Më shumë vullnetarizëm
Këto ditë të nxehta gushti, kryetari i qeverisë, i cili erdhi në pushtet në 2005-ën i votuar nga shqiptarët jo për arsye të ndonjë programi më të mirë se forcat e tjera politike, por thjesht dhe vetëm si alternativë e mbetur, si pasojë e ndëshkimit të keqqeverisjes socialiste për tetë vite, bëri publike një analizë të punës së qeverisë në shtatë muajt e këtij viti, analizë që na kujtoi ato të para 1990-ës me % të larta të realizimit të prodhimit, shkurtime të shpenzimeve qeveritare e rritje rrogash e pensionesh, sa acaruese aq edhe qesharake. Të flasësh për një “bum” ekonomik duke cituar disa shifra shpesh të pasakta, ose që në vlerë absolute nuk tregojnë zhvillim, nuk do të thotë vërtetë se i ke bërë shqiptarët më të pasur e rrjedhimisht ju ke rritur mirëqenien.
Zhvillimi ekonomik nuk matet me shifrat e treguara nga kryeministri, në fakt shqiptarët kur i dëgjojnë ato nuk kuptojnë asgjë, madje një pjesë e popullsisë e paarsimuar as nuk arrin të rrokë kuptimin e tyre. Njohësit e ekonomisë rekomandojnë që zhvillimi ekonomik duhet të matet me nivelin e standardeve të jetesës, si: i) standardet e arsimit; ii) standardet e shëndetit dhe iii) standardet e strehimit.
Në rast se kryeministri do t’u tregonte shqiptarëve se në çfarë nivele e ka marrë arsimin në vitin 2005 e ku e ka sjellë pas tre vjet qeverisjeje, nëse do u tregonte gjithashtu sesa më të shëndetshëm janë shqiptarët në krahasim me 2005, apo sa është përmirësuar strehimi në këto tre vjet, ai do të jepte patjetër llogari për mosmbajtjen e premtimeve, por në fakt njerëzit as që i mbajnë mend se çfarë ka premtuar kryeministri gjatë fushatës për zgjedhjet e 2005 në lidhje me këto çështje, se ata nuk e votuan në vartësi të programit të tij, por vetëm për ndryshimin e qeverisjes, e tani nuk kanë çfarë t’i kërkojnë se ai as nuk del në debat publik me popullin që të marrë realisht feed-back-un e qeverisjes, por buzëqesh që nga foltorja duke dhënë disa shifra, sipas tij, shumë domethënëse për punën e qeverisë së tij në këto tre vjet.
Kryeministri deklaroi si një arritje të madhe rritjen e prodhimit të perimeve gjatë këtij sezoni, rritje, e cila nuk ka ardhur si rezultat i efiçencës së politikave të Qeverisë, por thjeshtë nga puna e fermerëve të zonës së Myzeqesë dhe nga fakti se ata nuk janë në gjendje të kontrollojnë ofertën që është karakteristikë për prodhuesit bujqësorë (paradoksi i bujqësisë), gjë e cila solli dëmtimin e tepricës së prodhimit. Ministria e Bujqësisë e pazonja për të përmirësuar infrastrukturën e tregjeve të shumicës, pajisjen e tyre me ambiente frigoriferike për ruajtjen e prodhimit të tepërt, apo masa të tjera që do të rrisnin efiçencën e prodhimit, thjeshtë mbeti në kuadrin e konstatimeve pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa bërë asnjë premtim se vitin tjetër nuk do të përsëritet e njëjta pamje.
Siç dihet, qëllimi kryesor i çdo qeverie, është të ushqejë dhe të veshë (bujqësia prodhon edhe fibra) sa më lirë e më mirë shtetasit e vet, në këtë kuadër qeveria jonë është treguar apatike për mbrojtjen e konsumatorit nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë këtij viti, ndërsa për sa i takon mbrojtjes së konsumatorit është mjaftuar me disa thirrje për të blerë në supermarkete dhe jo në rrugë, që në fakt nuk përbën masë sigurie për konsumatorin, pasi edhe supermarketet nuk japin asnjë garanci për standardin e produktit.
Nuk do të ndalem në politikat e të ushqyerit të popullsisë, përderisa në këtë vend nuk është shuar uria, listat e gjata të blerjeve tregojnë se në këtë treg të uritur do të vazhdojnë të prodhohen e të importohen produkte me standarde të ulëta.
Qeveria raportoi për rritje të eksporteve bujqësore me qëllim manipulimi të opinionit publik, por në fakt, sasitë e vogla të tyre tregojnë për një eksport të paorganizuar e sporadik në kushtet e mungesës së plotë të sistemit të marketingut bujqësor. Raporti eksport-import i produkteve agroushqimore flet për një inefiçencë të plotë të prodhimit bujqësor.
Në krizën e rëndë që ka mbërthyer sektorin e bujqësisë gjatë 17 viteve, është një luks i madh të pretendosh për eksporte, kur ke parasysh kërkesat tmerrësisht të larta të standardeve, të bordeve të supermarketeve të vendeve europiane. Konsumatori evropian sot është “pushtues” për sa i përket cilësisë, po të marrim si shembull bordin e supermarketeve angleze, të cilat shumë të ndjeshme ndaj kushteve higjienike të prodhimit, kërkojnë që fermeri të ketë një toilette në arë, ndërkohë ai nuk e ka një të tillë në shtëpinë e tij në Shqipëri, apo bordi i supermarketeve Gjermane, i cili kërkon të përmbushë kënaqësitë e konsumatorit të tij egocentrist në cilësi, kërkon që në arkën e perimes të jetë certifikata e origjinës, ku përveç vendit nga vjen të shkruhet edhe numri i parcelës, madje edhe i fermerit (“Llazi” p.sh.), kështu që konsumatori merr certifikatën në dorë, lexon “Llazi” dhe e blen menjëherë. Pra, përpara se të flasim për eksporte bujqësore, së pari duhet të jemi vetë të qartë për parakushtet e pastaj është detyrë e rëndësishme e strukturave të ministrisë përkatëse të informojë fermerët potencialë për eksport dhe t’i ndihmojë ata hap pas hapi në mënjanimin e riskut.
Nëse do të flasim për turizmin rural, ai është vite dritë larg të qenit i tillë, me male me plehra, me rrugët shtigje dhish, me mungesë uji të pijshëm, qytetarët e Shqipërisë shpenzuan këtë verë gjithë kursimet e tyre për të marrë zhgënjim, lodhje, trishtim dhe bindjen përfundimtare se i vetmi qytet ku mund të jetosh i qetë është Tirana. Është një luks të mendosh teksa drekon në një restorant të një fshati bregdetar, të mund të porositësh një sallatë me ullinj, nga ata, nën drurët e të cilëve ti gjendesh, apo të jesh i sigurt se mishi që sapo të vjen në pjatë të jetë i dhenve të zonës, që në shekuj ka qenë përrallor në mbarështimin e tyre. Ky nuk është dhe s’ka asnjë premisë për të qenë turizëm rural.
Në daljet publike të kryeministrit, duke qëmtuar ndonjë punë publike për të prerë shiritin, ka përsëritur vazhdimisht se njerëzit më thonë se janë të kënaqur me ndryshimet. Në fakt doktorët e dinë mirë se damari që lidh syrin me trurin është më i trashë nga ai që lidh veshin me syrin, prandaj populli ka një fjalë të urtë:“më mirë të shohësh njëherë, sesa të dëgjosh dhjetë herë”, megjithëse koha kur kryeministri duhej të shihte realitetin ka kaluar, ajo i përket tetë vjetëshit kur ishte në opozitë, për të hartuar një program real, kohë që e shpenzoi duke sharë nga foltorja e partisë së tij dhe tani krejt i papërgatitur gjendet si “Liza në botën e çudirave” me qeverinë e tij si një avion që vërtitet në ajër, pa lëvizur as përpara e as prapa dhe të gjithë po mbajmë frymën duke uruar që edhe këto muaj që kanë mbetur, të paktën të ulet me kokën ngulur në tokë e të mos bjerë mbrapsht.
Shqipëriajonë e vogël dhe e varfër, e mbushur me mërira të pambaruara, me urrejtje e hakmarrje të fshehura me kujdes, ku çdonjëri mund të përkundet në ëndrra ministrore e kryeministrore duket se ka humbur NORDIN dhe ka nevojë për një drejtim të ri, me një frymë të re, me rregulla të reja, me ligje të reja, pra për një politikë të re.
Është momenti për të gjithë ne që kemi ëndërruar për një vend normal, për një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë, për të rinjtë e deziluzionuar nga politika e vjetër e këtyre 17 vjetëve, për veteranët që luftuan për idealet e një Shqipërie të lirë e të lulëzuar dhe për shtresën e të përndjekurve politikë, që të japim mbështetjen tonë pa menduar çfarë do marrim personalisht (në fakt kush jep, duke llogaritur se do marrë ai nuk jep asgjë) o sot, o kurrë.
Më vijnë ndër mend dy vargje të një poeti të shquar persian të shekullit 12-të:
“ Atë që ke sot, ma vendos në pëllëmbë se kurrizin e dorës, kafshon nesër me dhëmbë”.
Zgjedhësit shqiptarë në këto 17 vjet nuk kanë patur mundësi të votojnë për alternativën më të mirë, sepse nuk është ofruar një e tillë, ata kanë votuar në çdo radhë për të ndëshkuar. Është momenti që në 2009 për herë të parë të votojmë një alternativë të re, me program të qartë që ka në qendër të gjithë qytetarët. Të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga mendësitë e praktikat komuniste, duke u ofruar fëmijëve tanë modele të reja, të punës, të qytetarisë, të kulturës.