E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet përgatisin “Kushtetutën” e biznesit

Drejtoria e Tatimeve përgatit rregulloren për të drejtat dhe detyrimet fiskale. Aplikohet modeli francez. Libri do të shpërndahet në muajin maj

Shumë shpejt të gjitha bizneset do të kenë “kushtetutën” e tyre. Drejtoria e Tatimeve po përgatit një libër, në të cilin jepen detaje për të gjitha të drejtat dhe detyrimet fiskale që ka sipërmarrja. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pohojnë se deri në fund të majit përfundon përgatitja dhe do të nisë shpërndarja e tij. Ideja është marrë nga sistemi fiskal francez dhe kjo do të krijojë mundësi që personat që ushtrojnë aktivitet privat të kenë sa më shumë informacion për detyrimet dhe të drejtat e tyre.
Libri
Nëse do të hapësh një biznes, nëse të mungon një informacion për taksat që duhet ti paguash shtetit, apo kur mendon se policia apo administrata tatimore po abuzon në kurriz të biznesit tënd; tani përgjigjen e parë mund të mos e marrësh edhe tek tatimet. Një libërth me të gjitha rregullat dhe detyrimet, mund të të vijë në ndihmë për momentin. Duke lexuar informacionin, ke mundësi të shohësh nëse vijueshmëria e biznesit dhe shlyerja e taksave është konform ligjit ose jo. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve shprehen se tatimpaguesit do të posedojnë deri në fundin e muajit maj një broshurë e cila ka synim që të informojë, edukojë dhe sqarojë në lidhje me të gjitha procedurat dhe hallkat e funksionimit të një raporti me administratën. Zyra e Shërbimit të Taksave pranë Drejtorisë së Përgjithshme pohon se broshura për tatimpaguesit do të shërbejë si një mjet i drejtpërdrejtë informues dhe orientues, duke lehtësuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet mes palëve.
“Karta e të drejtave”
Në këtë libër flitet për herë të parë për “Kartën e të drejtave”. Për përgatitjen e tij po punojnë ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe ajo do të jetë bashkë me pjesën tjetër, e gatshme për t’u shpërndarë deri në fund të majit. Shpërndarja e kësaj “karte” do të bëhet në mënyrë të ngjashme me çdo publikim tjetër, që harton dhe publikon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke iu vënë në dispozicion të tatimpaguesve, qoftë në formë libri, qoftë edhe në faqen zyrtare të internetit të DPTT. Ky dokument shërben si orientues, rregullore praktike, e cila është përgatitur duke u bazuar te legjislacioni në fuqi.
Drejtoria e Tatimeve ka ndërmarrë një sërë shërbimesh për biznesin. Më i fundit ishte ai për deklarimin tatimor on-line. Në bazë të një marrëveshjeje që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë para pak kohësh me Ministrinë e Financave, tatimpaguesit që kanë deklaruar dhe paguar tatimet në mënyrë elektronike, do të kenë mundësinë të marrin konfirmimin e pagesës së detyrimeve të tyre tatimore brenda 24 orëve. Duke nisur që nga ky muaj, të gjithë këta taksapagues kanë mundësinë që të verifikojnë të dhënat e tyre tatimore në rrugë elektronike, në të njëjtat procedura si ato bankare.

Projektligji, një kapitull për të drejtat e informimit

Më në fund, edhe të drejtat e taksapaguesve përcaktohen me ligj. Në draftin për “Procedurat tatimore”, i ndryshuar, përcaktohen një numër të drejtash, të cilat i japin atij mbrojtje ligjore, qoftë nga veprimet abuzime të administratës tatimore, qoftë edhe në aspekte të tjera. Më poshtë jepen në mënyrë të përmbledhur të gjitha të drejtat:

TË DREJTAT E TAKSAPAGUESVE

Çdo tatimpagues ka të drejtë të marrë informacion falas
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të trajtohet në mënyrë të paanshme
Çdo tatimpagues ka të drejtë që t’i ruhet konfidencialiteti i të dhënave tatimore
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë informacionet që lidhen me pasurinë e tij
Çdo tatimpagues ka të drejtë që kontrollet t’i bëhen në momentin dhe vendin e arsyeshëm
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë përgjigje me shkrim në rast mosmarrëveshjesh
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë vërtetime nga administrata tatimore për aspektet fiskale, pas kërkesës me shkrim
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të emërojë një përfaqësues në marrëdhëniet me administratën tatimore
Çdo tatimpagues ka të drejtë që të ankimohet para marrjes së vendimit nga administrata tatimore

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›