E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me perçe drejtë presidencës

Kenza Drider të enjten shpalli kandidaturen e saj për presidente të Francës. Në dukje të parë, asgjë e jashtëzakonshme. Por, Dider është e mbuluar me perçe, pikërisht në Francë, shtet ky i cili ka ndaluar me ligj bartjen e perçes nga femrat myslimane në qytetet franceze. Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 17:12

Posterët e Kenza Driderit për garën presidenciale në Francë janë të gatshëm, disa muaj para fillimit zyrtar të fushatës. Ja ku është, “kandidatja e lirisë”, e fotografuar duke qëndruar para një rreshti të policëve-me perçen e ndaluar që mbulon fytyrën e saj.

Drider kumtoi kandidaturën e saj të shumëpritur të enjten, të njëjtën ditë kur gjykata franceze gjobiti dy femra, të cilat refuzuan që të largojnë mbulesat e tyre. Që të tria janë në mesin e një grupi të femrave, të cilat kanë sulmuar ligjin e miratuar në prill, i cili ndalon mbulesën e plotë në rrugët e qyteteve franceze, duke nxitur ndërmarrjen e hapave të ngjashëm edhe në shtetet tjera në Evropë.

Ato dëshirojnë të dëshmojnë se ndalesa bie ndesh me të drejtat thelbësore dhe se femrat, të cilat mbulojnë fytyrat e tyre, janë simbol i lirisë, e jo i nënshtrimit.

“Kur një femër dëshiron të ruaj lirinë e saj, ajo duhet të jetë e vendosur”, thotë Drider.
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, nuk pajtohet me këtë qëndrim dhe thekson se mbulesa burgos femrat. Anketat dëshmojnë se pjesa më e madhe e francezëve mbështesin ndalesën, e cila sipas autoriteteve ka pasur ndikim te rreth 2 mijë femra, të cilat kanë bartur perçe para ndalesës.

Drider kumtoi kandidaturën e saj të enjten në Meaux, qytetin në lindje të Parisit, i cili drejtohet nga ligjvënësi konservator dhe aleati i Sarkozysë, Jean-Francois Cope, i cili gjithashtu është angazhuar për ndalimin e mbulesës.

“Kam ambicie që t’i shërbejë të gjitha femrave, të cilat sot janë objekt i stigmatizimit apo i diskriminimit social, ekonomik apo politik. Është me rëndësi të tregojmë se jemi këtu, se jemi qytetare franceze dhe se edhe ne mund të gjejmë zgjidhje për qytetarët francezë”, thotë Drider.

Dy femrat tjera, të cilat u arrestuan për shkak të bartjes se perçes në Meaux, u gjobitën më 120 euro njëra dhe 180 euro tjetra.

Ato dëshirojnë që rastin e tyre ta dërgojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.
“Nuk mund të pranojmë që femrat të dënohen, për shkak se praktikojnë haptazi bindjet e tyre religjioze. Ne kërkojmë zbatimin e të drejtave evropiane”, theksoi Hind Ahmas, një prej femrave të dënuara.

Me islamin si religjionin e dytë më të madh në Francë dhe me rritjen e numrit të besimtarëve, ekzistojnë brengat se femrat e mbuluara mund të komprometojnë themelet sekulare të Francës dhe të minojnë barazinë gjinore dhe dinjitetin e femrave. Gjithashtu ekzistojnë brengat se praktikat, si mbulimi i plotë, mund të hapin derën për një formë radikale të islamit.

Ligjvënësit ndaluan në vitin 2004 bartjen e shamive nëpër shkolla.

Është i vogël numri i femrave myslimane në Francë, të cilat mbulojnë fytyrat e tyre. Shumica e atyre, të cilat mbulojnë vetën, veshin perçe, e cila ndërlidhet me shaminë dhe mbulon të gjitha pjesët e trupit, përveç syve.

Edhe Belgjika në korrik miratoi një ndalesë të ngjashme të mbulimit, ndërsa Holanda gjithashtu kumtoi se ka hartuar ligjin, për të shpall të paligjshëm mbulimin e fytyrës. Një projekt-ligj i ngjashëm është miratuar edhe nëItali.

Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme të Francës, 146 femra janë qortuar deri me tani nga policia, por shumë pak prej tyre janë dërguar deri me tani në gjykatë.
“Jam përpjekur të kuptoj këtë ligj dhe kam kuptuar se ky ligj na vendos nën arrest shtëpiak”, theksoi Drider, duke ju referuar femrave, të cilat kanë vendosur që të qëndrojnë në shtëpi dhe që mos të heqin mbulesën.

Ajo që ka bërë ligji, thekson ajo, është që t’iu jap qytetarëve të drejtën që të fyejnë femrat e mbuluara.

Drider, 32 vjet, e cila ka filluar të bartë perçen para 13 viteve, nuk ka ngurruar që të kritikojë ndalesën edhe në të kaluarën. Ajo ishte femra e vetme e mbuluar, e cila ka dëshmuar para Komisionit të ligjvënësve për informim, të cilët kanë studiuar ndalimin potencial, para miratimit të ligjit.

Këto femra, përderisa synojnë të nënvizojnë fuqinë prapa mbulesës së tyre, kanë edhe një mbështetës mashkull. Rachid Neekaz, një biznesmen i pasur, i cili është revoltuar për shkak të ndalesës, ka premtuar se do të paguaj gjobat e femrave, të cilat janë sanksionuar për shkak të shkeljes së ligjit. Ai gjithashtu kryeson komitetin përkrahës të Driderit për presidente.

Megjithatë, Drider duhet të tejkaloi edhe disa pengesa, siç është sigurimi i mbështetjes së 500 prefektëve për presidencën e saj, kusht për të gjithë ata që kandidojnë për president në Francë. Me gjithsej 36.000 prefektë në Francë, ajo beson se mund ta bëjë këtë, përkundër statusit të saj si shkelëse e ligjit.

“Kandidatura ime ka për synim që të qartësojë se problemi i vërtetë në Francë nuk jemi ne. Problemi në Francë është liria e femrave, pa marrë parasysh religjionin e tyre. Pra mos të përqendrohemi në atë se çfarë veshi. Le të përballemi me problemet e vërteta”, nënvizon Drider.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›