Kume: Koha është e limituar, modalitetet e sistemit të hidhen në tryezë

Ekspertët e ligjit apelojnë për nisjen nga puna të hartimit të reformës zgjedhore
Ekspertët e ligjit apelojnë për nisjen nga puna të hartimit të reformës zgjedhore, pas shqetësimit që Wollfarth bëri gjatë raportimit vjetor në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Sipas nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, thotë se është koha që ajo të konceptohet si një proces gjithëpërfshirës, i cili duhet të kalojë nëpër dy faza.
“Koha për të realizuar këtë detyrim deri në zgjedhjet e 2013-ës, është e shkurtër. Problemet janë komplekse, veçanërisht në aspektin teknik që kërkohet për zgjedhjet e tyre ndaj dhe nuk ka pse të presim, por duhet të ngrihet komisioni dhe më pas të trajtohet ky problem. Është koha që të fillojmë procesin e reformës zgjedhore, si një proces me dy faza të rëndësishme. Faza e parë duhet të jetë përgatitja e produktit mbi bazën e të cilit duhet të punojë komisioni parlamentar dhe të konceptohet si aktivitet gjithëpërfshirës dhe ku të trajtohet e gjithë problematika e mundshme. Dhe faza e dytë pas kësaj, realizimi i detyrimit që kanë forcat kryesore politike parlamentare, për të realizuar vendimmarrjen në ndryshimet e kërkuara të ligjit zgjedhor aktual”, thotë Kume.
Për juristin Kume, pjesë e tryezës gjithëpërfshirëse duhet të jenë një serë problematikash, të cilat sipas tij prekin sistemin zgjedhor, mënyrën e administrimit të votës dhe depolitizimin e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.
“Problemi i parë i madh që mund të jetë pjesë e diskutimit në kuadër të kësaj reforme, do të jetë sistemi. Trajtimi i problemeve të depolitizimit të administratës zgjedhore. Përdorimit të teknikës së informacionit, qoftë në votim dhe me këtë kam parasysh votimin që sot njihet me termin ‘votim elektronik’. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave, mund të realizohet përmes skanimit”, tha Kume.
Eksperti i ligjit shkon edhe më tej në arsyetimin e tij teksa i referohet edhe një procesi tjetër, që sipas Kumes ndonëse ndryshe nga reforma zgjedhore, mbështet këtë të fundit, si reforma administrative.
Sipas Kumes, nisja nga puna edhe për këtë reformë, është e domosdoshme në funksion të zgjidhjes së problemeve që atakojnë procesin zgjedhor.
“Nëpërmjet reformës administrative mund të gjenden zgjidhje të tilla, të cilat të zbusin në mënyrë të ndjeshme, efektin negativ që sjell në vlerësimin e votave të partive të vogla, fakti që Shqipëria është e ndarë në 12 rajone. Sot kemi më shumë se 300 njësi të qeverisjes vendore, ndër të cilat numri i konsiderueshëm kanë vetëm të zgjedhur, të cilët administrojnë komunitetet që për nga numri përqindjen më të madhe të tyre, e bëjnë vetë ata. Ndarja administrative kështu si e kemi sot të Shqipërisë, pra në 12 rajone, më shumë se sjell produkte pozitive, krijon probleme”, deklaron më tej ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume.