E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak dokumente, por jo ama më pak siguri



Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur përkundër vullnetit politik të Kosovës të miratojë planin prej 6 pikash të vendosjes së EULEX-it në Kosovë. Plani është kundërshtuar nga krejt faktori shqiptar në rajon, për shkak të mundësive të ndarjes së Kosovës që ai favorizon. Si i shikoni zhvillimet në Kosovë dhe në rajon pas këtij vendimi të KS të kontestuar të OKB-së?

Nuk ka dyshim se është një plan i pamenduar mirë. I trajtuar njëanshëm dhe i nxituar në miratimin e vet. Edhe pse siç po sigurojnë tashmë autoritetet nga të dyja anët, ky plan as e ka pasur ndërmend dhe as e synon ndonjë ndarje të Kosovës, është fakt që ai krijon hapësira për riinterpretim të çështjes që tashmë ka marrë një rrugë të qartë. E para, sepse bën një rikthim mbrapa të kontekstit historik (e kthen filmin mbrapsht) dhe na e vendos ngjarjen në skenën e vitit 2005 a 2006, pra në epokën kur Kosova kumandarej nga rezoluta 1244. Ndërkohë që kemi një realitet të ri pavarësie të Kosovës, ngritur mbi bazën e planit “Ahtisari” dhe (ç’është edhe më e rëndësishme) edhe të pranuar nga dhjetëra shtete të Evropës e botës.

Dyshimet shtohen me plot të drejtë edhe nga fakti që vetë “Plani 6-pikësh” nuk është rezultat i një procesi përfshirës, ku autoritetet e Kosovës natyrisht që duhet të kishin zërin e tyre. Si u bëka ky plan për rregulla e autoritete si EULEX, se si duhen shtrirë ato mbi territorin e një shteti të pavarur, që po merr njohje të gjerë ndërkombëtare?

***

Mirëpo edhe kjo që po rrëfej unë më lart (dhe që është ajo që përgjithësisht përbën gjithë përmbajtjen e alarmit dhe të debatit), nuk është veçse një kalim sipërfaqësor mbi çështjen. Çështja këtu duket jashtëzakonisht komplekse. Politike, teknike, por sidomos juridike. Çështje tipike e së drejtës ndërkombëtare. Kështu që pak gjë mund të themi teknikisht, pa lexuar të gjithë dosjen e shkresat. Politikisht Kosova, tashmë shtet sovran e i pavarur, ka të gjithë të drejtën të jetë e shqetësuar. Serbët e Serbia gjithashtu nuk ka pse të mos e shikojë këtë zhvillim që po ndodh me instalimin e EULEX-it si një shans për të bërë ndonjë rishikim në favor të saj. Është një reagim i natyrshëm i tyre. Ndeshim sërish një udhëkryq të njohur të historisë së shqiptarëve. Ku fatet e tyre i përcaktojnë “të mëdhenjtë”. A mund të ishte ndryshe? Kjo në fakt është histori universale për gjithë të vegjlit, por ja që ne mendojmë se të gjithë hilen e kanë vetëm me ne. Përmenda “hilen”, sepse reagimi i deritanishëm i autoriteteve të Kosovës dhe në përgjithësi yni si shqiptarë, përtej thelbit të vet të drejtë e të shëndoshë, nuk fsheh dot edhe një defekt të vogël. Një dozë kompleksimi në këtë çështje. Mendojmë se patjetër dikush po i bën hile. Nuk do ta thosha këtë, po të mos kujtoj se të njëjtën dyshim e pamë edhe ndaj vetë planit “Ahtisari”. I cili në fakt i vuri vulën synimit më madhor: vetë pavarësisë së Kosovës.

Po e themi edhe për arsyen tjetër: po dëgjojmë së fundi, edhe nga vetë Presidenti Sejdiu, se “plani 6-pikësh” as që paskej ndonjë objektiv të tillë: ndarjen e Kosovës. Po atëherë, nga dreqin na doli gjithë ky alarm, kushtrim e tollovi, se Kosova po ndahej? Them se kjo i dedikohet pak sa emocionit tonë të fortë, aq edhe nxitimit për t’i nxjerrë përfundimet tona, në vrap e sipër. Mos jemi dhe pak thashethemexhinj? Thotë njëri “po ndahet Kosova” dhe të tjetër oburra, kushtrim. Pa lexuar as vetë aktin e OKB-së. As vetë planin-6-pikësh Ban Ki Mun. Po t’i lexojmë njëherë ato të shkreta akte, me nene e me pika. Pastaj të kërkojmë me forcë bisedime disapalëshe me përmbajtje teknike. Të ulemi e të flasim pastaj edhe me autorët e shkresës. Pse u dashka ta kuptojmë kaq vonë që alarmi për ndarje paskej qenë i rremë?

Një tjetër gjë që del këtu është edhe komunikimi ynë me atë që quhet “faktor ndërkombëtar”. E kam fjalën për luajalitetin ndaj tij. Nuk është mirë që ne të jemi “me të” vetëm kur ai jep ndonjë penallti në favorin tonë, dhe pastaj ta shajmë e mallkojmë me vrap, kur i fryn bilbilit në punë të vet. Sepse, natyrisht si shqiptar unë do bëja çmos që Kosovës të mos i cenohet asnjë fije pavarësia, por si zyrtar, si burokrat, nuk mund të mos kuptoj edhe hallin administrativ të Ban Ki Munit, i cili duhet të administrojë një proces të ndërlikuar. Duhet të mbyllë një dosje e cila ka një histori, duhet ta pajtojë situatën e sotme me atë të dokumenteve të deritanishme që ka OKB-ja. Natyrisht që këtu ka një gafë. Gafa që bën ai dhe Këshilli i Sigurimit me miratimin e planit, është se këtë dosje po përpiqen ta mbyllin jashtë vullnetit e konsensusit të autoriteteve legjitime të Kosovës.

Por për ta ndrequr këtë. Mendoj se ka ende shumë hapësirë diplomatike të pashfrytëzuar.

Pavarësisht nga interpretimet lehtësuese që dëgjojmë së fundi, për vete s’kam asnjë dyshim. Ndarje të Kosovës nuk mund të ketë.

Qeveria ka kushtëzuar me një afat 50-ditor shenjën e lejeve të ndërtimit nga njësitë e pushtetit vendor. Sa mendoni se do të ndikojë kjo në zhvillimin e ndërtimit, si sektori kryesor ekonomik i vendit? Cilat mund të jenë përfitimet në aspektin social?

Zbutja e pakësimi i pengesave ndaj një ndërtimi e investimi nuk ka si të mos përshëndeten. Ato janë barriera e parë e madhe ndaj çdo investitori. Një potencial i madh ndërtues rri pezull në pritje të lejes, pa të cilën paratë nuk mund të shndërrohen në objekte e në biznes, që punëson njerëz dhe ndikon rritjen ekonomike dhe mirëqenien. Prandaj edhe bota e zhvilluar e çmon shumë çdo raportim shkurtimi në këtë drejtim. Ka qeveri të sinqerta që merren seriozisht me këtë punë dhe gjejnë çdo mundësi për shkurtime hallkash, vonesash e kostosh të tepërta. E bëjnë këtë në mënyrë fort të studiuar, bazuar në anketa e në studime, në prova e në testime. Po ka edhe qeveri që këtë shpallje për “shkurtime spektakolare” e bëjnë pa dert e pa merak. Thjesht për “qëllime spektakolare”. Sa licenca kemi? 100? Mbaj shënim, le të mbeten vetëm 6 licenca! Po pse 6? - pyet “mjeshtri” i licencave. Po sa? Po ja, të paktën 26 – përgjigjet tjetri. Se 26 janë të nevojshme që pallati të mos bjerë, toka përreth të mos rrëshqasë, parqet të mos i mbulojë hija e përjetshme dhe fasada të mos trembë edhe vetë sorrat. Epo atëherë, një kompromis - e mbyll i madhi fare: të mbajmë vetëm 8 licenca. Duket sikur hallin e ka tek ndërtuesit e investitorët, ndërsa puna është më e thjeshtë: është ekzibicioni politik! Domethënë gjithë halli është të bëjmë figurë të mirë para atyre agjencive që merren me vlerësimin e shpirtit të lartë reformator të qeverisë sonë. Të cilat shpesh, shifrat dhe amendimet ligjore, formale, i regjistrojnë për reforma të vërteta. Me këtë marifet, që qeverisë i doli mjaft për mbarë në një raport të fundit mbi klimën e biznesit, shpresohet shumë të arrihet një shkëlqim i ri. Më pak ditë e më pak kosto për marrjen e një leje për pallatin. ǒka teknikisht arrihet fare thjesht: duke kërkuar shumë pak shkresa garantuese e vërtetuese nga ndërtuesit. Do të bësh një pallat? Bëje, kush të mban! Hap gropën dhe hidh betonin. Pastaj paguaj taksat. Kështu edhe GDP-në e rrisim edhe lirinë e tregut e qajmë në praktikë.

Po a mjafton kjo? Këtu është edhe “kleçka”. Se kush nuk e di se të heqësh viza mbi rregulla e norma që përcaktojnë kërkesa strikte, nuk do kurrfarë mundimi. Puna është se shumë nga këto rregulla që hiqen kanë të bëjnë me kokën tonë.

E dua reformën e shpejtë në këtë drejtim –u shpreh përfaqësues i një agjencie ndërkombëtare një ditë. Më pëlqen edhe që biznesit ndërtues t’i shkurtohen kërkesat për vërtetime e dokumente shtesë. Por nuk do më pëlqente aspak, ama të banoja në një pallat që ofron më pak garanci të kontrolluar, pikërisht sepse është ndërtuar “lirshëm” e “pa pengesa”.

Diktatori i fundit i Shqipërisë, Ramiz Alia, ka bërë thirrje publike për bashkimin e opozitës së majtë shqiptare përpara zgjedhjeve. Sa mendoni se mund të ndikojë në zhvillimet politike brenda së majtës një ndërhyrje e tillë? A e ka ende Ramiz Alia pushtetin apo më mirë autoritetin e nevojshëm për të përcaktuar zhvillimet apo për t’u imponuar në vendimmarrjet e lidershipëve e partive “trashëgimtare” ish-partisë së tij?

Së pari, më lejoni t’ju kujtoj se sot, në vitin 2008, pra nja 18 vjet pas ndarjes zyrtare nga diktatura komuniste, “shokun Ramiz” nuk mund ta thërrasim ndryshe veçse qytetari Ramiz Alia. Nëse jeta jonë sot vazhdon ende të ndikohet nga një “diktator” apo qoftë edhe “ish-diktator”, kjo do të ishte një përgjegjësi e pafalshme e klasës sonë politike, po sidomos e Berishës dhe lidershipit të sotëm, të cilët në politikë u futën pikërisht me sloganet e antidiktaturës. ǒpërgjigje kanë ata për ne sot, kur ju themi “ja e shikoni, ai burri atje, që po flet me deputetin X apo ambasadorin Y? Është vetë diktatori ynë i fundit komunist”. Pikërisht këtë do të na thonë, ju siguroj unë: që “ai burri atje” është qytetari Alia, i cili së bashku me qeverinë “Berisha” e me politikën e gjithë shoqërinë tonë “antikomuniste”, po matet të futet në NATO dhe BE. Sepse sot më beso miku im, edhe shokun Ramiz vetë po ta pyesësh, këtë do të të thotë: të futemi sa më parë në NATO dhe BE! Ec e gjeje po deshe “diktatorin e fundit komunist”. Ai ecën rrugës, pi kafe, bën jetë private e publike, shkon në gëzime familjare apo edhe në pritje ndërkombëtare, dhe jo vetëm që s’i kujtohet fare të ketë qenë ndonjëherë diktator (as i fundit as i parafundit) i Shqipërisë, por mund edhe të çuditet që terma të tilla paskan ende përdorim në Shqipëri. Se përse kështu, dhe si ndodhi që “ish-diktatorin” e kemi sërish këtej rrotull edhe politikisht, për këtë është e qartë se ka vetëm dy shpjegime alternative: ose ai nuk ka qenë aspak diktator (siç e emërtoni ju) ose lidershipet e sotme i kanë jo vetëm duart por edhe gjuhën të lidhura para tij. Si është e vërteta? Një dreq e di, tamam. Unë për vete kam dilemat e mia. Disa syresh i kam hedhur edhe në letër, në shkrime të shkuara. E sigurt është që nuk jemi unë e ti që ja gjejmë dot gjurmën kësaj pune dhe punëve të ngjashme. Realiteti është ky: që sot shoku Ramiz ndihet qytetar i lirë e me të drejta të plota i këtij vendi që siç thonë të gjithë, paskej pasur gjithnjë “aspirata të fuqishme pro-perëndimore”.

Pasi ndihet qytetar me të drejta të plota i kësaj shoqërie, përse tani të mos ndjehet edhe politikan i këtij vendi? ǒe pengon? Sepse fakt është që zoti Alia (kështu do t’i themi këtej e tutje) e njeh mirë politikën dhe të gjithë aftësinë individuale që ta interpretojë dhe ushtrojë atë. A mund të thotë kush se ai në njohuritë dhe teknikën politike është më i paaftë se sa, le të themi ¾ e parlamentarëve tanë të sotëm? Duke qenë qytetar i lirë e politikan i zoti, ç’mund të pritet tjetër nga zoti Alia? Përveçse të vazhdojë ndikimin mbi jetën tonë politike shqiptare. Si me thënë për të dhënë edhe ai një dorë, që jeta jonë të bëhet “më e lumtur e më e begatë”!.

***

Shqyrtesa e mësipërme më nxjerr në pah një tjetër “defekt” të parashtrimit në pyetjen tuaj. Pasi konstatoni realitetin e angazhimit të z. Alia në zhvillimet e sotme politike, ju shkoni dhe e lidhni atë patjetër me “të majtën shqiptare”. Duke nënkuptuar me këtë PS-në, LSI-në dhe një grup tjetër partish që sot janë në opozitë. Pa dyshim jeni gabim. Kemi aq prova se ndikimi i zotit Alia ka qenë po aq i madh edhe mbi lidershipin e PD-së dhe mbi disa forca të shpallura “djathtërisht të djathta” sa që duhet ta pranoni se ndikimi i tij mbi lidershipet tona pluraliste “historike”, është njëlloj i madh. Nga e majta në të djathtë. Ndryshe si do ta shpjegoni ju lëvizjen e ish-ministrit të Ramizit herë në koalicionin e djathtë e herë në të majtin? Po lëvizjen e antiramizistit Ceka? Etj. Ose si do ta shpjegonit ju që sot në krye të partive kemi thuajse të njëjtët liderë që “u caktuan” pikërisht atëherë kur zotin Alia e kishim president? Se ata kemi apo jo. Madje edhe vetë “rinovimet”, po ta marrësh hollë-hollë, nuk është se dalin nga rrethi e çanaku i vendimmarrjeve ramiziste. Po kjo është tjetër temë e stërgjatë.

***

Më direkt akoma, do të thosha se autoritet për t’u imponuar, zoti Alia sot nuk ka sipas meje, por forcë për të ndikuar sigurisht që ka. Shtojmë akoma që këtë forcë ndikimi ai e ka njëlloj në të gjithë spektrin: nga e majta në të djathtë. Në të dy krahët e vendimmarrjeve dikush vazhdon ta dëgjojë e t’i përkulet, gjithsesi nuk ka mundësi që ta injorojë. Për hesape të vjetra apo të reja, këtë nuk di ta them. Tjetra: nëse sot ai shpreh një interes të posaçëm për të majtën, këtë e bën sepse sheh se dobësia e “çarja e majtë” ka shkuar aq larg sa ka prishur çdo balancë mes krahëve. Duke monopolizuar një pushtet absolut tek një parti, madje tek një person i vetëm, zoti Berisha. Mirëpo vetë “ramizizmi” sipas meje, pikërisht këtu konsiston, ruajtja e tensionit, por edhe e balancës mes dy krahëve. Për të mirën tonë? Më shumë për të mirën e vetë ish-kastës. Po në se nesër, ai sheh ndonjë degradim e shkërmoqje në krahun tjetër të “balancës”, mos u çudisni që ta shihni edhe andej, ... duke ndikuar. Me autoritetin e tij, jo dhe aq të shpjegueshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›