Rrahin bashkëfshatarin, pas sherrit në kafene
KORÇE - Futen forcërisht në oborrin e shtëpisë së bashkëfshatarit dhe e dhunojnë derisa e lënë pa ndjenja. Ngjarja ndodhi të martën, në fshatin Pojan, rreth 17 kilometra larg Korçës. Sipas policisë, Altin Liçollari, 32 vjeç, dhe Fatjon Liçollari, 30 vjeç, dhunuan shtetasin A.G. Sipas hetimeve, disa ditë më parë, Altini ishte grindur me bashkëfshatarin A. G., në kafenenë e fshatit. Prej asaj dite ata nuk ishin takuar më. Por më pas, 32-vjeçari i kërkon ndihmë Fatjon Liçollarit për t'u hakmarrë. Meqë ata nuk mundën ta gjenin nëpër fshat, i shkuan në shtëpi. Pasi e thërrasin në emër, viktima del tek dera e shtëpisë. Dy kushërinjtë e qëllojnë me grushte e shkelma, derisa e lënë pa ndjenja. Të afërmit e dërguan në spitalin e Korçës, nga ku mësohet se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Policia e sinjalizuar nga familjarët e A.G., shkoi në vendin e ngjarjes, e më pas edhe në spital, ku mori deklaratën e të dëmtuarit. Ndaj dy personave nisi hetimi në gjendje të lirë për veprat penale të "dhunimit të banesës në bashkëpunim", "kanosjes në bashkëpunim", dhe "dëmtime të tjera me dashje në bashkëpunim". j.gj