E Diel, 1 Nëntor 2026

Më në fund…me një këmbë në Europë!

"E duam Shqipërinë si gjithë Europa"ishte sllogani, ose ndryshe parrulla e atyre ditëve të rinisë tonë të hershme, kur shqiptarët e çoroditur, të ndrydhur, e të papunë mundoheshin të shkonin në Europë më shpejt se vendi i tyre, me mënyrat më të vjetra "Moisiane"të ikjes… Ka rrjedhë shumë ujë poshtë urës që atëherë. Shqiptarët, kanë provuar shumë gjëra që solli "demokacia"dhe mbi të gjitha ndjenjat njerëzore, duket se ka mbizotëruar zhgënjimi. Një analist europian, do të thonte se sindroma e përbashkët e ish-vendeve komuniste është se ata shpresojnë që brenda 1 nate do zgjidhen gjithë problemet e tyre, ndërsa agun e ditës tjetër ata do të jenë pjesë e një sistemi që ka dekada që është ndërtuar dhe funksionon. Politikanët shqiptarë, kanë abuzuar më shumë se kushdo me një ëndërr të bukur e të largët të bashkëkombasve të tyre të vuajtur, që mërgimi i gjatë, zhdukja e vlerave kombëtare, skamja, gjendja skandaloze e arsimit shqiptar rrezikon t`i katandisë qënie pa identitet, që s`dinë nga rrjedhin e ku do derdhën. Por gjithsesi, ata mëse 1 milionë shqiptarë që kanë patur mundësi të jetojnë dhe punojë në 2 vendet fqinje tonat, anëtare të BE-së, Greqisë dhe Italisë, kanë mësuar gjënë më minimale: pa punuar si atje, pa u lodhur si atje, pa jetuar si atje, ne nuk mund të jemi pjesë kurrë pjesë e atij komuniteti të madh njerzish dhe vlerash. Në këta 15 vjet, kemi qenë të gjithë dëshmitarë, të problemeve dhe zhgënjimeve që padyshim erdhën edhe nga pamundësia e ndryshimit të shpejtë të mentalitetit të shqiptarëve. Në radhë të parë, "disiplina"totalitare komuniste la pas një frymë konfliktualiteti dhe një shoqëri pa rregulla komunikimi. Kjo u ndie në politikë, ekonomi, kulturë dhe detyrimisht edhe në shoqërinë shqiptare. Por pas 15 vjetësh, duket se shqiptarët janë të lodhur nga zënkat politike, që nuk i kanë çuar asgjëkund, vçse kanë kënaqur "nepsin"momental të militantëve politikë në të dy krahët. Por duket se dy palët, kur vjen puna për interesat madhore të vendit, kanë nisur të mendojnë pak më me seriozitet. Ndërrimi mëse i qetë i pushtetit, solli 3 fitimtarë, të parët ishin socialistët që ndonëse humbën zgjedhjet, fituan pikë në sytë e europianëve; të dytët fituan demokratët që erdhën në pushtet pas një "agjerimi"të gjatë prej 8 vjetësh, gjë që po u jep mundësi të tregojnë energjitë e tyre në drejtimin e vendit; ndërsa të tretët fituan shqiptarët në përgjithësi. Ndërrimi i pushtetit, bindi Europën në njëfarë mënyre, se megjithë problemet që kanë, shqiptarët e meritojnë të futën të paktën në rrethin e kandidatëve potencialë për në BE. Të hënën në Luksemburg kryeministri Berisha i shoqëruar nga një shpurë politikanësh të djathtë e të majtë, do hedhë hapin më të rëndësishëm të shqiptarëve drejt BE-së në këta 15 vjet. Sigurisht nënshkrimi i Marrveshjes së Stabilizim Asocimit mbetet fryt i një pune 3 vjçare. Gjithashtu për ata që e dinë procedurën, nënshkrimi i saj do të thotë fillimi i një pune edhe më të madhe, të mundimshme dhe që do të përfundojë kur t`i kemi bërë të gjitha ashtu siç kërkohet nga Bashkimi Europian. Gjithsesi, nënshkrimi i MSA është një tregues i përparimit të vendit, por edhe dëshirës së BE-së për të na afruar dhe klasës politike shqiptare për të punuar në këtë drejtim. Shqipëria po mundohet të kapë trenin ku kanë hipur tashmë Kroacia dhe Maqedonia, ndërsa ka lënë pas Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë dhe Malin e Zi. Gjithsesi, tashmë pas 15 vjet përpjekjesh jemi të gëzuar që kemi futë një këmbë në ëndërrën e vjetër tashmë të zbërdhulur "ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”… Ndoshta do të duhen edhe vite të tjerë të gjatë, e të lodhshëm që treni shqiptar i integrimit të na çojë atje ku duam. Dhe kjo varet nga puna dhe serioziteti i klasës politike shqiptare, por edhe nga mentaliteti i shqiptarëve të cilët duhet të përqafojnë vlerat dhe jo të keqfotokopiojnë ato që bëjnë europianët. Shpresojmë që kur të zbresim nga treni, ne ish-adoleshentët e ndryshimit të regjimeve, të mos jemi thinjoshët e rinj e të lodhur nga ëndërra e vjetër europiane, një ëndërr shpirtkëputëse që u tërhoq e s`u këput në mëse 2 dekada e gjysmë…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›