Mjekë që bëjnë punën me dëshirë, apo mjekë të pakënaqur?
Këta trimat që tregojnë dhëmbët e shtetit, harrojnë se ai shteti i ka lënë mjekët të vetëm si interface me shërbimin shëndetësor, të përballen me miletin dhe ndërkohe të mos kenë në dorë as mjetin më normal që u duhet, siç janë medikamentet. Mos kalojmë pastaj tek kushtet në spitale, tek rrogat, tek mundësitë për ta kryer profesionin siç duhet.
Mjeku, sot, është i vetmi subjekt, të cilit qytetari i drejtohet për shërbimet shëndetësore. Sepse s’ka asnjë lloj infrastrukture tjetër shërbyese, s’ka askujt tjetër që qytetari t’i drejtohet. Nuk ju troket njeri në derë siguruesve të shëndetit, administratës së subjekteve shëndetësore e ku di unë se çfarë.
Mirë, apo keq, mjeku është tabela e qitjes për të gjithë miletin. Ai është i çarmatos nga të gjitha mjetet që i duhen për punë dhe ndërkohe detyrohet të përballet dhe me gjithë hallet e tjera të qytetarëve dhe me presionet e me ankesat për ilaçet, për lekët, për kushtet, e ku di unë se çfarë, që, në fund të fundit, s’janë punë e mjekut.
Unë e di në çfarë qeniesh janë kthyer mjekët sot në Shqipëri. E di sa çnjerëzorë na duken një pjesë e tyre. Por, para se të gjuash gurin, secili të mendojë një çikë, si do ishte po të ishte mjek. Po të kishte harxhuar një dekadë të jetës së vet nëpër shkolla, po të kishte bërë stazhin në katund, specializmin mes bërrylave e sakrificave, dhe kalvarin e mundimshëm për të gjetur një vend pune në shëndetësi. Dhe kur t’i kesh kaluar mirë të 30-at, dhe shokët e tu të zanateve të tjera bëjnë muhabetet e kësteve të kredisë së shpisë dhe të makinës 4×4, ti je pa kokërr leku në xhep, me një rrogë skandaloze, me një barrë libra në shpinë, me një listë konferencash, ku do të të duhet të shkosh me lekët e tua, me kortizonet që i ke blerë në farmaci me lekët e tua para se të marrësh rojen e natës, atëhere mendoni nëse do merrnit ndonjë lekë nga pacientët apo jo.
S’po justifikoj ryshfetin, as personin për të cilin bën llaf shkrimi, se nuk e di fare rastin e tij. Por ne duam të shërbehemi nga mjekë që e bëjnë me dëshirë punën e tyre dhe që shpërblehen për mundin, dhe jo nga njerëz të pakënaqur, të pavlerësuar.