E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet “konstruktiviteti” i opozitës, Hysi njofton mosvotimin e ligjeve

11-09-2011 / Gazeta 55

Hipokrizi e pastër e kursit të ri politik të PS-së. Juristja Vasilika Hysi thotë se s’mund të ketë votim të rekomandimeve të BE-së gjatë sesionit të vjeshtës, pasi deputetëve socialistë do t’u duhet të kapin kohën e humbur që duhet për shqyrtimin e projekteve të marra peng nga 2-vjeçari i bojkotit

Partia Socialiste ka pak gjasa që të tregohet forcë politike konstruktive në Kuvend, edhe pse faktori ndërkombëtar kërkon mbizotërimin e konsensusit politik si dhe miratimin e ligjeve e reformave. Atëherë kur mazhoranca parlamentare gjen rastin të përshëndesë rikthimin e opozitës në Kuvend, po ashtu inkurajon këtë të fundit të japë konsensusin e nevojshëm politik, në prapaskenë thuren e hartohen plane anti-politike dhe anti- institucionale.
PS s’ka ndërmend të votojë ligjet që kërkojnë 3/5 e Kuvendit, pa i shqyrtuar më parë, diskutuar dhe integruar në axhendën e saj politike. Me këtë logjikë veprimi të PS-së, ligje të tilla nuk miratohen as për 4 muaj, e jo më për 1 muaj, deri në publikimin e progres – raportit të Komisionit Evropian.
Siç edhe kuptohet, i gjithë aksioni prapa-parlamentar, bëhet në funksion të bllokimit të reformave, veprim i cili vlerëson negativisht Shqipërisë dhe kursin e saj të integrimit, duke e kthyer disa vite pas, në mos ngrirje të raporteve me Bashkimin Evropian. Sfida e vërtetë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ishin zgjedhjet vendore të 8 majit. Kur procesi zgjedhor është finalizuar me sukses si dhe ka marrë edhe vlerësimin pozitiv të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht organizatës së OSBE/ODHR-it, vëmendja shkon tek reformat dhe ligjet e 3/5-ve, të cilët vazhdojnë të mbetet një peng “i shëndoshë” i opozitës së këtij vendi. Kur kanë vetëm një javë që janë rikthyer në Kuvend, zërat e parë nga PS janë të natyrës i “miratojmë, s’i miratojmë”, pra as mish as peshk, në një kohë kur debati aktual nuk është tek dëshira apo mos dëshira e PS-së për të votuar në Kuvend, por tek emergjenca e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, më qëllim që brenda një kohe të shkurtër Shqipëria të çelë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Qëndrimin më hipokrit e shprehu dje deputetja socialiste Vasilika Hysi, e cila edhe njëherë përcolli citatin zyrtar të Edi Ramës se në Kuvend s’do jepet lehtë konsensusi, pas bllokimit 2 vjeçar të punës së këtij institucioni permanent për funksionimin e demokracisë dhe realizimin e aspiratës kombëtare të shqiptarëve, integrimin Evropian. PS është e paqartë si dhe amorfe kur shprehet se ligjet duhen konsultuar edhe njëherë në zyrat e ngrehinës socialiste, për të shkuar më pas në komisionet parlamentare, edhe pse në të vërtetë, ato ndodhen në stadin e projekt-ligjeve dhe presin vetëm votën e deputetëve të PS-së në Kuvend. Se cili është qëllimi i selisë rozë për të zvarritur lëshimin e votës në parlament, atë e di vetëm Edi Rama, por logjikisht, në këndvështrimin e opinionit publik është gjithçka e qartë se PS po tenton me çdo kusht të shtyjë në kohë “statusin kandidat” dhe çeljen e negociatave të integrimit për Shqipërinë. Ky është një tjetër front ziliqar i socialistëve, pas bojkotimit 2 vjeçar të Kuvendit.
Komenti - Opozita, e pabesë/Sezoni i ri politik edhe pse shënoi rikthimin e opozitës në parlament, dominohet nga mosbesimi i thellë për rolin e saj të vërtetë. Kur ka mbetur më pak se një muaj nga publikimi i progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, klasa politike duket ende larg frymës stabilitetit, ndërsa ka dyshime për rolin e opozitës, nga rikthimi i saj në Kuvend 1 muaj para publikimit të opinionit të KE, e deri te vazhdimësia parlamentare në kohën e mbetur, për miratimin e 12 rekomandimeve të Brukselit. Vëmendja kryesore është te ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, pra ligje që duhet të miratohen me konsensusin dypalësh të mazhorancës dhe opozitës.
Një fakt të tillë e pohon përfaqësuesi i mazhorancës në komisionin e ligjeve, deputeti demokrat Viktor Gumi, i cili shprehet i hapur për të dëgjuar amendimet e opozitës për këto ligje, por shpreh rezerva nëse PS vërtet do t’i votojë ato.
“Vlen të theksohet edhe njëherë se koha e mbetur përbën edhe gurin e provës për opozitën e cila duhet të bëjë ndryshimin e qëndrimit dy vjeçar të ndodhur pas vitit 2009 dhe këtyre dy viteve që vijnë. Besoj që veçanërisht në rrugën e integrimit dhe në miratimin e këtyre ligjeve që kanë 3/5 e anëtarëve të kuvendit, çështja nuk shtrohet se çfarë lëshimesh do të bëhen. Më lejoni t’ju kujtoj që këto ligje kanë natyrë tërësish teknike, mjafton të kujtoj kodin hekurudhor, kodin doganor, kodin ajror ligjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe organizimin e disa institucioneve të cilat kanë tërësish natyrë teknike ashtu sikundër janë ligje të rëndësishme për çështjen e reformës në drejtësi, ligji për Gjykatën Administrative ligji për ndryshime në kodin civil apo kodin penal i cili për mese tre vjet rishtazi ka kontributin e ekspertëve vendas e ndërkombëtar dhe është në trajtën dhe formatin e tyre më të mirë. Në këtë aspekt veçanërisht në miratimin e ligjeve me 3/5, unë nuk e shikoj si një çështje lëshimi. Natyrisht është një çështje e cila është fondamentale për shtetin e së drejtës, është një çështje që është fondamentale për rrugën e integrimit në Shqipëri prandaj dhe kushtetuta kërkon miratimin me 3/5 e tyre. Për sa kohë vullneti politik duhet të shprehet dhe ne presim që në ditët në vijim të këtë një veprim pozitiv aktiv dhe praktik  për miratimin e këtyre ligjeve, që është një çështje që mbetet për t’u parë në vullnetin e saj. Opozita është shprehur që, po, do të jemi për rrugën e integrimit, tani kalon në testim e praktikë”, u shpreh deputeti demokrat, Gumi.
Klasa politike shqiptare ka vetëm një muaj kohe për t’i dëshmuar Komisionit Europian se është e gatshme të bashkëpunojë për hir të integrimit, dhe për këtë duhen miratuar 16 ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Por, nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi sqaron se opozita do të jetë konstruktive për hir të integrimit të vendit, por para se t’i votojë ligjet me 84 vota kërkon të sigurohet që ato janë në përputhje me standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Një gjë e tillë do të kërkohet dhe për Gjykatën Administrative, ndonëse ngritja e saj u miratua me konsensus në komision dhe pas një ekspertize të plotë të misioneve të huaja që asistojnë drejtësinë shqiptare. I vetmi ndryshim sot është se PS ka dhënë konsensus, jo me këtë grup parlamentar që ka sot, por me atë të parazgjedhjeve të 2009-ës, i cili në atë kohë bojkotoi seancën plenare kur ligji ishte në rend dite, i gatshëm për miratim.
Deputetët socialistë nuk do të pranojnë as miratimin me konsensus të ligjit për kufizimin e imunitetit të deputeteve, ftesë e bërë nga kryeministri Berisha në çelje të sesionit.
Ky hap sipas Vasilika Hysit duhet të ndërmerret vetëm me ndryshim të Kushtetutës, një lexim ndryshe ky nga ai i demokratëve, mbi Këshillën e Komisionit të Venecias për këtë çështje.
Pritet që fillim e javës grupet parlamentare të japin qëndrime më konkrete, të cilat do të reflektohen dhe në seancën e radhës që këtë herë do të mbahet të martën. është seanca ajo që mund të vendosë rikthimin e ligjeve të miratuara më parë sërish në komisionin përgjegjës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›