E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS-ja të kontribuojë me votë në Kuvend

11-09-2011 / Gazeta 55

Heqja e imunitetit, flet deputeti LSI-së Vangjel Tavo

Kuvendi duket i vendosur për të çuar deri në fund imunitetin e zyrtarëve të lartë ku përfshihen deputetët dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura.
Nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo shprehet se për të luftuar korrupsionin, kjo iniciativë e Parlamentit është e domosdoshme në kushtet, kur korrupsioni është ende problematik në vendin tonë.
“Çështja e imunitetit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e njerëzve që janë me imunitet nga kriminelët. Bëhet fjalë për çështjen e imunitetit, kur një zyrtar akuzohet për korrupsion. Korrupsioni luftohet në bashkëpunim me të gjitha forcat politike, pozitë-opozitë”, u shpreh ai.
Ndërsa thotë se janë një sërë ligjesh, që kërkojnë vullnet të të gjitha palëve edhe në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë, Vangjel Tavo paralajmëron se java që vjen do të jetë e mbushur me punë intensive në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare.
“Në javët në vijim, do të diskutohen të gjitha projektligjet që janë kërkesë e BE-së, ose kanë mbetur peng pa u miratuar që nga viti 2008”, thotë Tavo.
Duke komentuar raportin e ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth për Shqipërinë që e mbyll me mesazhin drejtuar klasës politike “Zgjidh e merr”, Tavo thotë se të gjitha proceset mbeten në dorë të vullnetit të klasës politike në vend, që do të përcaktojë më tej hapat integruese të vendit tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›