E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitologjia dhe mitomania



Ju jeni shprehur edhe për probleme të kulturës dhe historisë kombëtare, vlerat, mitet, ngjarjet e saj, duke ngjallur shpesh aprovim, por edhe kritika. Çfarë mendimi keni për njëfarë debati që u hap së fundi lidhur me një botim të paradokohshëm të një autori të huaj për Skënderbeun? Po cenohet ajo figurë historike apo jo?

E kam ndjekur disi, kur kam pasur kohë, këtë debat që është bërë në shtyp, edhe diskutime të tjera për çështjen, të cilat bëhen në internet mes personash të ndryshëm. Meqë jemi këtu më vjen nga pak çudi se përse një pjesë e këtyre të fundit nuk i paraqesin atje emrat e tyre të vërtetë, por dalin me pseudonime. Nga kush tremben? Kujt i fshihen? S’e kuptoj. Nejse, tjetër punë kjo. Edhe “patriotë”, edhe fshihen!

Sa për mua, figura e Skënderbeut është madhore në historinë e arbrit dhe atë shqiptare në vazhdimësi. Edhe sikur ndokush, ndonjë grup njerëzish, apo edhe gjithë bota t’i vihet kundër, nuk e zhbëjnë dot. Një mit, nëse ka ende jetë për të bërë, nuk dëmtohet, por forcohet nga kundërshtitë. Dhe e dini përse? Sepse kjo figurë gjallon fort në kujtesën kolektive të shqiptarëve, pikërisht sepse shqiptarët kanë nevojë për të, do të kenë nevojë edhe në të ardhmen për të. Edhe nëse një brez mund ta zbehë përkohësisht këtë kujtesë, ka mendje dhe energji kombi që ta rikthejë atëherë kur duhet dhe si duhet. Ka një arritje historike që askush nuk e zhbën dot. Me Skënderbeun lidhet fakti i një autoriteti shtetëror të fortë, i një organizimi institucional të fuqishëm, i një diplomacie të suksesshme, i një lidhjeje mes masave dhe prijësve, sado që feudalë (çfarë rëndësie ka kjo? Mos duan që ai të ishte anëtar i bordit të ndonjë OJQ-je?), i rezistencës ndaj një fuqie të madhe pushtuese të kohës. Për mua, këtu, nuk kanë bile fare rëndësi se cilat ishin motivet e rezistencës së tij, tjetër punë ajo, e shohim një herë tjetër, rëndësi ka mbi të gjitha rilindja e një energjie shtetformuese që i mbledh shqiptarët në një përpjekje të institucionalizuar. Kombet formohen në luftë. Nuk ka rëndësi se çfarë lufte. Bile ka kombe që ndonjëherë kanë bërë luftëra të kota, vetëm për t’u kompaktësuar. Lufta për luftë ndonjëherë ka kuptim të madh, lëre më pastaj kur është e legjitimuar si në rastin tonë. Themelet e kombit janë të vrarët në këto luftëra, prijësit e tyre, kujtesa e tyre. Pra, sa herë që shqiptarët të kenë nevojë për të ringritur shtetin e tyre në lartësitë që duhen, në një botë plot rreziqe si kjo jona, ata do t’i kthehen se s’bën figurës së Skënderbeut.

Këtë nuk e vë dot në diskutim asgjë. Tjetër punë fare se nga është prejardhja krahinore e mbiemrit të tij. Historianët mund të diskutojnë pa fund për këtë, bile pa e gjetur kurrë të vërtetën. Ku ka lidhje të hekurt midis mbiemrit të një personazhi a shtetari dhe asaj që ai bën në jetë? Tjetër: Mos e ul gjë një feudal a pronar të shekullit të katërmbëdhjetë a pesëmbëdhjetë, në këtë rast, i ati i Skënderbeut, dëshira për t’i zgjeruar pronat e veta në kushtet e një dobësimi relativ të pushtetit osman? Aspak. Të mos i mendojmë pronat e atëhershme si ndërtimet e sotme pa leje. Mos projektojmë idenë e shtetit ligjor të sotëm mbi mekanizmat e shtimit dhe zgjerimit të pronësisë në Mesjetë. Emrat ortodoksë të vëllezërve a motrave të Skënderbeut, a mos vallë e kundërshtojnë dot faktin se ai e mobilizoi arbrin si arbër në projektin e tij shtetar? Aspak. Shihni emrat e sotëm të fëmijëve sa janë të ardhur nga “perandoritë” e tanishme. Mos nuk janë gjë shqiptarë? Ku ka lidhje mes një emri me prejardhje fetare dhe identitetit etnik të atij që e bart atë emër? Me emrin “Marie” edhe sot gjen franceze, italiane, ruse, shqiptare, e jo më atëherë kur identiteti kombëtar kishte rilevim tjetër, ende në shpërgënj ? Ku hyn kjo këtu? Askund. Gruaja e të atit vinte nga familje me origjina serbe? Edhe nëse kjo do të pranohej si e vërtetë, çfarë ndryshon në veprën e të birit, këtij arbri të madh? Mos meqë cari i Rusisë kishte grua me origjinë gjermanike, vallë kjo e bënte atë të mos ishte rus e të luftonte për Rusinë? Apo Luigji XVI të mos ishte francez? A e dinë logjikën e martesave të fisnikëve në Mesjetë? Vinte nga një familje jo fort e njohur? E pastaj? Pak perandorë e prijës kanë ardhur pothuajse nga hiçi? A nuk ka edhe sot presidentë që vijnë nga “poshtë”? E çfarë ka këtu për të vënë në diskutim fuqinë mobilizuese të Skënderbeut, si ata, mbi prijësit e tjerë shqiptarë? Asgjë. Akti i madh i Skënderbeut si prijës autentik i arbrit është i paluajtshëm. Apo edhe banorët e Krujës nuk ishin arbër? As ata që sot quhen arbëreshë?

Është absurde që ta analizosh një figurë të historisë jo në raport me atë që ai synonte të realizonte në kohën e saj, ndofta edhe në mënyrë kontradiktore, por ta shohësh vetëm të lidhur me realitete paskaqshekullore të ditëve tona, të paparashikueshme në kohën e vet. Kjo, në filozofinë e metodave historike, quhet thjesht absurde, është një ngatërrim i së sotmes me të kaluarën e largët.

Pasi thamë këto, duhet të shtojmë disa elemente analize që janë më se të domosdoshme. Figura e Skënderbeut është dyplanëshe, sikurse çdo figurë tjetër e madhe e historisë. Ashtu ndodh edhe me të gjitha figurat e popujve të tjerë. Nga njëra anë është një figurë e vërtetë e historike, reale, pra, na mbërrin me anët empirike që i njohim dhe nuk i njohim të saj, por, nga ana tjetër, na vjen edhe me një nivel të dytë përfytyrimesh, të idealizuara me të drejtë, pra na vjen në formë mitologjike, si mit. “Mitet - shkruan Zhak Derrida, një nga filozofët më të cituar sot, - mbështeten mbi kode të nivelit të dytë”. Pra, mbi një personazh të vërtetë, ndërtohet një “personazh” i dytë që shndërrohet në mit. Heroi kështu dyzohet, një herë paraqitet si i vërtetë dhe një herë i mitizuar.

Çdo figurë ka shtresën e vet reale dhe shtresën e vet mitike, të cilat shpesh përzihen fort me njëra-tjetrën. Miti mbivendoset te e vërteta dhe e konfiguron këtë të fundit. Kjo është ligjësi e përgjithshme e ndërtimit mitologjik të historisë dhe e funksionimit të kujtesës historike të popujve. Asnjë popull nuk mund t’i shpëtojë kësaj. Përgjithësisht, kujtesa historike kolektive është edhe një riprodhim i historisë edhe një mitologjizim i saj.

Aspekti mitologjik ka të bëjë me idealizimin e një figure, me zmadhimin tejet mbinatyror të aftësive të veta, në pamjet vetëm madhështore, mbinjerëzore të personazhit, atë që antropologë dhe filozofë të shquar perëndimorë si Levi-Stros, Derrida, Bart etj., e kanë quajtur “pamundësi që te miti, figura të shpërbëhet në anët e veta kontradiktore”.

Miti nuk mund të jetë kontradiktor, të gjithë anët e tij plotësojnë njëra-tjetrën në sublimimin e tyre. Figura mitike ndërtohet si një e tërë dhe e idealizuar duke u njehsuar me pamjen që njerëzit e një brezi kanë dashur që ajo të ketë. Në këtë rast, te figura e Skënderbeut, ne nuk nderojmë vetëm atë që ai ka bërë në epokën e tij, por edhe përfytyrimin mitologjik dhe ideologjik që rilindasit shqiptarë, themeluesit e pavarësisë shqiptare në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë e në fillim të shekullit të njëzetë, kishin për të, si e shndërruan atë me mjeshtëri e me të drejtë kujtesën kolektive të Skënderbeut në një emblemë të rindërtimit institucional të kombit shqiptar. Kjo “jetë e dytë”, tashmë me një pamje edhe mitologjike, e figurës madhore të Skënderbeut, është edhe ajo shumë e rëndësishme sepse ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në frymëzimin e shqiptarëve për të ndërtuar dhe pasur shtetin e tyre në një Ballkan të trazuar, si atëherë, ashtu edhe tani.

Ne kemi arsye ta nderojmë dy herë atë. Herën e parë si i gjallë, herën e dytë si kujtesë historike frymëzuese e një epoke që qëndron në themel të kombit, të Rilindjes sonë Kombëtare.

Në të gjitha kombet e mençura dhe moderne, figurat historike i bëjnë njëkohësisht të dyja jetët, pra shpalosen në të dy nivelet e ndërtimit të tyre, pra edhe si realitete madhore, edhe si përfytyrime të idealizuara mitologjike. Respektohen në të dyja nivelet. Nga njëra anë, kërkimet historike gjurmojnë detaje nga të vërtetat e tyre reale, nga ana tjetër, kur kujton veprën e tyre, shoqëria i institucionalizon në format e tyre të sublimuara, për atë që kanë bërë madhore, jashtë hollësirave dhe detajeve që shpesh janë shumë të diskutueshme.

Pra, mitologjia kolektive, si përfytyrim, vazhdon jetën e vet të paprekur në thelbin e vet historik madhor (është e domosdoshme), kurse në anën tjetër, kërkimi historik gjurmon të vërteta historike, intime, trupore, psikologjike, të cilat shpeshherë nuk rezultojnë ashtu sikurse do ta donte pritshmëria kolektive e masave, e përpunuar për një kohë të gjatë. Në këtë rast, kërkimi shkencor historik mund të bjerë në kundërshtim me ndonjë anë të kujtesës së idealizuar mitologjike të opinionit publik, por, megjithatë, nuk e cenon aspak figurën historike në fjalë. Pse një figurë madhore është kthyer në mit, kjo nuk do të thotë aspak që kërkimet racionale historike të mos gjurmojnë anë të ndryshme reale, detaje, aspekte familjare, psikologjike dhe trupore të jetës së tyre.

Po të ndodhte e kundërta, nuk do të kishim më mitologji, por mitomani.

Tjetër është mitologjia dhe tjetër është mitomania.

Në vend të mitologëve dhe etnologëve, do të kishim mitomanët, të cilët, dihet nga psikopatologjia e jetës së përditshme, se ngatërrojnë mitin me realitetin, ëndrrën me të vërtetën, nuk pranojnë që të ballafaqojnë asnjëherë përfytyrimet e tyre me faktet e jetës. Bile, për më tepër, jeta e vërtetë e një njeriu të madh u duket si e pavlefshme përpara përfytyrimeve mitologjike që ata kanë ndërtuar. Në këtë kuptim, janë pikërisht këta, mitomanët, të cilët e dëmtojnë konsolidimin e traditave të mëdha historike.

Një ngjarje dhe një personazh i madh, cilido qoftë ai, në cilëndo shoqëri të sotme, i kthyer në një emblemë kolektive, ka prirjen të idealizohet në të gjitha aspektet e jetës së vet, edhe të atyre anëve që nuk kanë të bëjnë fare me bëmat e tyre të mëdha në histori. Por, historia mund ta thotë lirshëm fjalën për to, përndryshe, në vend të shkencës së historisë do të kishim vetëm mitologji. Në vend të arsyes kritike do të kishim mitomani e besëtytni. Por, mos harroni se jetojmë në një botë të lirë, të arsyes, të teknikës, ku besëtytnitë nuk munden më si dikur t’i mbështesin traditat. Nuk mjafton kjo që qytetari i sotëm i urbanizuar të besojë mitologjikisht sikurse një individ që ka jetuar shekuj më parë.

Ka pasur një figurë emblematike ushtria osmane që ka qenë ajo e një daullexhiu, e një agai të madh, i cili ngrinte peshë zemrat e ushtarëve për luftë. Një figurë mitologjike e përshkruar si e lartësive shumë të mëdha. Por, kur pashë statujën e tij në një nga kopshtijet më të bukura të Stambollit konstatova me dridhma një burrë tmerrësisht të shkurtër në shtat. Fillimisht u trondita. Pastaj u kthjellova. A mos shtati i shkurtër i hiqte agait në fjalë ndonjë fije nga madhështia për të cilën kishte hyrë në mitologji ai burrë i shkurtër? Aspak. Apo duhej që skulptori ta përshkruante e ta ribënte madhështor, si vigan që mes valësh jeniçerësh i binte trumbetës, duke tromaksur armiqtë e kampit përballë? Jo. Nuk do të mundej, sepse tjetër është mitologjia e tjetër historia, skulptura. Po ta bënte atë, skulptori nga artist do të kthehej në një mitoman.

Ka një mitologji të paparë për bëmat e mëdha historike të mbretërve të mëdhenj, ta zëmë të Stjuartëve, të Luigjëve etj. Oborrtarët e tyre paraqiten me ngjyrat më të bukura në mitologjinë kolektive të popujve. Patjetër që kjo ndodh me të drejtë. Ata kanë ndërtuar shtete e kanë gjallëruar kombe. Pa asnjë dyshim. Por, historiani, urbanisti, sikurse e kanë bërë tashmë, kanë të drejtë që përtej bëmave të tyre, përtej legjendës, ngritur me të drejtë, të studiojnë dhe realitetin e personalitetit dhe të jetës së tyre.

Kishin të dashura që ua merrnin të tjerëve.

Laheshin rrallë, higjenikisht me standardet tona, mund t’i konsiderojmë të pisët.

Hanin në shumicën e kohës me duar.

Normalisht vinin edhe një erë arome që për njeriun e sotëm duket e papranueshme, i mësuar me deodorantë dhe me ikjen nga era e djersës.

Rrethuar nga dallkaukë gjysmë të çmendur, thashethemexhinj që spiunonin pa reshtur njëri-tjetrin, çka nuk i shpëton asnjë pushtetar.

Ka dhjetëra libra për sa më sipër. Si të bëjë historiani? Të thotë se një mbret i madh i dikurshëm jetonte si një borgjez i mesëm i sotëm tiranas, i mbyllur mes vilës së tij në periferi, automobilit dhe zyrës së biznesit? Nga historian do të kthehej kështu në mitoman. Po a i ul gjë figurës mbretërore kërkimi historik real mbi të? Asgjë, asnjë fije.

Tjetër është mitologjia, e përsëris, tjetër është historia dhe kërkimi shkencor. Njëra nuk e përjashton tjetrën. Ngatërrimi i të dyjave sjell diktaturën e mitologjisë mbi kërkimin shkencor, pavarësisht se përse bëhet kjo, për një “patriotizëm fals” apo për arsye të tjera personale të ndokujt që kërkon ta mbajë gjallë hyjnizimin e mitologjisë kundër çdo mendimi të lirë shkencor. T’i kthejë faktet reale vetëm në monumente të palëvizshme për jetë të jetëve.

Shihni figurën e Mona Lizës. Bukuri e rrallë, e pashoqe, emblemë mitologjike e hyjnisë njerëzore, para së cilës nuk mund të vendoset asnjë vlerë tjetër. Por, mos harrojmë se ka studime urbanistike dhe historike për atë kohë që dëshmojnë se mikroborgjezet e qyteteve italiane, zonjat e mëdha dhe zonjushat e shtresave popullore, nuk kishin ujë në shtëpitë e tyre. Bile edhe jashtëqitjen e kryenin në disa enë të mëdha (i kam parë nëpër ekspozita) dhe pastaj e nxirrnin ashtu të grumbulluar, duke e derdhur nëpër gropa septike.

Ishin të papastra me standardet tona.

Një kohë të gjatë as burrat dhe as gratë nuk vishnin mbathje. Kjo veshje është e vonshme, në kombe të ndryshme.

Në kohë kolere, bukuroshet e sëmura braktiseshin nga të gjithë dhe ato më me fat mund të përfitonin vetëm nga kujdesjet e të rinjve apo burrave që nuk kishin pasur fat t’i kishin shtënë në dorë, e, duke përfituar nga sëmundja, arrinin tashmë edhe t’u shërbenin, por edhe t’u zotëronin trupin. Lexojeni “Dekameronin”, Bokaçon, dhe do ta shihni.

E pastaj? A e ul kjo vlerën e Mona Lizës si emblema e bukurisë universale njerëzore, si kujtesë artistike e kohës së vet? Aspak.

Po të kthehemi te pyetja juaj, doja t’ju thosha se nuk kam mundur ende ta lexoj librin mbi Skënderbeun për të cilin po flasim. Kam dëgjuar për të, por nuk e kam lexuar. Nuk mund të them gjë. Por, në parim, një historian ka të drejtë të ndjekë kërkimet e tij arkivore dhe të paraqesë gjithçka që ai zbulon atje. Kjo nuk ka lidhje fare me figurën madhore të Skënderbeut. Tjetër është bëma e tij e madhe, tjetër është arsyeja e shndërrimit të tij në një emblemë mitologjike të kombit, vend që e ka fituar me meritë, dhe krejt tjetër janë kërkimet historike, të lira që duhen bërë për të.

Tjetër është mitologjia dhe tjetër është historia.

Si?

Ta bllokojmë kërkimin shkencor historik, sepse kemi atë mitologjik apo të lejojmë vetëm atë kërkim historik që është në përputhje vetëm me imagjinatën tonë mitologjike?

Mirëserdhe censurë!

Apo kërkimeve shkencore empirike të të huajve t’u përgjigjemi me përfytyrimet tona mitologjike?

Mos na çoni në rrugë të gabuar, pra te kthimi i mitologjisë në mitomani!

Thonë që Zhan D’Arka nuk dëgjonte në fakt fjalët dhe pëshpëritjet e Zotit që e bënë të ngrihej në luftë e të drejtonte energjitë e të vetëve, por kishte thjesht halucinacione personale që i vinin nga një gjendje e ngritur emocionale para fateve të popullit të vet. Janë psikologët e sotëm që e shprehin këtë. E pastaj? Kjo nuk ndryshon asgjë.

Nëse te Skënderbeu paska vluar edhe ndjenja e hakmarrjes për babanë e vëllezërit e tij, çfarë del këtej? Asgjë që mund ta ulë figurën e tij. Përse shqetësohen? Ku ka pushtetar të madh në histori që nuk i shoqëron bëmat e veta edhe me gjendje psikologjike e konjitive të gjalla e shpesh të acaruara? Lexojeni Frojdin dhe do ta kuptoni. Pa përmasën personale psikologjike askush nuk hidhet dot në një veprimtari krijuese në politikë. Niçja thotë bile se karakterizimet si hakmarrës, i dhunshëm, dinak, nuk kanë fare kuptim për personazhet që marrin pjesë në betejat e mëdha mes kombeve. Ashtu duket dikush i parë nga kundërshtarët e tij, por kjo nuk do të thotë se ashtu është vërtet. Varet kush e ka redaktuar dokumentin, kush është dëshmitari që jep dëshminë. A kemi besim te dëshmitari për dëshminë e dhënë? Për armiqtë mund të duket dinak, ai që për të vetët duket si i zgjuar. Jo? Imagjinoni sikur pas nja pesëqind vjetësh politikanët shqiptarë të sotëm të paraqiten nën këndvështrimin e kundërshtarëve të tyre të sotëm! Brezat e asaj kohe do të na paraqisnin si kanibalë.

Nuk ka fuqi asnjë libër e asnjë bibliotekë librash ta zhbëjë një mit, nëse ai është i vendosur në mënyrë koherente në kujtesën kolektive të kombit, nëse vetë miti ka ende jetë për të bërë, nëse vetë miti është ende i dobishëm. Një mit mund të vdesë vetiu, por jo nga kërkimet historike. Miti nuk ka autor kur lind, për rrjedhojë, asnjë autor nuk mund ta zhbëjë.

Ne kemi nevojë për të dyja: edhe për mitologjinë e mbështetur në një bazë reale, edhe për kërkimet historike që na zbulojnë pamje të reja të jetës së kaluar, pavarësisht që, domosdoshmërisht, rezultatet e këtyre kërkimeve nuk mund as ta zhbëjnë, por edhe as ta verifikojnë tërësisht përfytyrimin mitologjik, i cili është, sikurse thamë, i sublimuar, pa asnjë kontradiktë, i paraqitur sikur ne vetë do të donim të ishte.

Njeriu për iluzion i kërkon heronjtë të jenë si vetja e tij, i kërkon t’u binden të njëjtave vlera e tradita, mënyra jetese, gjendjesh psikologjike, si të njeriut të sotëm. Kjo quhet kalim nga mitologjia në mitomani. Kjo është ta marrësh ëndërrimin për realitet, e të mos pranosh të bësh analiza racionale empirike mbi të shkuarën dhe të sotmen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›