E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistë në Pekin

Pasi kemi përcjellë konkurimin e sportistëve shqiptarë mund të thuhet, pa pikë dyshimi, se shumica e tyre rezultuan thjeshtë turistë në Pekin. Për qitësen Lindita Kodra u tha se është pretendente për medalje, por asaj “nuk i shkrepi pushka”; peshëngritësi Gerti Trasha nuk arriti të kapërcejë asnjërën prej tri provave; hedhësi i çekiçit Dorian Çollaku ishte larg rezultatit të tij më të mirë, duke u rreshtuar ndër të fundit; atletja Klodiana Shala nuk dha asgjë të re, ndërsa xhudisti Edmond Topalli u eliminua që në fillim. Për përfaqësimin e dy notarëve Rovena Marku dhe Sidni Hoxha (emrat jua mësova pasi nisa të shkruaj artikullin) nuk ja vlen të flitet sepse ky sport ka mbetur shumë larg krahasuar me nivelin ndërkombëtar. As sportistët shqiptarë më konkurues nuk ja dolën ti afrohen zonës së medaljeve.

Peshëngritësja Romela Begaj arriti një rezultat në maksimumin e mundësive të saj por gjithsesi larg zonës së medaljeve; Erkand Qerimaj, megjithë paraqitjen serioze, mbeti po ashtu larg rezultatit të fitueve; mundësi Elis Guri, nëse nuk do ta kishte fatin me vete, do të ishte ndalur që në përballjen e parë, kur eliminoi ish kampionin olimpik, por, nëse do ta kishte fatin akoma më tej, mund të kishte marrë edhe medalje; zhgënjyese paraqitja e mundësit tjetër Sahit Prizreni, i vetmi që pretendonte medalje. Ja, kaq ishte ekipi “më i madh” në historinë e sportit shqiptar!

Një nga drejtuesit e KOSH-it u përpoq ti justifikonte dobësitë e theksuara të ekipit tonë olimpik, veç të tjerash, edhe me faktin se Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk mund të konkurojë me vende si Kina, SHBA, Rusia etj. Duhet kujtuar se Jamaika, një vend me popullsi prej 2 milion e 600 mijë banorë (më i vogël se Shqipëria), ka medaljete arit në garat më të shpejta në botë, përkatësisht 100 m për meshkuj e femra, 200 për meshkuj dhe 400 m me pengesa për femra. Që do të thotë se të qenit vend i vogël nuk përbën asnjë pengesë për të shkëlqyer të paktën në një lloj sporti. Përveç peshëngritjes, qitjes dhe mundjes, Shqipëria ka pasur volejboll, gjimnanstikë, not, atletikë, të niveleve ndërkombëtare.

Le të vijmë në Ballkan. Pothuajse të gjitha vendet e ish Jugosllavisë kanë marrë të paktën një medalje në lojërat “Beijing 2008”. Këto vende, përveçse fqinje, janë në standarde të përafërta ekonomike me Shqipërinë dhe natyrshëm që duhen bërë krahasime. Po ti pyesësh drejtuesit e sportit, ata që gjithnjë justifikohen kot, të thonë se Shqipëria nuk mund të krahasohet as me shtetet fqinje, pasi ish Jugosllavia ka pasur sporte shumë të zhvilluara. Për të njëjtat arsye nuk mund të krahasohet as me Bullgarinë, e as me Rumaninë. Me Greqinë jo se jo, me Italinë as që bëhet fjalë. Atëhere me kë duhet të krahasohet Shqipëria, me Djibutin, apo me ishujt Maldive? Problemi është se megjithse Shqiparia ka 100 vjet shtet akoma ndodhet në fazën e inkurajimit, ose atë të “suksesit” të pjesëmarrjes!

Sa herë që flitet për sportin në Shqipëri, ka vetëm zhurmë, llafe, ankesa dhe në fund rezultate të dobëta. Është normale të pyesësh se kush e ka fajin për këto rezultate të dobëta që vazhdon të reflektojë sporti shqiptar? Në vijim a janë të justifikueshme sjelljet e disa sportistëve në përballjen e tyre me opinionin publik? E para gjë që të shkon në mendje, kur flitet për kushte apo përgjegjësi, është shteti. A e ka trajtuar shteti shqiptar si duhet sportin në Shqipëri?

Përgjigja është negative. Asnjë prej qeverive nuk e ka bërë këtë gjë. Për qeverinë e sotme as që mund të shpresohet, përderisa kryeministri nuk ja ka haberin nga sporti. Shembulli më i mirë për këtë është deklarata e tij në takimin me ekipin tonë olimpik në Pekin kur ju tha sportistëve që “ju do ti merrni medaljet, sepse i meritoni ato…”.(!) Një deklaratë që ka brenda gjithçka përveçse seriozitet jo.

Gjëja tjetër që të shkon në mendje janë federatat përkatëse, qw ndikojnw edhe në krijimin e disa raporteve të bezdishme ndërmjet disa sportistëve cilësorë dhe opinionit publik. Më bëri përshtypje peshëngritësja Romela Begaj në shfaqjen e saj në një media. E sapokthyer nga olimpiada, në vend të diskutimit për rezultatin e arritur, vazhdoi ritualin e vjetër të kërkesës për shpërblime, për kushte, e më e keqja, presionin, se në rast se shteti nuk do ti plotësojë kërkesat ajo do të ikë nga Shqipëria (është bërë qesharak ky lloj rituali)! Duhet kuptuar se nuk është më Shqipëria e viteve 90-të, ajo e karrocave, kioskave, baltës dhe vetëm ikjeve ku shtete fqijne si, fjala vjen, Greqia, të marrë një sportist të njohur shqiptar “ta greqizojë” dhe ta shpallë kampion olimpik.

Nga ana tjetër, çdo sportist, si çdokush tjetër, është i lirë ta zgjedhë tregun sipas mundësive dhe interesave të veta, siç ndodh psh në futboll dhe disa sporte të tjera elitare.

Në këtë diskutim, nëse mund ta quajmë kështu, mund të thuhet pa mëdyshje se burimi i të gjitha dobësive, është tek raporti i deformuar që ka krijuar shteti me sportin dhe institucionet e tij. Në krye të qeverive kemi pasur thjeshtë drejtues të tipit sponsor, që nuk e kanë parë sportin, në vazhdimësi. Ndërhyrja e shtetit edhe aty ku ka ndodhur ka qenë e mbrapshtë.

Lojërat olimpike të Pekinit përfunduan. Në mënyrë që të mos na mbeten në derë vetëm fjalët, ankesat dhe kërkesat, duhet të mendojmë, që tani, për lojërat e pas katër viteve, ato të Londrës. Jo për të dërguar ekipe sasiore, por për të pretenduar të paktën ngritjen e flamurit. E për ta realizuar këtë, sporti shqiptar duhet ti nënshtrohet një reformimi të thellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›