E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa



Eqrem BASHA

Shpresa

Në të gjitha anët ishte përhapur tym. Nuk dalloheshin tanët nga armiku. Dëgjoheshin të shtëna, shpërthime të fuqishme, britma, çjerrje, ulërima. Turma shtyhej përpara dhe kthehej sërish prapa. Hapej një shteg dhe depërtonte në anën tjetër, pastaj përsëri mbyllej tjetri dhe grumbullohej në mes.
Atë ditë unë e kisha humbur Shpresën dhe përpëlitesha nëpër turmë, derisa sytë më erreshin dhe kullonin nga lotsjellësi.
"E kërkoj Shpresën!.. Shpresë!.. Përcilleni!"
"E kërkojnë Shpresën... Përcilleni!", shkoi gojë më gojë emri i saj, si puhi e ngrohtë në gjithë atë shtrëngatë që të ngjethte mishtë.
Për një çast, para meje u duk dhe u zhduk fluturimthi Shpendi lajmëtar, aq sa për t'u përgjigjur në rafal:
"Shpresa ra në duart e policëve. E pashë para pak çasteve… Përpiqej e s'dorëzohej. Thashë do ta vrasin... por u shkëput..."
E tha aq vonë "u shkëput", sa më ngriu zemrën. Por u përmbajta, se erdhi ngushëllimi. "Shpresa në duart e policisë!" Gjithkund ishte përhapur tymi i armëve dhe i lotsjellësit. Nuk e di kush ishte, por një fytyrë e njohur m'u afrua dhe më futi në dorë një shami.
"Vëre në hundë", më tha dhe u zhduk. Në të ikur e pashë. Ishte Shpëtimi.
"Ku është Shpresa, o Shpëtim…", doja ta pyesja, por s'e pashë më.
Ç'kishin që dukeshin e humbisnin kaq shpejt këta njerëz? Ç'kishin që vraponin e s'ndalonin? Pse s'më tregonin ku ishte Shpresa? O Zot, ku ka humbur dhe në duart e kujt është Shpresa jonë?
Mora rrugën përpjetë dhe u përpoqa të dilja nga pjesa e sukës, nga dukej se s'kishte arritur tymi e gazi. Por dikush ma bëri me shenjë.
"Andej kositin me snajper, mos dil."
"E kam humbur Shpresën", klitha, por mora vetëm një përgjigje të turbullt:
"Mbaju, mos e jep veten!"
Vrapova edhe më shumë pas asaj siluete, duke menduar se do ta arrija, por dëgjova një të shtënë dhe ndjeva një zjarr nën brinjë.
“Prit..., të të pyes për Shpresën”, bërtita dhe e zura për gjoksi, por ai më dha të shtyrën dhe u rrëzua bashkë me mua.
"E qëlluan”, bërtiti. “E vranë barbarët.” Ishte Kushtrimi.
Por unë s'isha vrarë.
"E kërkoj Shpresën”, thashë. “Kam frikë se mos e kanë zhdukur.” Atë çast desha të ngreja kokën, por përsëri ndjeva kërcitjen dhe dorën që ma plandosi kokën për tokë.
"Unë jam Shpresa", më tha ai zë i njohur, "i marrë!"
"Të gjeta, më në fund", i thashë dhe desha ta shihja, por tashmë më ishin errur sytë. "Mendova se të zhdukën," mezi fola dhe preka nënbrinjën. Aty digjte dhe rridhte një burim i nxehtë.
Por nuk ndjeja dhembje, se e kisha gjetur Shpresën.

Më i vogli qeshte

Ishte fundi i një dite të gjatë dhe të përgjakshme. Të gjithë rënkonim e shëronim plagët, ndërsa më i vogli vetëm qeshte.
Na kishin rreshtuar dhe na kishin mbështetur pas murit. Nuk e kishim të qartë se ç'do të bënin me ne, por ishim gjakftohtë.
Vetëm më i vogli qeshte.
Do të na pushkatojnë, tha dikush. Një tjetër u kujtua të na tregonte se ishte vrarë një shok. Lëshoi një ofshamë dhe e përhapi lajmin nëpër rresht.
"U vra Shpendi. Përcille!"
"U vra Shpendi. Përcille!"
Më i vogli qeshi.
Edhe pse më kullonte plaga nën brinjë, mendoja fytyrën e qeshur të Shpendit, që kishte rrëmbyer një kore nga vitrina e thyer e shitores së bukës duke u tallur, si gjithmonë me mua:
"Fitorja do të jetë jona, por ne nuk do të jemi..."
Më i vogli ende qeshte.
Kishte kaluar mesi i ditës, ndërsa ne qëndronim gjithnjë të mbështetur pas murit.
Dikush tha prapë se do të na pushkatonin. Një tjetër përmendi burgun e Pozharevcit. Parajsë, tha një i tretë, kundruall atij të Leskovcit. S'keni njohur Sing Singun e Beogradit, tha musteqoshi.
Më i vogli qeshi.
Kishte kohë që kishte kaluar mesdita, por ne ende rrinim të mbështetur pas murit. Unë e ndjeja plagën ndër brinjë dhe dëgjoja bisedat e shokëve. Që të gjithë, që të gjithë ishim të vrenjtur dhe të vrarë në fytyrë.
Vetëm më i vogli qeshte.
Gjithë ditën kishim ndenjur ndanë murit. Megjithatë, asnjëri nuk rënkonte. Nuk e dinim ç'do të sillte e nesërmja. Ishim tejet të brengosur. Në fytyrat tona asnjë shpresë...Vetëm njëri tha:
"Fitorja është jona."
Kurse më i vogli qeshi.
Një polic ishte afruar dhe më frynte te veshi. Ndieja erë djerse, erë temjani, erë alkooli. Nga shtypja e tij nuk e diktoja brinjën. Ç'është kjo stërvinë, thosha me vete dhe s'rënkoja, derisa më i vogli qeshte.
"Uluni", na tha ai. Dhe u ulëm. Të gjithë dëgjonin kërcëllimat e eshtrave. Dhe të gjithë rënkonin nën peshën e lodhjes. Vetëm më i vogli, më i vogli s'e pushonte qeshjen dhe rrinte më këmbë.
"Ulu", i thashë, “ulu, se se do t’na vrasin.”
"S'ulem”, tha. Dhe më dha dorën e ftohtë.
Siç isha ulur, ia hodha sytë dhe e ngushëllova. Kishte kohë që ishte i ngrirë. I qeshur dhe i vdekur, derisa të gjithë të tjerët hiqnim kah del shpirti.

REGJIMENTI

Togeri vështroi qiellin dhe futi revolen në brez.
- Koha punon për ne, - tha. – Prapë do të bjerë shi.
Të tjerët mbushnin armët.
Ishte errë, nxinte në të gjitha anët dhe dukej sikur mbretëronte heshtja e vdekjes. Një qetësi para furtunës.
- Kjo na krijon përparësi, - tha sërish togeri dhe mbërtheu mushamanë. - Shqiptarët janë në pikë të hidhërimit dhe e kanë shpirtin në hundë. Për ta furtuna dhe shiu s'janë asnjë pengesë. Do të vrapojnë si i zbathuri në akull dhe do t'i këputë e papritura, ndërsa ne do t'i presim gjakftohtë në të ngrohtë. S'keni pse shqetësoheni. Ata do t'ju hidhen vetë në tyta.
- Më falni, - tha njëri nga fundi i rreshtit duke ngritur dorën.
- Nuk kam përfunduar, - tha togeri. Dhe, ndërsa vazhdonte rivistën e regjimentit, ndreqte herë një rrip, herë një kaskë, pa harruar që të rrihte shkopin e gomës në pulpën e këmbës.
Do t’ia kriste shiu, se ishte nxirë e errë nga lindja. Dita kishte kohë që kishte marrë kthesën, pas mëngjesit me diell të rrejshëm. As sorrat në plepat përballë nuk krrokatnin më. Çdo gjë ishte shndërruar në pritje.
- Gati?
- Siurdhëron!
- Gati?
- Siurdhëron!
Të gjithë kishin mbushur karikatorët dhe ngjitnin pranë tyre rrethatoret ndihmëse. Togeri kapërdiu pështymën dhe rrahu sërish shkopin e gomës në pulpën e këmbës.
- Mos harxhoni kot plumba, se nuk jepen falas. Qëlloni në mish, jo në qiell. Shqiptarët janë naivë dhe nuk e presin këtë. Ne duhet t'ju përgjigjemi ashpër dhe pa ngurrim. Veprimi ynë duhet të jetë mësim. Këtu qëndron dhe shansi ynë: krismat e armëve do t'i tërbojnë dhe ata do të hidhen vetë mbi tytat tona si mizat pa kokë. Atëherë do t'i kosisim.
Togeri bëri një pushim, ndërsa nga fundi i rreshtit u ngrit një dorë, që ende nuk e kishte mbushur karikatorin e vet.
- Më falni!
- Nuk e kam përfunduar, - tha përsëri ftohtë togeri dhe u ndal në skaj të rreshtit. Regjimenti kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe priste urdhrat.
- Gati?
- Siurdhëron!
- Gati?
- Siurdhëron!
- Të mëshirshmit, të dobëtit, të ndjeshmit, jashtë rreshtit! E qartë?
- Siurdhëron!
- Më falni!
- Nuk e kam përfunduar.
U dëgjuan bubullimat e para dhe shkrepi një vetëtimë. Një tubë sorrash u shpërngul nga kurorat e plepave në anën e kundërt të asaj thellësie të errët e të zezë të lindjes.
- Ne duhet ta thyejmë një herë e përgjithmonë iluzionin e tyre të rrejshëm për liri. Këtu jemi ne ata që urdhërojnë dhe shqiptarët duhet ta kenë të qartë këtë. Para forcës sonë, të gjithë duhet të tërhiqen o të bien nën thundrën tonë. Ata që do të mbeten, më vonë, kur t'i numërojnë të vdekurit dhe të nisin t'i shërojnë plagët, do ta kuptojnë se çka do të thotë prania jonë këtu. Do të binden një herë e përgjithmonë se iluzioni i tyre i lirisë është përrallë. E qartë?
- Siurdhëron! - ushtoi i gjithë regjimenti si një zë dhe u shoqërua me një bubullimë të fortë në prapavijë.
- Kaskat në kokë! - urdhëroi togeri.
- Por unë desha të pyesja, - foli sërish nga fundi i rreshtit ai, që vazhdonte të mbante kaskën e vet në dorë.
- Nuk ka pyetje e përgjigje. Ka vetëm veprim!
- Unë jam shqiptar.
Togeri u ndal një çast, sikur ta kishte qëlluar një e papritur, por nuk e humbi toruan.
- Aq më mirë, - bërtiti ai, gjithnjë duke rrahur shkopin e gomës në pulpën e këmbës, - ti i njeh ata dhe e di si duhet vepruar.
Pastaj nisi një shi me voza, krisi, vetoi, shpërtheu furtuna dhe gjithçka u nxi edhe më keq. Por, në qetësinë e shkurtër para furtunës, rrokullisja e një kaske metalike në çimenton e kazermës ishte zhurma që zotëroi të gjitha të tjerat.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›