E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me pasion dhe dashuri, një jetë për folklorin

Autori i Lajmit: red.
Mjeshtër i talentuar që me pasion dhe dashurinë e rrallë iu përkushtua hulumtimit, mbledhjes, studimit dhe transmetimit tek brezat e artistëve, të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës, Malësisë së Gjakovës, si pjesë e thesarit të vyer të vlerave kombëtare ishte motivacioni që bëri edhe vlerësimin e rapsodit të madh Ali Mula. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar dje me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" rapsodin Ali Mula. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga këshilltari juridik, Artur Metani, presidenti Topi i dorëzoi Mulës dekoratën duke i shprehur njëkohësisht urimet dhe konsiderata të përzemërta. Nga ana e tij, Mula falënderoi Presidentin e Republikës për nderin dhe respektin e lartë që i bëri punës së tij shumëvjeçare dhe u shpreh: "Më lejoni, zoti President i Shqipërisë, fjalët e para nuk i thotë goja ime sot, por i thotë zemra! Ju falënderoj deri në qiell! Ky nderim i madh që më bëni ju sot, nuk është vetëm imi, është i gjithë miqve dhe shokëve të mi artistë, me të cilët bashkëpunova në jetë edhe mendoj se do të vazhdoj edhe pak. Ky nderim i përket popullit të Tropojës. Unë me këtë rast falënderoj të gjitha organizmat, që më vlerësuan duke filluar nga Shoqata e Intelektualëve të Tropojës, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike të Shqipërisë, Unioni Artistik Kombëtar, veçanërisht gjithë shokët e miqtë e mi të Tropojës, me të cilët bashkëjetova për një periudhë 70-vjeçare! Një urim të veçantë i bëj të madhit dhe të voglit të Tropojës, të atij populli, që hapi dyert e tij me bujari, të shtëpive dhe të staneve e të bjeshkëve ku unë mblodha nektarin e kulturës së popullit të Tropojës. Edhe ata pa ndrojtje, ma dhanë edhe unë gjithashtu e dorëzova në duart e vëllezërve të muzikës shqiptare, të cilët me kujdes të madh e bënë të njohur në Evropë edhe në botë artin tropojan. Tropoja është një pemë e vogël, por ka superprodhim dhe unë mendoj që frute aq të mira, kurrë nuk i gjen gjë atje. Është kënaqësi e nder i madh, që unë jam bir Tropoje. Urimin e fundit e zgjedh të mirë: ju uroj Ju, zoti President, që derisa ta bashkoni Shqipërinë me Evropën, të jeni Ju dhe rroftë populli shqiptar trim, bujar e besnik"! Në ceremoninë e dekorimit të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave ishin të pranishëm familjarë të rapsodit, deputetë, personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare, figura të shquara nga Tropoja si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Në përfundim të kësaj ceremonie, ansambli "Dardania" i Tropojës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve dhanë një shfaqje artistike të një repertori folkloristik të përzgjedhur, kryesisht krijimtari të rapsodit Ali Mula.

Ky lajm është publikuar: 13/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›