E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjallët vijnë në Shqipëri

08/04/2005  Edoardo Sanguineti

Kur i telefonoi që të konfirmonte edhe një herë, për siguri, ardhjen e tij në Tiranë, Arjan Leka mori një përgjigje të “merituar”. Problemi ishte për zinë e madhe, atë të vdekjes së Papës, që mund t’i shtinte frikën për mosardhjen e poetit 75-vjeçar, Edoardo Sangunetit në Festivalin e parë të poezisë, organizuar në Shqipëri.

Por meqë për poetin nuk pyetet për moshën; Sanguineti dha përgjigjen: Të gjallët vijnë në Shqipëri. Kështu më 27 prill-2 maj, ikona e poezisë italiane është i ftuar nga Poeteka, duke i dhënë një shans njerëzve të kulturës të njohin një nga personalitet më të fuqishëm, që ka ndjekur gjithnjë “kokëfortësinë” e tij intelektuale. Ndryshe tek Sanguneti, të vlerësuar nga kritika, sheh panoramën e intelektualit italian. Ndërsa aksioma e poezisë së tij vërtitet rreth jetës, një misteri që ndjek nuhatjen njerëzore, për të kuptuar se për çfarë misioni është një shkrimtar mbi tokë. Për të kuptuar përse ai shkruan, e jeton për të kuptuar përse shkruan, duke zbritur tek ekzistenca e tij, se “shkruaj për të kuptuar përse jetoj”.

“Në gjithë këto vite krijimtarie, ai nuk ka lënë rrymë të artit klasik apo modern, pa lëvruar. Ai është themelues i neoavanguardës italiane, rikthyes i vëmendjes në futurizëm. Futurizmi italian është nga më të famshmit në të gjithë botën, paralel me futurizmin rus. Sfidat që ai ka bërë kanë qenë nga sfidat më të mëdha intelektuale p.sh., është një autor që ka tekstet më të mira mbi Danten”, thotë ideatori i festivalit, Arjan Leka. Kështu që ftesa e Poetekës për poetin italian nuk ka qenë thjesht përputhja e një gjaku në poezi, por grishja për profilin e tij shumëdimensional, duke u kompletuar dhe në aspektin social. Si një personalitet aktiv, Sanguineti ka reaguar ndaj çdo lloj fenomeni, deri te luftrat në Irak. “Kjo përzgjedhje na bëri që të jetë Sanguineti në këtë festival të parë të poezisë në Shqipëri”, thotë Leka.

Edoardo Sanguineti lindi në vitin 1930 në Gjenova, ku ende jep leksione të Letërsisë Italiane në Universitet. Një pjesë të jetës dhe krijimtarisë së tij i takojnë Torinos, qytet ku ai u afirmua si poet. Sanguineti është gjithpaq edhe një kritik i spikatur dhe ndër më të shquarit kritikë që studioi Danten dhe letërsinë e shekullit XX. Sanguineti është gjithashtu edhe autor i njërës prej antologjive më të plota dhe sfiduese të poezisë italiane pas ‘900 (ku ai nuk ka përfshirë asnjë poezi të vetën dhe ku disa poetë të mëdhenj italianë paraqiten me pak krijimtari origjinale dhe me më shumë përkthime). Ai është një figurë që udhëhoqi “neoavangardizmin”, si dhe një kritik i madh dhe me ndikim i letërsisë dhe një poet i lexuar gjerësisht. Sanguineti është edhe autor i dy novelave: “Teka italiane” (1963) dhe “Loja e Rosës” (1967) si dhe i disa pjesëve për teatër.

Veprat poetike kryesore:

Laborintus - 1956

Opus metrikum - 1960

Triperuno - 1964

Wirrwarr - 1972

Përmbledhje poetike 1981 - 2002

Disa prej çmimeve më të fundit letrarë

Çmimi Calepino 2001

Çmimi Bagutta 2002

Campiello: Çmimi i veçantë i Jurisë së Letrarëve 2003

Çmimi i poezisë Carlo Betocchi 2003

Çmimi letrar Castelfiorentino 2003

Çmimi i Karrierës në Festivalin Kombëtar të Poezisë italiane në San Pellegrino Terme 2003

Çmimi Lericipea 2004

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›