I dehuri humb kontrollin e automjetit, aksidentoi me vdekje 5-vjeçarin
Tiranë – Forcat e policisë kanë ndaluar 32-vjeçarin Artur Teka, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, pasi humbja e kontrollit ndaj automjetit që drejtonte ka shkaktuar jetën e një fëmije 5-vjeçar. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burimet policore, sipas të cilave, autori i aksidentit ishte duke qarkulluar me automjetin tip “Volkswagen”, me targa TR 3780 H, në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë ish-restorant “Durrësi”, kur si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit, është përplasur me dy kosha plehrash. Më pas ka kaluar në trotuarin e krahut tjetër të rrugës, duke aksidentuar këmbësorët Voleta Krosi, 22 vjeçe dhe nipin e saj, Selanc Selaci, 5 vjeç, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Aty, me gjithë ndihmën e menjëhershme mjekësore të dhënë, fëmija 5-vjeçar nuk ka mundur të jetojë. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe të “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur”, parashikuar nga nenet 290/1 dhe 291 të Kodit Penal.
Jetonte në gjendje të keqe, prej një viti i divorcuar, gjendet i vetëvarur 58-vjeçari
Kapshticë - Në Kapshticë të Devollit është gjetur i vetëvarur nga të afërm në banesën e tij 58-vjeçari Nexhdet Kutrolli, lindur dhe banues i këtij fshati. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se ai ishte varur në kuzhinën e banesës me një litar material lini. Nga deklarimet e të afërmve rezulton se viktima prej një viti ishte divorcuar nga bashkëshortja dhe jetonte i vetëm, në kushte të vështira ekonomike duke e siguruar jetesën me kanoçe të mbledhura. Ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje mendore dhe as nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Policia ka kryer veprimet e para hetimore për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
4 Maj 2009