Me sy të fryrë nga pagjumësia...
THEKSIME Faqe 15 Ilustrimet: foto e autorit, pamje nga Driloni i Pogradecit
Me sy të fryrë nga pagjumësia...
Roland GJOZA
Ishte ajo natë që s'do ta harroj kurrë. Qirinjtë ishin shitur ne qytet. Pemët e Drilonit ishin rrethuar me shiritë nga Bashkia. Liqeni ishte po ai, më dukej sikur shikoja në thellësi koranin e kuq si përshkonte me dritë fundet blu. Tregtizat e luleve s'kishin me asgjë. Tregtiza e zogjve ishte fare bosh, pa kafazët e kanarinave, laureshave, bilbilave, papagajve, pa ushqimet e tyre. Kishte ndodhur diçka e çuditshme që përsëritej çdo vit.
Piktorët kishin që në mëngjes që ishin fshehur në humbtajat e Drilonit. Nuset kishin kaluar mbi urat lëkundëse, ashtu duken ato, sepse janë aq fine e gati tymtajë. Ishin puthur me të dashurit, kishin derdhur poçen me verë poshtë në ujin me lule, ndërsa një i afërm i tyre kishte derdhur në mëngjes butin plot në varrezë.
Ishin të ftuar të gjithë në dasmë, madje edhe fantazmat. Peshqit po se po, por edhe mjelmat, shtojzovallet, që shfaqen nganjëherë krejt papritur. Po kjo s'mbaronte me kaq. Nusja nxirrte nga gishti unazën dhe e hidhte poshtë në ujë. Dhëndri zhvishte kostumin dhe kridhej në lumë. Mblidhej njerëzia të shikonin këtë shfaqje të vjetër që nga koha e Homerit. Ah, i ziu ti, psherëtinin plakat, gjeje, mo, se ta mori tjetri. Dhe qeshnin me lot në sy. Nusja ia tregonte me gisht, ja atje e ke!
Më në fund, ai e gjente dhe fillonte muzika, këndonin të gjithë këngën e unazës. Plane tejet romantike nusesh që kalonin urat dhe bishti i gjatë i fustanit të tyre që mbahej nga 10-12 fëmijë. Dhëndurë të lagur që dridheshin nga të ftohtit, vera që pinin drejt e nga buti. Eh, ç'bëhej aty.
Larg në brezin e fundit, tejet blu e si në mavi të liqenit pluskonin qindra barka. Pjesa më e madhe nuk ishin peshkatarë, po nevojtarë që luftonin për bukën e gojës, mësues, nëpunës, të papunë, poetë, ëndërrimtarë, që ende s'kishin vendosur ç'të bënin në jetë. E kalonin natën atje në atë fund, ku hidhnin rrjetat me frikën e ndonjë stuhie të mundshme. Ndjehej thëllimi. Dilte hëna dhe i zbukuronte gjërat. Shfaqeshin silueta, dëgjoheshin kumbe.
* * *
Ne do të xhironim fundin e filmit, kur personazhet, dy pensionistë, largohen me barkë nga Driloni.
Ja ç'kishte ndodhur. Lulet në qytet i kishin blerë maturantët. Qirinjtë gjithashtu. Ishte mbrëmja e fundit e maturës. Ishin bërë gati tryezat. Në një piano, që ishte sjellë me kamionçinë, një djalë i binte Ave Maria të Shubertit. Qetësi. Pylli dhe lumi që vinte lart nga Prespa e Vogël, lëshonin trembje të befta dhe gërvima e kërcitje, që binin shpejt në fashë.
Atje larg, në vijën e fundit të liqenit, ishin ata të minierës së ujit. Ata që nuk u dilte rroga dhe rrezikonin për koranin. Një koran 12 mijë lekë. S'ishte pak. Një natë në të ftohtë, një natë me fat pa shtjellë të beftë dhe stuhi që brof papritur. Sa kishin vdekur në atë minierë uji. Nuk e di pse më rrinte mendja atje. Kur erdha per xhirime, i pashë ata qindra varfanjakë me fenerë dhe më treguan historinë e një mësuesi që e njihja, i cili ishte mbytur.
Tani do të largoheshim,edhe ca plane dhe i jepnim fund filmit. As unë nuk e kuptoja pse më rrinte mendja atje. Unë s'kisha punë me ta. Po ja që nuk i harroja dot. Mbi ta binte drita e hënës dhe ndoshta nga fundet lëvrinin lart koranët dhe ndonjë prej tyre mbetej ne rrjetë. Ishte gjueti e vështirë me kokë në torbë.
* * *
Dikush i binte me garuzhde një sahani të madh prej bakrri. Ishte një tingëllimë sapak gazndjellese, madje të bënte të qeshje me zë. Po vinte ai, që i thoshin Plaku i Heminguejt.
I veshur oficer, me këpucë ushtrie me qafa dhe kambale. Frynte bulçitë dhe bënte bandën.
Krejt i vetmuar. Na u afrua. Ndaloi, banda e tij brenda atyre bulçive i binte simfonisë së pestë të Bethovenit, asaj që i thonë Simfonia e Fatit. Pa, pa, pa, pa! Kishte mbathur e ngecur nëpër trup, në vend të armëve, tërë enët e kuzhinës. Në kokë mbante një kapele ushtari të lerosur plot me glasa dhe pupla zogjsh. Nuk na foli. Si duket, i kishim zënë vendin. Aty ndizte zjarrin dhe piqte peshqit që kishte zënë. Në kurriz mbante lidhur butin e verës të bërë vetë. Kur i hapi tapën, ajo kundërmoi me taftin e kishës për krishtlindje. Ndezi zjarrin,vuri një kusi të ziejë, hodhi brenda gjithë ç'duhen për një supë peshku, pastaj poqi koran. Na ftoi dhe ne, pasi na rrëfeu historinë e peshkut në bark të robit, që s’e tret as limoni e as molla, po veç vera, që ia ngrin princit koran gazin ne buzë.
Pastaj erdhën piktorët nga humbtaja e Drilonit, të lodhur po të gëzuar, se kishin punuar goxha. Konstantin Kristofori kishte parë shtojzovallen në blatishtë, ndërsa Filipi dhe Skënderi patën ndier tingëllimën e dritës së hënës në kanavacë, siç e tregon Bethoveni te Sonata e Hënës. Ata e njihnin personazhin e tyre të akuarelit, grafikës dhe bojës së vajit, Plakun e Heminguejt, që gjuante gjithë jetën vetëm fillikat dhe kishte mbetur tuhaf dhe varfanjak. Ai e merrte kuzhinën me vete dhe gjatë kohës së tij proverbiale kishte humbur emrin, pothuajse me dashje, kur i kishin shpjeguar historinë e Plakut dhe Detit. E lamë atje te zjarri i tij me pashqit dhe bandën që dëgjohej kur e kur, teksa bulçitë e tij s'kishin punë tjetër për të bërë.
* * *
Planet e fundit. Dy pleqtë tanë, ata që kishin ndërtuar Drilonin, se ai s'kishte ekzistuar me parë, kish qenë veç shtuf e kallamishte, marrin barkën plot me kafazë zogjsh dhe fillojnë vozitjen në pllangën e hënës mbi liqen si petla jargavanësh. Po s'do të niseshin dot, se ne donim të xhironim Plakun e Heminguejt që lan enët e kuzhinës në liqen dhe u thotë atyre natën e mirë, pastaj i lidh ato nëpër trup dhe largohet duke i rënë me garuzhde sahanit prej bakri. Që larg nga thellësira vinte zëri i tij hokatar: Ti që me zë mua, prokopi mos bëfsh, ti që më ha mua, me bukë e me ujë mos u ngopsh. Pse të na humbte ky plan?
Po prapë diçka na pengonte të mbaronim punë. Gumëzhiti pylli, dëgjohej pianoja, pastaj zëri i mrekullueshëm i Selin Dion. Kishin ardhur djemtë e gjimnazit me frak e papijon, vajzat me fustane të mëdhenj balloje, po veç krahët i mbanin krejt jashtë dhe dekolteja ishte sapak diskrete, hamgjitëse, tunduese. Vallëzonin me një melankoli prej kohësh të Belle Epoque, qirinjtë digjeshn, jo vetëm brenda, nëpër tryeza, por edhe në bar, në liqen, në pemë. Ç'natë! Putheshin. Vajzat vinin kokën në supin e djemve, ndërsa ata qëndronin seriozë sikur mbanin një peshë, që u shkaktonte dhimbje. Vajzat ia shkrepnin të qarës, ndonjëra nuk e mbante pëshpërimën, po e ngrinte zërin. Pse, vërtet do të ndahemi? Do më lesh?
Të merrte gazi kur shikoje policët që pinin dhe fshinin lotët. Pastaj erdhi ajo ora e kurorës, u futën në pyll çifte- çifte (O Zot, ç'bukuri ! ) dhe... pasi shkulën shiritat e Bashkisë (policët s'guxonin t'i ndalonin, se ishte vërtet mëkat), filluan të këpusnin degë me lule për kurorë. O, ç'masakër e shenjtëruar me puthje dhe të qara që të këpusnin shpirtin. Ç'vajza të bukura, ç'djem elegantë pa gojë, ndërsa ato i mallkonin me shumë dashuri. Vërtet s'do të shihemi më, Jovkë? S'do m'i shkruash më ato fjalë çdo mëngjes, s'do ma fërkosh kofshën nën bankë, s'do... Djem pa gojë. Pinin vendçe ama, e ndjenin që po humbnin përgjithmonë, po nga mendjelehtësia nuk kuptonin se koha e artë e Belle Epoque perëndonte sonte, si hëna në Malin e Thatë. Kishin për ta kërkuar këtë kohë, por ajo s'do të kthehej më.
Lasgush, ta lanë kërcu junapin tënd dhe mështeknën dhe begonien dhe kumbullën e kuqe dhe, sikur të shfaqeshe sonte, ti vetëm sa do të ngrije bastunin tënd dhe do t'i stërpikje me dritën e hënës së liqerit, se ç'mund të bëje tjetër, o vjershëtor i asaj psherëtimës së artë. Ti po vjen që prej së largu... Po jo, ata po ndahen pergjithmonë. Kjo është dhimbja e kësaj nate, që i bën policët të harrojnë detyrën dhe të struken duke fshirë lotët e nxehtë. Kështu ka ndodhur gjithmonë, ndërsa qirinjtë digjen dhe pianoja i bie valseve brilante të Shtrausit.
Dy pleqtë tanë, gërmuqur midis kafazeve të zogjve, u japin rremave ngadalë. Zogjtë flenë. A shikojnë ëndrra zogjtë? Këta pleq i sollën në Drilon atëherë, kur qyteti u mbush me krismat e armëve, atë vit të mbrapshtë, kur turma e zemëruar donte të priste pyllin e Drilonit. Atëherë pleqtë prishën urat, shpirti ua di atë dhimbje, shpirti, që u është bërë tërë bira e të grira, u thërrisnin që atje tej atyre matufëve. Po priten këto peme, o derdimenë, ç'do t'i bëni, dru zjarri, qymyr qe te ziejë raki gjitoni? Po a e dini ju, o malokë, që i kemi marrë kërthinj, ja, ato rrapet e mëdhenj që bëjnë hije engjervije i kemi shkulur brigjeve të Shkumbinit, ato mështeknat me hënë në Moravë... shkoni, shihni punët tuaja, se kjo tokë ka zot. E, ç'zot, dy pleq të mbaruar, por që i njihte tërë qyteti. Kishin marrë pastaj kafazë me zogj, ishin ngjitur nëpër shkallë, i kishin varur degëve. Cicërinin zogjtë e kafazeve që të ndillnin zogjtë vendalinj, që kishin marrë arratinë nga krismat, cicërinin e cicërinin pa pushim sikur të ishin te kurdisur. Ja, ashtu u paqtua sërish Driloni dhe u kthyen nuset.
Tani ishte ajo ora blu e natës, kur ngjyrat sikur dalin nga kisha pasi kanë dëgjuar meshën. Ngjyrat e natës, ato fërgëllima në ajër, ai kumb si i tretur, ai trok humbak nëpër kum, ai vezullim i beftë në gjeratoret e mëdha të liqenit, ai paralajmërim i mbërritjes nga larg i një çifti nositësh që vijnë të ngrohin vezët
në Drilon, atje te pylli që këndon natën, është ajo ora kur djemtë ulen në gjunjë dhe s'thonë asgjë, sepse ata kujtojnë se jeta është e mbushur me dashuri, ky ishte veç hapi i parë, ndërsa vajzat rrinë qiri më këmbë dhe u vënë kurorën në ballë, teksa flasin me dashuri dhe trishtim nate... O Zot, ç'thonë, o Zot,veç t'i dëgjosh ashtu duke qeshur e duke qarë në ajrin e mbushur me aroma dhe tinguj pianoje.
* * *
Pastaj është kërkimi dhe pritja, kush është më i zoti t'i sjellë mikes së vet surprizën e natës së fundit. Rrinë vajzat në pritje. Sa u shkon vajzave pritja. Humbasin djemtë, sepse për disa çaste ata nuk duhet të jenë më aty, po larg, larg nëpër natë, sepse, siç thotë poeti, vajzat kanë lindur për të qarë dhe djemtë për të udhëtuar. Pastaj shfaqen kuturueshëm, dikush ka sjellë lule, një tjetër unazë, ky është propozimi që pranohet ose jo, ngaqë varet kush e bën propozimin, njëri ka nxjerrë nga foleja një qukapik të kuq që ende flë, sepse i mban sytë mbyllur. Pikërisht ky qukapik fitoi, vajza që e mori i puthi sqepin e gjatë, e vuri në gjoks dhe i pëshpëriti. Qukapik, qukapik, trokit në zemrën time, se do ta hap portën sonte, po me vjen keq, se zemrën ma ka marrë një tjetër. Qukapik, qukapik, vajza rrinte më këmbë, ndërsa djali u ul në gjunjë dhe priste që ajo ta ngrinte dhe t'i jepte një të puthur, por kjo s'ndodhi, se vajza donte një tjetër dhe ai një tjetër donte.
Këto plane ishin gati silueta dhe dukej sikur po xhironim fantazma nate. Sa m'u dhimbs ai djalë, që mbeti ashtu më gjunjë për një kohë të gjatë. Po s'kishe çfarë t’i bëje dashurisë, se edhe vetë Lasgushi po të vinte, s'kish ç't’i bënte atij djali të gjorë.
Në barkë një plak i thoshte tjetrit: Mua më pret kafeja e bluar në gur, e pi me plakën dhe s'flasim. Flet liqeni për ne.
Tjetri ia kthen: Ajo imja më pret te dera, atje rri me duar me brumë, vjen erë miell i gatuar me vezë. Gjithmonë ka patur frikë se mos nuk i kthehem më.
* * *
Në mengjes ishim në breg të liqenit për të pritur barkat e peshkatarëve. Ata vinin të murrëtyer nga thëllimi, të parruar, me sy të fryrë nga pagjumësia, hidhnin peshkun në peshoret e ndryshkura: koran, belushkë, lekl, cironkë dhe bënin pazar me ata të hoteleve, bareve, restoranteve.
I pyeta për ata larg në brezin e fundit të liqenit, që ende dukeshin nën mjegull dhe peshkatarët na thanë se ata kishin tri ditë që nuk zinin gjë. Ishte bërë zakon që të mos ktheheshin pa zënë qoftë dhe një koran të vetëm. Ç'bëhet me Plakun e Heminguejt? Ai nuk shet, s'ka njeri, rron me atë që zë, po ama zë, se është peshkatar i vjetër. Ai nxori nusen e mbytur, se atje tej u mbyt një dasmë me gjithë krushqi. E solli në breg, sikur ta kish ngritur nga shtrati, edhe vellon ia kishte gjetur..
Ikëm pas pak dhe rrugës pamë atë djalin e qukapikut të kuq, që kalamendej nëpër rrugë i bërë tapë, vetëm në këmishë, pa xhaketë dhe papijon. Ai kthehej i fundit.
4 Maj 2009