Më pak anglezë

Në Euro 2012 do të ketë më pak tifozë anglezë sesa në cilëndo garë të mëparshme të futbollit ndërkombëtar, për shkak të çmimeve të larta në shtetet nikoqire Ukrainë dhe Poloni, ka njoftuar zëdhënësi i Federatës së Tifozëve anglezë të Futbollit (FSF), Kevin Miles.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka shprehur zemërimin e tij rreth çmimeve në hotele duke fajësuar “banditët dhe hajdutët” që i mbajnë larg tifozët. Kurse Miles shtoi: “Jam i kënaqur që Platini e përmendi këtë problem. Është faktor kyç dhe tregon më së miri pse numri i tifozëve udhëtues është aq i vogël”. Tifozët e Anglisë deri më tani kanë marrë rreth 3000 bileta për secilën prej ndeshjeve të fazës së grupeve në Ukrainë kundër Francës, Suedisë dhe Ukrainës, që është më pak se gjysma e atyre që u takojnë.
Gara do të ketë për nikoqirë të përbashkët Poloninë dhe Ukrainën. Në qytetet e Ukrainës, Kiev, Donetsk, Kharkiv dhe Lviv disa hotele kanë rritur çmimet e tyre për 10 herë më tepër se tarifat normale. “Ju nuk mund të rritni çmimet nga 40 në 100 euro nga njëra ditë në tjetrën”, deklaroi Platini. Anglisë i është dhënë 15 % e stadiumit Donbass Arena me kapacitet prej 52,518 ulësesh, rreth 7800 bileta, për ndeshjet e saj kundër Francës dhe Ukrainës në Donetsk.
Federata e Tifozëve Anglezë të Futbollit ka njoftuar se disa tifozëve u janë kërkuar mbi 800 euro për një natë qëndrimi në hotel me tre yje. “Do të befasohesha nëse do të ketë prej atyre që janë të gatshëm të paguajnë aso shifrash. Është pa dyshim problem e që është dërguar në maksimum në Ukrainë. Numri i tifozëve anglezë që do të udhëtojnë për në Euro 2012 do të jetë më i vogli që mbahet mend ndonjëherë”, theksoi Miles.
FSF tregoi se çmimet e larta të akomodimit janë vetëm një prej problemeve me të cilat përballen tifozët. “Ekziston një mendim i përgjithshëm se tifozët nga Perëndimi kanë shumë para për të shpenzuar”, tha Miles. Megjithatë, Federata Angleze e Futbollit ka insistuar se në Euro 2012 do të jetë një numër i ngjashëm sikurse në Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut, edhe pse FA merr numër më të vogël biletash për ndeshje të Botërorit.
Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, ka urdhëruar qeverinë e tij të parandalojë hotelet t’i ngritin çmimet për tifozët që udhëtojnë për Euro 2012. Yanukovich dëshiron të përkujdeset që çmimet e hoteleve të jenë në shkallë “të arsyeshme” gjatë zhvillimit të garës. Euro 2012 fillon më 8 qershor dhe mbaron më 1 korrik.