E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më vjen keq për kabllogramet, ishin çorientuese

06/10/2011  Ish-ambasadori Uidhers letër sqaruese për fenomenin “Wikileaks”

Ish-ambasadori amerikan Xhon Uidhers përmes “Top Channel” u është drejtuar shqiptarëve duke komentuar çështjen e “Wikileaks”, kabllogramet dhe raportimet e tij për Shqipërinë, ato për kryeministrin Sali Berisha, Gërdecin, rrugën Durrës–Kukës, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën, problematikën e demokracisë shqiptare, Edi Ramën dhe zgjedhjet. Zoti Uidhers në një letër të hapur një vit pas largimit nga Shqipëria rikthen në vëmendje sërish çështjet që bënë bujë në Shqipëri jo vetëm në periudhën kur ato ndodhën, por dhe pak javë më parë, kur publiku u njoh gjerësisht me atë që mendonte ambasada amerikane për ngjarjet dhe personazhet kryesore. "Gjatë javëve të fundit në mediet tuaja janë shfaqur kabllograme të pretenduara të Departamentit të Shtetit. Informacioni ynë, përfshirë edhe atë mbi Shqipërinë, mblidhet nga një gamë tepër e gjerë burimesh, përfshirë edhe nivelet më të larta të qeverisjes. Ka pasur vazhdimisht spekulime lidhur me këto kabllograme dhe, për fat të keq, një pjesë e madhe e spekulimeve kanë qenë çorientuese dhe të pasakta. Tani ju shkruaj me shpresën për të qartësuar një numër keqperceptimesh që janë duke qarkulluar. Një gjë të tillë nuk e bëj më si ambasadori amerikan në Shqipëri, por si një nënshtetas i vendit tim. Por këtë e bëj edhe si një mik i Shqipërisë dhe si dikush që, siç e dini, beson tek e vërteta", - shkruan Uidhers. Ndonëse në pension dhe duke i qëndruar besnik qëndrimit të Departamentit të Shtetit për fenomenin “Wikileaks”, Uidhers pranon vërtetësinë e brendisë së asaj çfarë është zbuluar përmes kabllogrameve dhe shpjegon deri mënyrën e hartimit të tyre. "Si një ish-diplomat, po aq sa edhe qytetar i vendit, jam thellësisht i keqardhur për fenomenin ‘Wikileaks’. Aftësia e diplomatëve për të folur haptas dhe në mirëbesim me njëri-tjetrin është dhe ka qenë një element thelbësor i profesionit tonë që nga fillimet e tij. Informacioni ynë, përfshirë edhe atë mbi Shqipërinë, mblidhet nga një gamë tepër e gjerë burimesh, përfshirë edhe nivelet më të larta të qeverisjes", - thekson më tej Uidhers.

Marrë nga “Top Channel”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›