Me taksi nga Fieri drejt Athinës, arrestohet shoferi i klandestinëve
GJIROKASTER - Arrestohet në flagrancë një trafikant klandestinësh. Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, është vënë në pranga Josif Beqiraj, 62 vjeç nga fshati Metoq i Sarandës. Automjeti i tij tip "Benz" me targë SR 5407 B, shërbente si mjet transporti për personat që kërkonin të kalonin drejt Greqisë në mënyra të ndryshme. Pesë persona prej të cilave tre femra, një fëmijë i vogël dhe një burrë, kanë qenë në bordin e automjetit në fjalë duke përshkuar rrugën nga destinacioni fillestar në Fier me atë final Athinën. Gratë në bord patën deklaruar se shumat e kërkuara do të jepeshin nga bashkëshortët e tyre në momentin e mbërritjes në Athinë. Kalimin e tyre drejt Greqisë, e pati siguruar vetë shoferi i makinës duke siguruar edhe dokumentet, të cilat më pas u konstatuan nga policia si të falsifikuara. Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë qenë në dijeni se automjeti me shtetasit klandestinë qarkullonte nga Fieri në drejtim të Kakavijës. Rreth orës 23:40, automjeti është pikasur në Jorgucat. Një postbllok policie i ka bërë thirrje që të ndalonte, por shoferi ka devijuar drejtimin, duke ndjekur një rrugë qorre. Kjo zgjedhje ka rezultuar e pasuksesshme për 63-vjeçarin, i cili nuk ka mundur dot të largohet, pasi është bllokuar në momentin e fundit nga uniformat blu. Automjeti së bashku me personat e ndodhur në bord është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme më të specializuara. p.n