Edgar Çani, dopietë në debutim
E ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e re Edgar çani me skuadrën e Piaçencës. Talenti shqiptar ka shënuar dy gola në ndeshjen e parë të tij me këtë skuadër duke rezultuar deciziv në fitoren në transfertë ndaj Triestinës. çani, i cili u prezantuar vetëm ditën e pardjeshme si blerja më e re e Piaçencës luajti dje në Trieste nga minuta e parë duke treguar një formë të shkëlqyer. Një gol me kokë dhe një tjetër me këmbë të Edgar çanit, falë asist të Sivoski dhe Moskardelit (ky i fundit shënoi edhe golin e tretë për Piaçencën) i dhanë një fitore mëse të merituar Pieçencës e cila ëndërron tashmë ngjitjen në Serinë A. çani, luajti pjesën e parë të këtij sezoni për Padovën por pa pasur mundësi aktivizimi rregullisht, ndaj ai kërkoi që të largohej. Drejtuesit e Palermos, skuadër e cila ka në pronësi kartonin e futbollistit shqiptar pranuan ofertën e Piaçencës për deri në fund të këtij sezoni. Më pas talenti shqiptar (që fatkeqësisht nuk është akoma në listën e federatës) do të kalojë te Palermo, e cila me shumë gjasa nuk do ta japë më në huazim.