E Diel, 1 Nëntor 2026

"Me shpatë në dorë", në Muzeun Kombëtar...

08/04/2005  Fatmir Haxhiu

Familja e piktorit Fatmir Haxhiu i ka dhuruar Muzeut Kombëtar, një riprodhim të tablosë "Me shpatë në dorë", vepër që trajton figurën e Skënderbeut, në kuadër të aktiviteteve për 600 vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar

Edhe njëherë daullet e festës për nder të 600 vjetorit të lindjes të Skënderbeut "ushtuan", nga godina e Muzeut Historik Kombëtar. Moikom Zeqo, drejtori i institucionit kishte organizuar sërish një ceremoni, në të cilën familja e piktorit Fatmir Haxhiu, që është ndarë nga jeta 4 vite më parë, dhuroi një riprodhim të tablosë së njohur të tij "Me shpatë në dorë", duke u ekspozuar kështu edhe në ambientet e Muzeut. Në fjalën përshëndetëse, Zeqo (një nga të paktët që i ka dhënë rëndësinë e duhur këtij viti jubilar), falenderoi publikisht familjen Haxhiu, për dhuratën ndaj Muzeut Historik Kombëtar, duke i akorduar edhe një falenderim zyrtar në emër të institucionit.

Ky falenderim iu dorwzua Bazile Haxhiut, gruaja e të ndjerit Fatmir Haxhiu. Në përshëndetjen e saj, Arjana Haxhiu, vajza e piktorit, pasi falenderoi dhe shprehu mirënjohjen e saj, theksoi se kjo ceremoni është një homazh dhe nderim për veprën e Fatmir Haxhiut. Tabloja e kompozuar në vitet '70, u vendos, fillimisht, në Sallën e pritjes në Kryeministri, një tablo e përmasave të mëdha, 550 x 450 cm. Ndërsa piktori u nderua me Çmimin e Republikës së shkallës së tretë për veprën e tij "Me shpatë në dorë". Haxhiu ka qenë, një ndër piktorët që ka trajtuar gjerësisht tablonë kompozicionale të karakterit historik. "Në rrugën time krijuese më kanë shtyrë gjithmonë drejt tablosë kompozicionale jo vetëm mundësitë e mëdha shprehëse, sepse këto mundësi i kanë edhe gjinitë e tjera, por dëshira dhe pasioni që kam pasur dhe vazhdoj të kem për temën historike... Megjithatë për të realizuar vepra të këtij karakteri, nuk mjafton vetëm kjo, kërkohet mjaft mund e djersë, sepse, siç e dimë, tabloja historike nuk ka për mision vetëm të pasqyroje me vërtetësi faktin historik, por të evokoje deri në ditët tona...", ka thënë vite më parë Fatmir Haxhiu, i cili me një modesti shëmbullore do të jepte një leksion mbi vlerësimin e veprës së artit, duke thënë se "... çështja e vlerësimit, nuk i takon autorit, por i takon të tjerëve. Tablonë për sa kohë e kam në dorë, është e imja, por kur kjo i jepet publikut të gjerë, atëhere duhet ta vlerësojnë të tjerët. Do të isha shume i lumtur dhe i qete nëse ndonjë nga veprat e mia do të ketë fatin qe të mbijetojë, që të ndjej se kam lënë edhe unë një gur të vogël, në themel të artit shqiptar". Riprodhimi i tablosë "Me shpatë në dorë", dhuruar Muzeut Kombëtar, natyrisht që është në përmasa shumë më të vogla dhe është realizuar me porosi të familjes, nga një piktor spanjoll, me ndërmjetësinë e djalit të piktorit që jeton prej vitesh në Spanjë.

Tabloja origjinale, në "radhë" për restaurim

Tabloja "Me shpatë në dorë" (që për më tepër është një vepër që i përket Kryeministrisë), është një ndër veprat e shumta që presin në radhë për restaurim, pranë Galerisë Kombëtare. Pavarësisht nga predispozicioni i këtij institucioni, vepra në fjalë, por edhe vepra të tjera, janë jashtë mundësive të restaurimit. "Vepra në fjalë është një shqetësim për ne, shqetësim të cilin e kemi diskutuar edhe me familjen e autorit. Realisht restaurimi i veprës është jashtë mundësive tona, pasi është e përmasave shumë të mëdha dhe dëmtimet e pësuara kërkojnë një shumë të madhe, që Galeria për fat të keq nuk e disponon", pohon për "Metropol", Abaz Hado, drejtor i Galerisë Kombëatre. Aspekti financiar është një ndër më shqetësuesit, jo vetëm për këtë vepër, por edhe për shumë të tjera. Ndërkohë, Hado shpreh bindjen se restaurimi do ta përmirësonte së tepwrmi gjendjen e veprës, e cila nuk rrezikon degradim të mëtejshëm, nëse vazhdon të mbahet në gjendjen e konservimit, pasi çdo kontakt me ambientin do të ishte me pasoja katastrofike. "Ne kemi planifikuar për të ndërhyrë në një sërë veprash të Fatmir Haxhiut, të cilat janë hequr nga telajot për arsye politike, apo të dëmtura nga koha, për të krijuar një bllok me veprat e tij, sikundër kemi vepruar edhe me piktorë të tjerë", thekson Hado, duke shtuar se, ndoshta edhe për këtë vepër të Fatmir Haxhiut, mund të ndiqet e njëjta taktikë, siç u veprua edhe me "Motrën Tone".

Arjana Haxhiu: Babai im i lidhur ngushtë me figurën e Skënderbeut

Vajza e piktorit Arjana Haxhiu, tha për "Metropol" se babai i saj ka qenë i lidhur ngushtë me figurën e Skënderbeut dhe me Rilindjen, ku ndër kompozimet më të rëndësishme për figurën e Heroit Kombëtar përmend "Me shpatë në dorë", "Beteja e Albulenës", "Beteja e Torviollit" etj. "Meqënëse ky vit është shpallur Viti i Skënderbeut, ne menduam që riprodhimin e veprës origjinale, që është pronë e Kryeministrisë, por për arsye të dëmtimeve, sot ndodhet në Galerinë Kombëtare për restaurim, t'ia dhurojmë Muzeut në mënyrë që ajo të mbetet. Vëllai im që jeton në Spanjë mundësoi këtë riprodhim. Historia nuk fillon nga zero. Diçka që krijohet e ka zanafillën diku më parë. Për të ruajtur këto vlera, menduam se edhe kjo vepër duhet të ishte këtu. Babai, për fat të keq u nda nga jeta në kohën që përgatiste bocetet për "Betejën e Fushw-Kosovës", e zhvilluar në vitin 1316. Ai lëvroi për një kohë të gjatë, ku shkoi në Obilisht, u takua me të moshuar, por paralelisht u interesua për etnografinë, me historinë etj., për të konceptuar këtë vepër, të cilën do t'ia dhuronte Muzeut Historik Kombëtar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›