, C ishte përkatësisht 336, ndërsa ne D 42 qeli. Që nga shpallja burg civil gjithë historinë e tij ka mbajtur brenda mureve 1545 të burgosur, kapaciteti i tij ishte 312 persona, si shifër më të lartë ai ka regjistruar 302, dhe si më të vogël 222 sipas periudhave kohore. Në këtë burg ekzistonin edhe qelitë e vipave, ku ndër ta ishte edhe famëkeqi Al Capone. Çështja e arrative është misteri më i madh që përfshiu këtë burg, numri i të burgosurve që u përfshinë në tentativën e arratis ishte gjithsej 36, ku 7 prej tyre u qëlluan me armë dhe u vranë, 2 prej tyre u mbytën, 5 raste mbetën të pa zbardhura dhe pjesa tjetër u kapën përsëri. Vetëm 2 të burgosur arritën të dilnin në breg, por jo të gëzonin lirin, ata u kapën sërish nga rojat dhe u kthyen përsëri të vuanin dënimin e tyre në kushte më të rrepta sigurie. Por disa kujtohen si rastet e arrative më të përfolura, një ndër to daton më 11 qershor 1962, pjesë e planit ishin tre persona, dy vëllezërit John dhe Clorence Anglin si dhe Frank Morrison. Prej kohësh ata studionin një plan arratie ku përfshihej njohja e godinës, numri dhe patrullimi i rojave dhe kur gjetën momentin e përshtatshëm ata ia mbathën në pjesën e pasme të burgut në bllokun B nëpërmjet një korridori 91 cm dhe të paruajtur mirë, ata u larguan. Muret e qelive i kishin gërryenin me lugë dhe murin e gërryer e fshihnin pas një posteri të një këngëtareje që e mbanin të varur në dhomë. Në mënyrë që të shmangnin zhurmën që krijonin ata punonin vetëm në momentin kur në burg vihej muzikë, kishin siguruar shumë mushama shiu dhe i përdorën në formë kamerdareje për të arritur bregun. Por pjesë e planit ishte edhe një i burgosur tjetër, të cilin nuk e morën kur u arratisën; kur ai vërejti mungesën e tyre në qeli, njoftoi rojat e sigurimit, por atëherë ishte vonë dhe plani arratisës ishte kryer. Versioni final është që ata u mbytën në detin e trazuar, por të tjera dëshmi nga persona dhe familjarë të tyre thonë se ata mbijetuan dhe kanë treguar shenja jete. Një tjetër arrati që është e përfolur, është edhe ajo e 16 dhjetorit 1962, ku John Paul Scott dhe Darl Parker u përfshinë në tentativën e arratisë dhe e bënë të mundur nëpërmjet një sharre hekuri që nuk dihet nga e siguruan. Ata arritën të prisnin hekurat e dritares së kuzhinës dhe kur patrulla e oficerëve ishte në skajin tjetër të godinës, ata kapërcyen dritaren dhe ia mbathën jashtë telave rrethues. Por arratia nuk zgjati shumë, Parker, një nga të arratisurit, u kap në vendin e quajtur Little Alcatray, afër ishullit, ndërsa Scott arriti në Fort Point, kështu quhej vendi ku ai ndodhej. Ai u gjend nga një grup adoleshentësh, duke vuajtur nga hipotermia dhe pasi u kurua, u kthye përsëri të vuante dënimin. Ky është i vetmi rast i ditur ku një i arratisur arrin të dalë në breg. Në një burg tjetër normal, në tokë, nëse do të organizoje një plan arratie, ai mund të përbëhej nga dy plane, dil nga qelia, kalo murin rrethues dhe vrapo të fitosh lirinë, në Alkatraz jo! Atje nuk ishte kaq e thjeshtë, duhej të zbatoje disa plane: të dilje nga qelia, të kaloje murin rrethues, të përshkruaje distancën prej 2 km deri në breg, e cila ishte më e vështira, ku deti përpinte dhe rojat vrisnin, dhe në fund, ku nuk kishe më asnjë fuqi, duhet të vrapoje, gjë që dyshohet se askush nuk e bëri. Për sa i përket numrit të vdekjeve, pa marrë parasysh ata që u vranë në tentativat e arratisjes, mendohet se 8 u vranë nga bashkëvuajtësit e tyre, 5 të tjerë u vetëvranë dhe 15 patën një vdekje natyrale, nga sëmundje të ndryshme. Dhe më 21 mars 1963, Alkatrazi mbyll dyert e tij për gjithmonë. Për mbylljen e tij ndikuan një sërë faktorësh, si kostoja e madhe, pasi çdo transport kryhej nëpërmjet linjës detare, kostoja e një të burgosuri shkonte 10 dollarë dita, që në raport me burgjet e tjera ishte shifër e lartë. Një faktor tjetër ishin edhe ndryshimet në administratën dhe filozofinë e burgut. Uji i detit ishte një faktorë tjetër, ai filloi të gërryente betonet e godinës nga vetia gërryese e kripës, ku dhe gabimi i inxhinierëve ishte futja e ujit të kripur në banja dhe në punë të tjera. Alkatrazi gjithë historinë e tij funksionale u përfshi nga mistere për situata dhe vendime të ndryshme, ku pjesa më e madhe e misterit ishte arratia. Në ditët e sotme, Alkatrazi ka fituar statusin muze dhe të burgosurit e tij u transferuan në një tjetër burg, që u hap për të zëvendësuar burgun famëkeq, ku ata vuajtën dënimet e tyre.