SBASHK: Nuk nënshkruajmë pagat pa rritje

Në mbledhjen e kryesisë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është analizuar detajisht situata e krijuar, pas shtyrjes së afatit të dhënies së pagave me rritje prej 50 për qind për punëtorët e arsimit parauniversitar, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të 6 janarit.
Përmes një komunikate për media, SBASHK thekson se në bazë të marrëveshjes së datës 1 shkurt të këtij viti me kryeministrin e Kosovës, janë dakorduar se shuma e paguar në bazë të pagës së vjetër është paradhënie deri në nxjerrjen e Ligjit për Buxhetin e vitit 2011 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Në këto ditë janë lëshuar listat e pagave me shumën e vjetër ,dhe sipas marrëveshjes së mëparshme, edhe kjo është paradhënie dhe listat nuk nënshkruhen nga punëtorët e arsimit parauniversitar. Listat e sjella në shkollë kanë për qëllim për të parë saktësinë e mjeteve ose gabimet eventuale që kanë rënë në xhirollogaritë e tyre. Do të nënshkruhen vetëm listat me rritje pagash në vlerë 50 për qind”, thuhet në komunikatë.
Në këtë rast, SBASHK-u i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta miratojë dhe ta nxjerrë Ligjin për Buxhet, ndërkaq parlamentarëve që urgjentisht ta miratojnë Ligjin për Buxhet të vitit 2011.
“Në të kundërtën, SBASHK-u heq përgjegjësinë për situatën që do të eskalojë në mbrojtje të vendimit për rritjen e pagave që ka marrë Qeveria më 6 janar të këtij viti”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.