E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bernard Kouchner për vizitë në Ruandë

Ruanda dhe Franca kanë hapur një kaptinë të re në marrëdhëniet mes tyre, të cilat janë karakterizuar nga një “histori e errët”, kanë deklaruar ministrat e jashtëm të dy vendeve, pas grindjeve në lidhje me ngjarjet që ndodhën gjatë gjenocidit në Ruandë, në vitin 1994.

Më herët, dy qeveritë kanë shkëmbyer akuza rreth rolit të tyre gjatë kohës së gjenocidit, kur në Ruandë u vranë mbi 800 mijë tutsi dhe hutus të moderuar.

Në vizitën e tij të parë në Ruandë, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në nëntor të vitit të kaluar, Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, theksoi se Parisi dëshiron t’i ndihmojë Ruandës në disa fusha, përfshirë këtu në atë të shëndetësisë, tregtisë dhe teknologjisë.

Ruanda shkëputi marrëdhëniet me Francën para tri viteve, pasi që një gjykatës francez akuzoi bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit të Ruandës, Paul Kagame, për rrëzimin e aeroplanit të ish-presidentit të Ruandës, në prill të vitit 1994, ngjarje kjo e cila nxiti gjenocidin.

Ruanda hodhi poshtë këtu akuzë dhe akuzoi qeverinë e Francës për trajnimin dhe armatosjen e militantëve, të cilët ushtruan dhunë.

“Ne nuk e harrojmë të kaluarën, por është me rëndësi të mendojmë për të ardhmen. Do të zhvillojmë shumë projekte”, tha Kouchner.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›