Bylis, në arrati, humbet Elbasani dhe Lushnja
Leonard KarajBylis fiton ndaj Memaliajt, Elbasani dhe Lushnja e nisin me humbje fazën e dytë. Shtyhet për shkak të dëborës dy ndeshje të tjera të javës së 16-të.Bylisi nuk njeh rivalë në Kategorinë e Parë. Ballshiotët kanë fituar lehtësisht ndaj debutuesve të Memaliajt duke “zgjatur” hapin drejt Kategorisë Superiore. Në ndihmë në fakt i kanë ardhur edhe vetë ndjekësit më të afërt, Elbasani dhe Lushnja, të cilët humbën në transferuat e tyre respektivisht në Lezhë dhe Gjirokastër. Verdheblutë shënuan të parët me anë të Dalipit por pa mundur që të ruanin këtë rezultat. Për tu theksuar është fakti se Elbasani luajti për gati një pjesë loje me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të portierit maqedonas, Mançevski. Ndërsa lushnjarët janë ndëshkuar nga një ish-lojtar i tyre, Zharkalliu. Ky iu fundit rezultoi lojtari-gol i kësaj ndeshje duke i dhënë tri pikë të arta Luftëtarit. Gjithsesi, renditja në vendet e para nuk ka ndryshuar edhe pas ndeshjeve të javës së 16-të, me përjashtim të galopimit të Adës, e cila pas fitores së djeshme ndaj Kamzës ka zënë përkohësisht vendin e 4-t. Ndërkohë, si rezultat i kushteve të papërshtatshme në stadiumin e Librazhdit dhe në fushën sportive të Bilishtit, të mbuluara me borë, nuk janë luajtur dy ndeshje, të shtyra për një datë tjetër, konkretisht Sopoti-Burreli dhe Bilishti-Partizani. Ndeshja e Cërrikut, mes Turbinës dhe Pogradecit, është fituar nga miqtë, të cilët u shtojnë “aksione” pretendimeve të tyre për t’u renditur në fund të garës mes katër skuadrave të para, me qëllim që ta provojnë shansin edhe përmes “play-out”-it për ta bërë realitet pjesëmarrjen në Superligë. Ndërkohë, sfida e luajtur në çorovodë, mes Skraparit dhe Gramshit, është mbyllur në barazim të bardhë. Kujtojmë se në merkaton e dimrit, sa i takon Kategorisë së Parë, përforcime të shumta ka bërë skuadra e Partizanit. Pavarësisht se në klasifikimin në kampin e kuq janë optimistë për një ngjitje sezonin tjetër në Kategorinë Superiore.