E Diel, 1 Nëntor 2026

Portugalia dhe Kroacia, bujtësit e Poetekës

08/04/2005  Nuk i është dashur të mendohet gjatë, por duke parë tërheqjen jo të zakontë drejt “Poetekës”, Arjan Leka pa hezitim vendosi që pas 13 edicionesh ta shndërrojë në Festivalin e parë ndërkombëtar të Poezisë në Shqipëri. Në qytetin e Durrësit, në mënyrë ca romantike, më 27 prill-2 maj, poetë e shkrimtarë nga Shqipëria do të thyejnë mitet, për të vendosur përballë poezisë, publikun. Ndërsa për herë të parë me auditorin shqiptar, për këtë vit, do të jenë poetë të ftuar nga Portugalia dhe Kroacia.

Ka tetë muaj që ka nisur poeteka dhe shumë shpejt në konkluzionin e një festivali poetik. ǒju nxiti drejt ngritjes së një eventi të tillë?

Ndjeshmëria nuk ka qenë vetëm nga unë, por ka qenë skema e Poetekës, në 13 edicionet e saj, për tetë muaj, që ka çuar te domosdoshmëria e pasjes së një festivali dhe përfaqësimit poetik të Shqipërsië përmes një forme të organizuar. Edicionet e Poetekës na dhanë përvojën se si mund të organizohet një aktivitet i një përmase më të madhe, ku gjetëm gatishmërinë nga poetët shqiptarë dhe të ftuar të huaj: që, po Shqipëria mund të organizojë një festival. Dhe për herë të parë bindëm veten se ato vlera që kemi në krijimtarinë poetike të mund t’i përcjellim.

U duk sikur ishte, pra i përgatitur enkas terreni, pasi në poetekë kishit të ftuar personalitete të letrave dhe nga vendet e huaja. Këta u ftuan si njohje për festivalin dhe çfarë dimensioni përbënin për Poetekën?

21 poetët që kanë marrë pjesë te Poeteka e përkohshme, në 13 edicionet, u plotësuan nga të huajt jo thjesht që po marrim të huaj si anëtarë të Poetekës, por secili nga ata kanë ardhur me dimensione të ndryshme. Klaudio Bocani solli për herë të parë shkollën e teatrit të poezisë, Ferid Muhiqi solli për herë të parë qënien poet dhe filozof njëkohësisht, kurse Eliot Windberger, që mbylli Poetekën, solli dimensionin e gjykimit mbi krijimin letrar, që është vështrimi eseistik, vështrimi konceptual i kritikës letrare. Pra, secili nga këta ka ardhur me një formatim dhe dimension tjetër mbi artin e të shkruarit, nuk janë ftuar rastësisht.

Po me shkrimtarët e këtushëm, e patët diskutuar më parë për të ngritur në rrafsh ballafaqimi bërjen e një festivali poetik dhe si është pritur?

Asgjë nuk ka ardhur e improvizuar. Ka qenë një ide e pjekur gjatë dhe e diskutuar gjerësisht, së paku me pjesëmarrësit në Poetekë, pastaj mbështetja ka qenë e mirë nga ata të cilëve iu drejtuam. Kemi pasur një mbështjetje që ia vlen të theksohet nga Kantina e pijeve e Durrësit nga Bashkia, të cilët ndihen të përfshirë në poetekë. Nuk është se atyre i është kërkuar në mënyrë tradicionale mbështetje. Kantina është pjesë e poetekës. Pija është pjesë e tryezës, që do të reklamohet çdo ditë dhe, ata do të përfitojnë shërbimin solemerik, të zbërthimit të pijeve.

Nga entuziasmi që arritët në një festival, a besoni se ekziston atmosfera e duhur për pjesëmarrës shqiptarë apo të huaj. Cili do të jetë modeli i këtij festivali?

Mua vetë nuk do të më kishin mbirë “flatrat”, nëse nuk do kisha siguri nga të tjerët se do të marrin pjesë. Ata kanë marrë pjesë në Poeteka, kur ka qenë në ditë të vështira dhe jo më tani që ka marrë këtë formë organizimi.

Nuk ka asnjë model që t’i referohemi. Është një model origjinal, të paktën në ato festivale ku unë kam marrë pjesë, jashtë Shqipërisë. Në biseda që kam bërë me të tjerët, shumë ide të festivalit të Poetekës janë krejt të reja. Festivali është konceptuar në gjashtë ditë, e ndarë në formate solos, recitale të poetëve të një kulture; p.sh., Shqipëria do të përfaqësohet me Martin Camajn, në një seancë spiritizëm dhe me poezinë e improvizuar orale të Himarës, do të vijnë këngëtare që do të bëjnë improvizimin poetik. Portugalia ka një ditë më vete, me një solo, muzikë dhe shprehje e traditave, çfarë është ky vend në traditë, e njëjta gjë do të jetë dhe për vendin tjetër pjesëmarrës, Kroacinë. Vetëm këto tre shtete do të jenë të ftuar për këtë vit, që do të ndryshojnë me vite.

Përveç këtyre janë dhe recitimet në panel, ku poetët do të recitojnë përballë publikut ose njëri-tjetrit, krijimtarinë e tyre, në dy gjuhë. Një ditë e veçantë, ose një seancë e veçantë i takon veprimtarisë “Tingulli i tetë”, ku do të recitohet vetëm poezi në dialekt. Një veprimtari tjetër është brenda Torrës, me drita të fikura dhe me qirinj, që titullohet “Anonimus”, ku poetët do të lexojnë poezitë e njëri-tjetrit, pa e ditur se të cilit janë, që do të shoqërohen me nga një çmim.

Dita tjetër do të jetë dita e epigramit, njerëzit që do të vijnë aty do të bëjnë një lëvdatë për qytetin, që sërish do të shoqërohet me një çmim.

Duke u ndalur te shtegu i poezisë që keni praktikuar në Poetekë, si dhe pjesëmarrësve të saj, thyen disa tabu - që kanë të bëjnë me rrymë moderne në poezi? Pse ky veçim?

Fjala moderne përfshin dhe Homerin, që do të jetë në Poetekë. Festivali do të shoqërohet me revistën “Poeteka”, që del për herë të parë në vendin tonë me këtë profil, që i kushtohet tërësisht poezisë, dhe për herë të parë do të jetë në dy gjuhë (në gjuhën origjinale të përkthyer dhe në shqip). Ndërsa për poetët shqiptarë që do të vijnë në dy gjuhë, do të jenë origjinalja dhe një nga gjuhët evropiane.

Ardhja e Sanguinetit përbën një ngjarje për letrat shqipe, ku e mbështetët domosdoshmërinë e përzgjedhjes së tij në festivalin e Poetekës?

E para, nuk ishte thjesht mosha e Sangunetit 75 vjeç, por është mosha letrare. Sanguineti ka 50 vjet krjimtari, kur 21 vjeç ka botimin e tij të parë. Në gjithë këto vite krijimtarie, ai nuk ka lënë rrymë të artit klasik apo modern pa lëvruar. Ai është themelues i neoavanguardës italiane, rikthyes i vëmendjes në futurizëm. Futurizmi italian është nga më të famshmit në të gjithë botën, paralel me futurizmin rus. Sfidat që ai ka bërë, kanë qenë nga sfidat më të mëdha intelektuale p.sh., është një autor që ka tekstet më të mira mbi Danten. Kështu që, ai nuk është thjesht modern, është shumë dimensional dhe profili i tij kompletohet dhe në aspektin social. Duke qenë njeri i katedrave, ai është shprehur vazhdimisht dhe për fenomenet sociale deri në luftrat në Irak. Kjo përzgjedhje na bëri që të jetë Sanguineti në këtë festival të parë të poezisë në Shqipëri.

Ju keni ftuar një listë me autorë, të cilët nuk njihen gjerësisht në Shqipëri. Pse kjo përzgjedhje?

Zakonisht këtyre që u kemi botuar veprën e plotë, nuk kemi mundësi t’i sjellim, sepse ekzistojnë në formë vepre, ata kanë vdekur. Por gjithmonë kam pasur preferencë për shkrimtarë që janë të shtyrë në moshë, për të thirrur disa nga këta, se ndoshta vitin tjetër mund të mos jenë. Para pak kohësh vdiq Mario Luci, sot ka vdekur Seul Bellow dhe këto janë si të thuash me ditë të numëruara në jetë. Ardhja e këtyre vetë, si të thuash është një ngjarje, se i sheh për herë të fundit. Kurse kontaktet me krijimtarinë, njerëzit e kulturës i kanë kryer detyrimet e veta, i kanë lexuar. Me këta do të operojmë njëlloj si me Poetekën që auditori do t’i ketë poezitë e tyre para. Nga ana tjetër, revista “Poeteka” do të dalë një javë para festivalit, kështu që njerëzit, një masë më e gjerë do të kenë mundësi t’i lexojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›