Me shumë vonesë u kujtua Presidenti për pronarët
Çështja Topi dhe çështja Kuqezi janë dy ndër më të rëndësishmet zhvillime të pritshme politike. Sipas meje, e para duhet marrë në konsideratë më tepër se e dyta. Loja me ngjyra kinse nacionaliste e një politikani të papromovuar në agjendën e nacionalizmit, nuk premton më shumë sesa mashtrime të rëndomta sharlatanësh. Edhe nëse Spahiu do të arrijë të mbledhë rreth vetes një shpurë të dëshiruarish për të bërë emër me çdo çmim, kjo nuk do të përbënte ndonjë problem kushedi se çfarë për rrudhjen e elektoratit të PD-së. Në të kundërtën, Topi ka shanse ta luajë më rëndë kartën e pronave, sesa Spahiu atë të nacionalizmit. Dhe kjo ka arsyet e veta.
Së pari, sa vjen e po mehen ditët e zotëri Topit në Presidencë. Tashmë, ato janë pak më tepër se ditët e stinës së pranverës që shkencërisht fillon javën e ardhshme. Ndërkohë, muajt e fundit të karrierës së vet politike të niveleve më të larta, Topi mund t’i numërojë me gishtat e njërës dorë. Në këtë kuptim, është logjike që ai të mos i dorëzojë aq lehtë armët politike, kur, nga institucioni i Presidencës, i ka të gjitha lehtësitë të luajë përmes ligjeve, çka e ka bërë mjeshtërisht deri mê sot, të luajë me mendësitë e pronarëve, çka po e bën mjeshtërisht, pse jo, të luajë edhe me vendin që synon të zërë në trajektoren e politikës, si një i djathtë i thekur.
Së dyti, ndonëse i zgjedhur me votat e së djathtës, Presidenti Topi ka sot mbështetje të paskajshme të mediave të kontrolluara prej së majtës.
Së treti, ekziston rreziku në potencë i së ashtuquajturës “kolona e pestë” në radhët e PD-së.
Duke iu referuar një nga një tri arsyeve të sapopërmendura, pa pretenduar që ato të jenë të vetmet ose më të qenësishmet, vëzhguesi i zakonshëm mund të vërejë fare lehtë:
1 - Jo rastësisht Presidentit Topi iu kujtuan pronarët në fund të mandatit të tij presidencial. Çështja e tyre ka pas ekzistuar qysh se PD-ja fitoi për herë të parë pushtetin, më 1992, ndërsa PS-ja emërndërruar i la në dorë pushtetit të ri ligjin 7501 për Tokën Bujqësore. Topi, si ish-ministër i bujqësisë më 1996 duhet t’i kujtohen debatet e atëhershme në shtyp, madje edhe zhurma e tentativat e Rrapo Danushit, për ta çuar çështjen deri në Strasburg. Është e vërtetë se çështja ka mbetur pezull sot e kësaj dite. Por është tepër e vështirë të numërohen sot shkaqet e ngecjes. Sipas meje, ato nuk kanë të bëjnë aq me mungesë vullneti të PD-së, si parti e qendrës së djathtë, për t’i dhënë fund çështjes së pronave, sa lidhen me nyje të ngatërruara ligjore. Personalisht, jam i bindur se mbivendosja pesëdhjetë-e-ca-vjeçare e pronës ku u implikuan Reforma Agrare e pasluftës, kolektivizimi masiv i bujqësisë dhe krijimi i fermave shtetërore, prishja e tyre me fillimin e proceseve demokratike, Ligji 7501 dhe zbatimi i tij në mungesë të një kuadri ligjor të plotë në të gjitha hallkat e administratës shtetërore e të gjyqësorit, si edhe abuzimet njëzetvjeçare janë shkaqet e vërteta. Po të shtojmë këtu ngjarjet e dhunshme të ’97-s, kur u dogjën kadastra e arkiva të tjera, si edhe rikthimin në pushtet të së majtës sonë me ndikime të mendësive komuniste-hoxhiste, nyja bëhet edhe më e koklavitur. Me sa dimë, Partia Demokratike dhe kreu i saj, Berisha, nuk janë shprehur kurrë kundër kthimit të pronave. Përkundrazi, edhe tashti së fundi, Kryeministri nguli këmbë se gjithçka do të zgjidhet në përshtatje me ligjin.
Kureshtja e shtyn njeriun të pyesë se si do ta zgjidhë Topi jo president çështjen e pronave, kur nuk ndikoi që ajo të merrte rrugë sa ishte Ministër i Bujqësisë, numri dy në hierarkinë e PD-së ose President i Republikës. Qëndrimi i tij i sotëm, duke nxjerrë kartën e pronave, përpos që është demagogji banale, të kujton të mbyturin që kapet edhe pas flokëve të vet, veç të shpëtojë. Jam i sigurt se ndokush ndër ithtarët e vet ose ndër të mashtruarit e mundshëm e ka në majë të gjuhës përgjigjen: “Është i djathtë i vërtetë”. Po e shtyj pyetjen edhe një pëllëmbë më tej: “Po deri dje, çfarë ka pas qenë, i djathtë i kamufluar?” Dhe, me që ra fjala, ma ka ënda të sqaroj se një njeri që e konsideron veten të djathtë, mund t’i përkasë një partie të qendrës së djathtë, një partie të djathtë konservatore, nacionaliste, ekstremit të djathtë etj. Por s’ka të drejtë të vetëshpallet i vërtetë ose të shpallë të tjerët të pavërtetë. Janë programet ato që u japin partive vlera të djathta ose të majta. Kurse vlerat e së djathtës nuk kufizohen vetëm në çështjen e pronës. Përpos asaj, ato shtrihen te meritat vetjake të individit, te mbështetja e rendit dhe mbrojtja e ligjit, te siguria e të tjerëve, te konservatorizmi, te tradita etj. Komente më të stërholluara, për mua do të ishin të panevojshme.
2 - E pabesueshme, por e vërtetë: Presidenti Topi ndonëse i zgjedhur me votat e së djathtës, ka sot mbështetje të paskajshme të mediave të kontrolluara prej së majtës. Tashmë, përveç mesazheve të Edi Ramës ose të liderëve të tjerë socialistë në mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj lëvizjeve politike të Topit, mediat e majta nuk po ia kursejnë as mbështetjen e hapur, as elozhet e pështira. Kujtoj intervistën e fundit në një televizion të Kryeqytetit, ku një gjysmë gazetar, gjysmë drejtues spektaklesh, pra as mish, as peshk, as dele, as dash, gati sa nuk u shkri nga adhurimi ndaj Presidentit të Republikës, thua se kishte përballë jo Miss Universin, fjala vjen, por Të Bukurën e Dheut, ardhur prej përrallave, drejt e në studion e vet. Pyetjet, gjithashtu as mish, as peshk, as dele, as dash, ishin formuluar në mënyrë aq diletante dhe pa përmbajtje, me aq shumë fjalë koti, retiçenca e përsëritje të panevojshme, me aq shumë “le të themi” e të tjerë togfjalësha parazitarë që shprehin përunjësinë e skllavit ndaj padronit, sa që të ngjallnin neveri. Qëllimi ishte fare i dukshëm: të lihej i ftuari të thoshte ç’të donte, mjaft të thoshte diçka. Dhe Presidenti Topi bëri si bëri, tha e çfarë s’tha, zbërtheu edhe teorinë psikike të “dominantit”, paçka se harroi teorinë mekanike të bumerangut. Gjeti, madje, edhe mundësinë të fyente një të grua të moshuar, nëntëdhjetë-e-ca-vjeçare, për interesa thjesht personale, diçka pa precedent të praktikën e një kreu shteti me pretendimet e Topit, si President i të gjithëve. Zaten, ky ishte qëllimi i atyre çka nuk guxoi të thoshte zotëri Presidenti, për çka njerëzit ishin më së shumti të interesuar. Gjithsesi, edhe kësaj here, ai doli më i zbuluar nga sa mendoi.
3 - Sinjalet e para të “kolonës së pestë” brenda radhëve të PD-së, një rrezik sa potencial, aq edhe jo befasues, i dha tashmë deputeti Oketa, njëri nga ish-të fortët e PD-së. Do të ishte verbëri politike të mendoje të kundërtën. Aq më tepër që “kolona e pestë” nuk është thjesht një emërtim i ardhur prej 70 – 80 vjetëve të shkuar, në Luftën e Spanjës, por një dukuri e kahershme, që i ka ndjekur betejat luftarake a politike, qysh me zanafillën e historisë njerëzore. Përvoja e derisotme e PD-së me dukuri të tilla, tashmë është e pasur. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se rasti konkret s’ka pse merret në konsideratë. Aq më tepër që reformat e pritshme duan numër të caktuar kartonësh dhe, në mungesë të vullnetit politik të opozitës, një votë e vetme e munguar për shumicën, do të thotë kosto për të zënë brenda afateve optimale brigjet e Europës së Bashkuar, në kushtet e ngutit që po përjetojmë.