E Diel, 1 Nëntor 2026

Ato eshtra kanë shumë për të treguar !

Edhe kjo i duhej shqiptareve të lodhur e të rraskapitur, nga debate perçmuese mbi identitetin, nga varferia dhe ecejaket e integrimit. Me të vërtetë fantasia perverse është aq e larmishme sa do ta sfidonte logjikën e mprehtë dhe moralin e pastër, derisa ajo të mos kthehej ne strategji.
Alfred Hickok, regjizori i famshëm i filmave horror, do te mbetej i fantaksur nga fabula horror e Kosinës, edhe per faktin se për herë të parë ngjyrimet horror lidheshin me veladonin e zi të një prifti, në një natë të zezë në të cilën u konsumuan të gjitha të zezat. Gjithēka do të vazhdonte normalisht në perfeksionin më të madh për priftin dhe eprorët e tij, të cilët të kënaqur me konspiracionin e denjë për një agjenturë profesioniste, po shijonin frytet e operacionit kocka, gjersa kocka vetë t'u mbetej në fyt. Tashme ne vetëm do të humbisnim kohë të ndaleshim në detajet e fabulës, që janë të mirënjohura nga të gjithë, por ajo që neve na intereson të analizojmë, është përse Shqipëria, kthehet në tokën më pjellore për lulëzimin e perversiteteve të tilla ? Është shumë i çuditshëm fakti i analogjisë që ekziston në dyshimin mbi identitetin e shqiptarëve të gjallë të ngritur kohët e fundit nga ndonjë "baba"i kombit në formën e një sfide intelektuale dhe dyshimin e identitetit të shqiptarëve të vdekur të praktikuar nga ndonjë "baba"shpirtëror në formën makabre të përdhunimit të varreve shqiptare. E përbashkëta e këtyre të dyjave në thelb është diversifikimi identitar , lubia e të cilit nuk kursen as të vdekurit, ku simboli i përbashkët i tyre është kryqi, i cili për të gjallët duhej të vendosej në gjoksa, ndërsa për të vdekurit mbi kokat e varreve të tyre, por kësaj rradhe nën petkun e ushtarëve fitimtarë në tokën e një populli me identitet "të pacaktuar”.. Analogjia e tentativave për ndryshueshmëri identitare të shqiptarëve të shprehur në forma krejt të kundërta nga ana praktike por krejtësisht të ngjashme nga ana ideologjike, bën të qartë faktin se Shqipëria dhe shqiptarët po ndodhen vërtet përballë një sfide të re. Përpjekjet e sforcuara për t'i pajisur shqiptarët me një identitet të ri kjo edhe jashtë dëshirës së tyre i ngjan atij injeksioni që i bëhet njeriut në mënyrë të dhunshme, por që më vonë i shkakton reaksion dhe kundërveprim. E përbashkëta tjetër e të dy fenomeneve të përmendura më sipër është dhuna, ku e para karakterizohet nga dhuna intelektuale, që në shumë raste na shafqet në formën e imponimit të tezave identitare dhe çdo kundërshti ndaj tyre apo hartuesit të tyre konsiderohet herezi, ndërsa e dyta na shfaqet në dhunë konkrete fizike si ndaj të vdekurve por edhe ndaj të gjallëve. Madje dhuna nuk lë pa prekur edhe insitucionet të ashtuquajtura autoritare shtetërore si policia dhe prokuroria. Me pak fjalë një shtet i hutuar përballë një sulmi identitar. Me të vërtetë është jo pak e rëndë nëse dikush me insistim vë në dyshim prejardhjen tënde nga familja apo fisi, duke deklaruar si ti nuk je pjesë e kësaj familje. Gjëja e parë që të ndodh është hutimi, që pason me dyshimin dhe pastaj kalon në një krizë identitare. Tollovia identitare thellohet edhe më tepër kur "miq"të servirin ca të ashtuquajtura prova mbi parardhësit e tuaj. Territori është e përbashkëta tjetër e këtij fenomeni të diversifikimit identitar të shqiptarëve. Nëse teza intelektuale sfiduese identitare mbi "identitetin evropian të shqiptarëve"vë si parësore përkatësinë territoriale të shqiptarëve ndaj botëkuptimit personal shpirtëror, veprimi i dhunimit fizik të varreve bëhet në emër të vendosjes së piketave territoriale për një territor të ri me një identitet të ri. Fakti që ushtarët grekë erdhën në Shqipëri për të çiruar Vorio-Epirin, është tashmë i ditur nga dokumetet historike dhe nga kërkesat e Kryeministrit grek të asaj kohë që i bënte autoriteteve angleze për të lejuar një gjë të tillë. Këta ushtarë bënë spastrime etnike të mirëfillta jo vetëm ndaj njerëzve por edhe ndaj institucioneve të kultit në Shqipërinë e Jugut për të pastruar terrenin, në mënyrë që të vendosej rendi i ri helen.
Prof.dr.Beqir Meta në veprën e tij me titull "Tensioni greko-shqiptar (1939-1949)"na jep fakte rrënqethëse:
"U vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërrimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. U dëmtuan dhe u shkatërruan të dyja kishat ortodokse shqiptare në Rehovë ,kishat në Selenicë, në Mileci, në Plasë, në Ersekë, në Boboshticë, në Dardhë, në Kapshticë, në Voskop, në Turan, Katedralja Ortodokse, kisha e Shën Trinisë dhe Pallati i priftërinjve katolikë në Korēë, katedralja e Shën Marisë dhe kisha e Shënkollit në Drenovë; kuvendi Shën Ilia në Vlocisht dhe 11 kisha ortodokse në Voskopojë. Grekët shkatërruan edhe xhamitë e Ersekës, të Vloēishtit, të Pogradecit, të Turanit, të Leskovikut, të Mborjes, të Floqit, të Zvezdës dhe të Gjonomatit. Kjo e fundit u shndërrua nga grekët në stallë kuajsh"(f.50-51).

Të morën kockat, atëherë pij lëngun

Sfidat të cilat i përmendëm më sipër në radhë të parë më shumë se për individin shqiptar janë për shtetin dhe qeverinë shqiptare. Aleanca e këtyre të fundit në lidhje me këto sfida kanë qenë të shprehura në forma të ndryshme duke filluar nga heshtja institucionale qe na serviret si diplomaci e matur e autoriteteve, që më shumë ka të bëjë me paaftësinë dhe frikën, e deri tek deklaratat sfiduese për diversifikimi identitar të kreut të shtetit në ndonjë organizëm apo institucion ndërkombëtar. Madje heshtja institucionale shtrihej edhe atëherë kur në mënyrë të hapur simbole fetare sfidonin territore të tëra shtetërore të një shteti laik në letër, konfuz në mendim dhe totalisht të paaftë në veprim. Ngjarja horror e Kosinës në mënyrë të përsëritur çertifikoi këto që thamë më sipër, por e veēanta kësaj radhe ishte se tregoi mprehjen gjithnjë e më të madhe të armëve dhe intensitetin kulmor të sfidës. Qeveria shqiptare duhet njeherë e mirë të dalë nga pozicioni i saj i kahershëm i kafshës për kurban dhe të bëjë gjënë më normale që duhet të bëjë çdo qeveri përfaqësuese politike por edhe e ndjenjave shpirtërore të popullit të vet, t'i mbrojë ato me çdo kusht. Frika të tilla mbi atë së sa ngjarje të tilla do të ndikojnë mbi firmosjen apo jo të MSA për Shqipërinë, mendoj se janë të pa baza. Ne duhet të dalim njëherë e mirë nga pozicioni inferior identitar dhe nga frika identitare, për arsye se qenia apo jo në organizmat evropianë nuk është e lidhur me to dhe se përkatësia identitare përbën boshtin individual të secilit, ndërsa përkatësia institucionale e shtetit shqiptar në respektimin e reformave dhe kuadrin ligjor evropian, përbën boshtin integrues të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të hetojnë duke respektuar të gjitha normat dhe ligjet e shtetit shqiptar. Ndoshta ato eshtra kanë shumë për t'i treguar sfidantëve të identiteteve të shqiptarëve. Kanë për t'i treguar se realiteti të cilën ato e morën me vete shekuj e dekada më parë është krejt ndryshe nga teza e sfiduesit. Kanë për të treguar se edhe të vdekur dinë të mbrojnë identitetin e vet. Rivrasja që iu bë të zhvarrosurve jo rastësisht përkon me një poemë të sfiduesit ku citohej pikërisht "...të rivrasim të rënët.."Koncepti i rivrasjes identitare ndryshon pak me rivrasjen e të zhvarrosurve. Ato eshtra kanë shumë për të treguar...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›