E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli i përqendruar t’i sjellë njohje Kosovës

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 17:11

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë në një intervistë për Kosovapress se kah fundi i këtij viti do të zhvillojë një turne nëpër vendet e Azisë Juglindore me qëllim të lobimit për shtimin e numrit të njohjeve të reja për Kosovën.

Ai thotë se shumica e njohjeve të fundit që kanë ardhur janë rezultat i lobimit të tij të fundit nëpër vendet afrikane, ndërsa tash synon që një gjë të tillë ta bëjë edhe nëpër vendet tjera, ku nuk ka pasur lobim.

Pacolli situatën e krijuar në veri të Kosovës e sheh si rezultat të lënies pas dore të kësaj pjese të vendit që pas përfundimit të luftës, por që sipas tij zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet me mjete paqësore.

Numri dy i Ekzekutivit përjashton mundësinë e prishjes së koalicionit qeverisës, pas kërcënimeve të Partisë së Drejtësisë se mund të braktisë koalicionin për shkak të mos lejimit të bartjes së shamisë nëpër shkolla, duke thënë se nuk ka përçarje në Qeveri.

Kosovapress: Ju si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës jeni duke lobuar për njohjen e Kosovës në shumë vende të botës. Cilat janë aktivitetet tuaja të fundit në këtë drejtim?
Pacolli: Unë jam i përqendruar t’i sjellë Kosovës sa më shumë njohje dhe sa më shumë miq, dhe mund të them se e kam kryer me sukses. Këtë e them duke u nisur nga fakti se Kosovës nga Nju Jorku i kanë ardhur njohje të reja dhe shumë premtime tjera për njohje të shpejta, si rezultat i dy turneve që kisha në dy muajt e fundit në Afrikën e Largët. Sot fillova takimet e mia në nivelin e presidentëve të shteteve të Azisë. Kisha një takim shumë të mirë me presidentin e Shri Lankës, kryeministrin e Bangladeshit dhe nesër do t’i vazhdoj takimet me përfaqësuesit më të lartë të Pakistanit. Do të kem një takim edhe me kryeministrin e Tajlandës dhe jam duke përgatitur një turne tjetër që do të zhvillohet para Vitit të Ri në Azi, pasi atje kemi shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat shtrihen sidomos në Azinë juglindore, duke filluar nga Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Mjanmari, India, Pakistani dhe një mori shtetesh që askush ende nuk i ka vizituar dhe unë besoj se do të sjellë rezultate për Kosovën.

Kosovapress: Si e vlerësoni situatën e tanishme në Mitrovicë?
Pacolli: Situata është e tensionuar. Siç e dini, veriu është lënë pas dore për më shumë se 11 vjet dhe atje, pos forcave destruktive të fqinjit tanë verior, kanë vepruar edhe qarqe kriminale serbe në përgjithësi. Kjo qetësi që kanë pasur për 11 vjet këtyre iu është prishur, pasi që tash kemi doganierët dhe policët tanë në veri dhe kjo nuk iu konvenon. Ne me dinjitet dhe urtësi duhet ta tejkalojmë këtë pa dhunë, për arsye se opsioni i dhunës ka kaluar dhe dita-ditës edhe bashkësia ndërkombëtare është në anën tonë, pasi e di se nuk ka opsion të ndarjes dhe nuk do të lihet pas dore asnjë metër e territorit të Kosovës.

Kosovapress: A ka rrezik të prishet koalicioni qeveritar, pas kërcënimit të Partisë së Drejtësisë që të dalë nga koalicioni për shkak të mos futjes së edukatës fetare nëpër shkolla dhe mos lejimit të bartjes së shamisë?
Pacolli: Qeveria është shumë kompakte. Unë jam i habitur kur shoh edhe në media, edhe kur dëgjoj thashetheme se ka përçarje në koalicion. Mendimi i një ose tjetrit deputet është e drejtë e tij për ta shprehur atë që mendon, por është shumica në Parlament, e cila vendos. Nuk besoj se është një radikalizëm siç e quajnë. Ka qenë një gabim në qeverinë e kaluar, i cili është bërë me një udhëzim administrativ për ndalimin e shamisë, edhe pse në atë kohë nuk ka pasur raste në Kosovë. Kanë qenë një ose dy raste ku dy vajza kanë shkuar me shami në shkollë. Tani kërkesat janë të drejtuara që të hiqet ky udhëzim administrativ. Unë dua t’i them komunitetit mysliman, i cili nuk është për t’u nënçmuar, ku ndoshta janë 90 për qind e popullatës kosovare, që të jenë të qetë dhe duhet kohë që ky problem të zgjidhet, pak-a-shumë, me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Jam shumë i bindur se myslimanizmi në Kosovë është i moderuar dhe nuk ka rrezik për shtet-bërjen, gjegjësisht rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, ku janë të radhitura shoqëritë e civilizuara.

Kosovapress: Ngritja e vetëdijes nënkupton se duhet lejuar shamia, apo që ata që kërkojnë lejimin e shamisë të kuptojnë që të mos kërkojnë diçka që nuk përkon me traditën e Lindjes së Mesme?
Pacolli: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që pas këtyre kërkesave të mos qëndrojë ndonjë organizatë radikale. Në Kosovë nuk ka tendenca të tilla. Nëse flasim për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, ju vetë jetoni në Nju Jork dhe e shihni a ndalohet shamia, apo mësimi fetar nëpër shkolla është evident se është i liruar si në të gjitha vendet e civilizuara evropiane. Jemi shtet në ndërtim e sipër dhe si shoqëri ende nuk jemi konsoliduar në tërësi dhe ekziston një dozë frike se dikush mund të qëndrojë prapa kësaj. Unë besoj se Kosova, herët apo vonë, do të jetë një vend ku çdokush do të shprehet në mënyrë të drejtë, nuk do të ketë diskriminim në bartjen e shamisë. Edhe vetë e dini se qytetarët nuk janë të flaktë që të bartin shamia dhe kjo punë do të zgjidhet vetvetiu. U bëj thirrje të dyja palëve: kundërshtarëve të kësaj ideje që të mos ofendojnë, pasi që ka pasur disa zëra ofendues nga Parlamenti i Kosovës drejt komunitetit mysliman të Kosovës dhe ata duhet të tregohen të matur. Edhe komuniteti mysliman nuk duhet të ngutet. Problemi do të zgjidhet me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe konsolidimin e shoqërisë sonë. Personalisht jam i bindur se askush nuk qëndron prapa kësaj, por është vetëm një inat që ka lindur, pasi duhet ndërtuar një xhami në Prishtinë për nevojat e besimtarëve myslimanë. Qeveria do të funksionojë edhe katër vjet, prandaj jam i bindur se edhe ky problem do të zgjidhet në mënyrë shumë pozitive. Kur e them këtë, dua të falënderoj komunitetin mysliman në Kosovë që është shumë i moderuar, dhe nëse diku nuk ka ekstremizëm, sigurisht mund të themi se në Kosovë nuk ka kurrfarë ekstremizmi fetar.

Kosovapress: Kthehemi te njohjet. A ka ndonjë lajm të mirë që nuk e dimë sa i përket njohjeve?
Pacolli: Numri i njohjeve ka arritur në 84. Unë jam në kontakt intensiv me presidentin e Afrikës Jugore, zotin Zuma, i cili zyrtarisht para dy ditëve ka premtuar se Kosovës do t’i vijnë edhe 14 njohje tjera nga shtete që janë ekonomikisht të ndërlidhura mes vete dhe aty do të ketë rezultate të shumëfishta. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›