E Diel, 1 Nëntor 2026

Me qëndrimin anti-Evropë, Edi Rama po shkurton ditët e qëndrimit në politikë

01-03-2012 / Gazeta 55

Politika e bllokimit që kreu i PS-së po ndjek, sa herë në Bruksel duhet të flitet për Shqipërinë është një sjellje që do t’i nënshtrohet verdiktit të zgjedhësve shqiptarë. Kryeministri Sali Berisha ka garantuar vazhdimin e axhendës evropiane, me miratimin e nismave ligjore, por edhe me heqjen e imunitetit të politikanëve, nëse kësaj nisme do t’i bashkohet edhe opozita


Kryeministri Sali Berisha akuzoi lidershipin e Partisë Socialiste, se po pengon integrimin e vendit, duke bllokuar votimin e reformave të rëndësishme këtë proces. Për kreun e ekzekutivit, mazhoranca është e vendosur për të plotësuar çdo kërkesë të ardhur nga faktori ndërkombëtar, ashtu sikurse do të vijojë një luftë e ashpër ndaj korrupsionit. Në këtë drejtim, Berisha shprehu gatishmërinë e mazhorancës për heqjen e imunitetit, përmes dy modeleve, me ligjet organike siç rekomandon Komisioni i Venecias, ose dhe me ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet siç kërkon opozita. Për kryeministrin, është me rëndësi që zyrtarët shqiptarë, deputetë, gjykatës apo çfarë do që të jenë të mos kenë imunitet. “Ne nuk duhet të reshtim asnjëherë për të avancuar axhendën tonë në interesin më të mirë të vendit dhe në interesin më të mirë të procesit të integrimit. Vërtetë kryetari i PS, i cili zgjodhi kohën dhe momentin për tu vërsulur egërsisht edhe njëherë, në traditën e një trashëgimie, të papajtueshme me integrimin, javën që shqyrtohej ecuria e reformave, shpalli bllokimin për reformën zgjedhore, në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë qoftë edhe një amendament të vetëm, që ishte hedhur poshtë; shpalli bllokimin e reformës të rregullores së parlamentit, në një kohë që kishte paraqitur të gjithë kërkesat që i kishte rrëzuar vetë në marrëveshjen e firmosur në parlament për rregulloren. Shpalli bllokimin e Kodit dje, pasi kërkoi vendosjen e një neni të dënimit kolektiv, i cili nuk ekziston në asnjë Kod në planet sot. Përdor si mercenarë deputetë të tij, të cilët shihen me përçmim nga kolegët socialistë për nismat  e tyre absurde të neneve të dënimit kolektiv. Natyrisht këto nuk janë ato që partnerët tanë presin nga Shqipëria, por qëndrimi ynë është që ne do të vazhdojmë pandërprerë reformat në të gjithë fushat, ku Edi Rama nuk mund të bllokojë. Nuk e bllokon dot procesin e transparencës. Mund të bllokojë heqjen e imunitetit, ndonëse dua të informoj shqiptarët se marrëveshja për heqjen e imuniteteve në Shqipëri është firmosur nga qeveria socialiste në vitin 2004. Por mëkatarët kanë frikë të heqin imunitetet. Ka frikë të heqë imunitetin, vetëm ai që ka frikë nga vetja e tij. Ai kërkon mburojë. Këtë betejë ne do ta vazhdojmë, pra ne do të vazhdojmë reformat, do të vazhdojmë përpjekjet për të arritur standardet në të gjithë fushat”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi sërish liderin e opozitës Edi Rama se po bllokon reformat në vend duke bllokuar kështu edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Sipas kryeministrit, Rama i thuri elozhe Serbisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa nga ana tjetër në Parlament sjell propozime absurde, gjë të cilën s’e kanë bërë as elementët më fondamentalistë apo më ekstremistë. Kryeministri theksoi se përmes bllokimit të integrimit, Rama po i shkurton vetes ditët në politikë dhe kjo do të ndodhë jo më larg se qershori i vitit të ardhshëm. “Natyrisht, aty ku zoti Rama i thur himne Serbisë se e mori dhe se mori Shqipëria sepse zoti Rama bllokon vetë, ne, këtë çështje do jua lëmë shqiptarëve ta zgjidhin. Siç i dhanë një përgjigje ne 8 maj, do ti japin edhe në qershor të vitit të ardhshëm dhe do të ndahen njëherë e përgjithmonë nga kultura e bllokimit të bllokmenëve të rinj, ose antikultura. Ai mendon se shqiptarëve mund tu thotë ç’të dojë, njësoj si etërit e tij. Ai mund tu thotë shqiptarëve se ‘dita është natë’ dhe ‘nata është ditë’. Edhe pse dalin dy, tre  elemente që sjellin në parlament amendamentet e turpit, të dënimit kolektiv, kujton se ai është realiteti shqiptar. Në të vërtetë, realiteti shqiptar është krejt tjetër. Ka gjetur një moment për të përdorur ligjet dhe vendimet me tre të pestat për të bllokuar, në parlament. Por absolutisht, në çdo ditë që kalon, kohërat e tij në politikë shkurtohen dhe ai po përgatit disfatën më të thellë, që ka njohur njeri, gjatë 22 viteve të fundit. Është e paimagjinueshme që të ngrihet njeriu, në prag të javës së vendimeve dhe të shpallë se u bllokuan të gjitha ato, që në një farë mënyre po ecnin. Por ai doli ashtu siç është, jo në atë foto, por në shpirt. E panë shqiptarët edhe njëherë, siç e panë në prag të liberalizimit të vizave, siç e panë dy herë për statusin, e panë dhe këtë javë, kur nuk ishte se Shqipëria do të  vendosej për të marrë statusin, por Shqipëria do të vlerësohej për hapat seriozë që bëri, por për zotin Rama, Shqipëria nuk duhej të vlerësohej sepse vlerësimi i Shqipërisë është rrënimi sipas tij, i karrierës së tij politike. Sepse ai, në konceptet e tij, si pinjoll i bllokut, karrierën mund ta ndërtojë ose mbi fatkeqësitë natyrore, ose mbi bllokimin, karrierë tjetër  ai nuk mund te ketë. Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë reformat me përkushtim të madh, ndaj dhe çdo detyrim që rrjedh nga obligimet  e kërkesave të KE dhe që janë në tagrin e ministrive dhe agjencive do të kenë përparësi absolute dhe jo vetëm ato të 12-ta. Gjithçka tjetër që është përcaktuar dhe përshkruar si kërkesë në raport, ne nuk do të lëmë përpjekje pa bërë për ta realizuar, edhe pse një njeri del dhe këndon se bllokova vendin tim, duke sjellë në parlament amendamente që nuk i kanë sjellë as edhe elementët me fondamentaliste, më ekstremistë në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër në botë”, theksoi më tej kryeministri Berisha. Ndërkaq, Kryeministri shtoi gjithashtu se qeveria do të vazhdojë më tej me reformat dhe me përpjekjet për të vijuar me standardet. Berisha deklaroi se reformat për luftën ndaj korrupsionit për këtë qeveri janë të pandalshme ndërsa shtoi se ridimensionimi i proceseve dixhitale mbetet një prioritet për universitetet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›