E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kryqëzohet” Xhon Terri, shkoi me gruan e shokut

 Xhon Terri, si Tajgër Uds në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ashtu si Uds, i cili nga një ikonë u transformua në shënjestrën më të mirë të opinionistëve, edhe Terri, në Angli duket se do të kalojë një situatë të ngjashme. Gazetat ishullore i kanë kushtuar dje një vëmendje të veçantë lidhjes së lojtarit me modelen Vanesa Perronçel, bashkëshortja e ish-shokut të skuadrës, Uejn Brixh, i cili luan aktualisht me Mançester Sitin. Terri ishte dëshmitari i dasmës së shokut, por mesa duket ai nuk i ka rezistuar dot tundimit për t’u futur në shtratin e saj. Perronçel dhe Brixh janë divorcuar në dhjetor dhe nga lidhja e tyre ka lindur një djalë. Në të vërtetë, mbrojtësi ishte në dijeni të publikimit të lajmit dhe nuk mundi ta bllokojë këtë gjë nëpërmjet gjykatave. Gjykatësi Xhastin Tugendat tha se nuk mund t’u mbyllte gojën mediave vetëm për të mos humbur sponsorët. Gruaja e lojtarit nuk e ka komentuar lajmin, por sipas miqve, ajo po bën gati procedurat e divorcit. Sipas “Daily Mirror”, këtë radhë ajo nuk do t’ia falë bashkëshortit. Por përveç humbjes së gruas, Terri mund të humbasë edhe shiritin e kapitenit në Kombëtare dhe kjo mund të ndodhë që në miqësoren e marsit kundër Egjiptit. Por “Daily Mail” shkon edhe më tej duke parashikuar se Terri rrezikon pjesëmarrjen në botëror për shkak se Kapelo, trajneri i përfaqësueses angleze, kërkon të ruajë një disiplinë të hekurt në skuadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›