Tirana “shkarkon” Mirel Josën
Leonard KarajTirana fiton në Durrës me një lojtar më pak, duke shkaktuar edhe largimin e trajnerit Mirel Josa. Kastrioti mund Gramozin, ndërsa Dinamo bën “stërvitje” me Skënderbeun. Bardheblutë, të ngarkuar psikologjikisht, pas asaj që ndodhi në derbin e kaluar me Dinamon, ku kapiteni Muka u pezullua 8 javë, ndërsa trajneri Tafaj 1 vit shkonin në Durrës për të bërë kthesën. Ai që ka vendosur fatin e kësaj ndeshjeje ka qenë Sebino Plaku, i ardhur te Tirana në merkaton e janarit, pasi la Dinamon, ku nuk po gjente hapësira aktivizimi. Pikërisht në minutën e 38-të të pjesës së parë, ai kaloi Tiranën në epërsi, duke i shokuar jo pak vendasit, që po sulmonin pareshtur drejt portës së Koronovskit. Maqedonasi ka luajtur si portier titullar, ngaqë Nallbani ishte i pezulluar nga kartoni i kuq që mori në derbin me Dinamon. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka qenë një dialog i gjatë mes sulmit durrsak dhe mbrojtjes bardheblu. Teuta ka sulmuar me forca të shumta, për të barazuar golin e Plakut, por pa sukses, sepse prapavija e kryeqytetasve ka qenë në lartësinë e duhur, edhe pse me një lojtarë më pak pas daljes me karton të kuq të Andi Lilës, në minutën e 48-të. Tirana merr 3 pikë të çmuara, që do të ndikojnë për mirë në moralin e bardhebluve, ndërsa Teuta lë pikë në fushën e saj. Në fund të takimit presidenti i Teutës, Edmond Hysenbelliu ka shkarkuar nga drejtimi i skuadrës së tij trajnerin, Mirel Josa. Ndërsa në Tiranë, Dinamo nuk e ka pasur aspak të vështirë të fitojë ndeshjen e radhës. Kjo, edhe për faktin se kundërshtari ka qenë i dobët dhe me mjaft probleme në këtë fillim viti të ri. Bëhet fjalë për Skënderbeun e Korçës, i cili ka shërbyer si një kundërshtar stërvitor për kryesuesit e kampionatit. Gentian Muca ka hapur serinë e golave, i ndjekur më pas nga Malakarne dhe ka trefishuar rezultatin Emiliano Vila, i ardhur në merkaton e dimrit nga Kroacia për te Dinamo. Në këtë mënyrë, Dinamo nuk u jep asnjë shans kundërshtarëve, që e ndjekin, as Tiranës, që fitoi në Durrës të shtunën 1-0, por as Besës, që sot do të jetë mysafire e Apolonisë në Fier. Situatë e rëndë në kampin korçar, sepse Skënderbeu duket se po e pret shumë herët biletën për të zbritur një kategori më poshtë, atje prej nga erdhi këtë sezon.Ndërkaq është larguar më shumë vendeve të fundit të renditjes, Kastrioti, i cili mundi dje Gramozin e Ersekës. Kapiteni gjirokastrit i Kastriotit, Shameti, përmes një goditjeje me kokë, shënoi golin e vetëm të kësaj sfide. Tre pikë me shumë vlera për skuadrën e drejtuar nga Ramadan Ndreu, që e rendit atë në mesin e artë të klasifikimit. Kujtojmë se në këtë ndeshje ka debutuar në radhët e Kastriotit edhe portieri Ilion Lika, i cili, një javë më parë, në Peqin, e kishte bërë këtë gjë me Vllazninë e Shkodrës. Por mos rënia dakord me presidentin kuqeblu, Valter Fushaj, për detajet e kontratës, e detyruar ish-portierin e kombëtares të ndryshonte destinacion, duke iu bashkuar skuadrës krutane. Nga ana e tij, Gramozi mbetet sërish në fund, duke i bërë shoqëri Flamurtarit, I cili, nga ana e vet ka edhe një ndeshje të prapambetur, nëse mund ta konsiderojmë kështu, atë që do ta përsërisë me Besën, më datën 3 shkurt.