E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zog(by) i Edi Ramës zyrtarizon lidhjen me Erion Veliajn

Pjesa e dytë e parodisë së sondazhit ka konfirmuar ilegalitetin e një aksioni, të cilit i dihet vetëm porositësi: Edi Rama. Sërish nuk tregohet kompania shqiptare që shpërndan formularët në terren, ndërkohë që shumë të dhëna bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, pasi s’është llogaritur mirë fitorja e Edvinit, por edhe përpjekja për të mos u dukur si shumë të njëanshëm.


Rekord besnikërie për Erion Velinë, i cili figuron në sondazh, edhe pse ende s’e kishte formuar partinë e tij. S’dihet si do ta menazhojë xhelozinë për këtë fakt, Skënder Gjinushi S’e kanë mbajtur dot veten dhe e kanë shpallur aleancën dhe besnikërinë ndaj njëri-tjetrit tek sondazhi i dytë i porositur nga Zogby (Zgobi, thonë në mënyrë qesëndisëse kritikët e kësaj kompanie), pa e zyrtarizuar ende koalicionin. Kompania amerikane e ka klasifikuar formacionin (ashtu po i themi) e Erion Velisë me 2 përqind të preferencave, edhe pse ajo s’ka qenë fare në formularët që u janë shpërndarë shqiptarëve (të paktën, thuhet se u janë shpërndarë në dy javët e para të shkurtit). Analiza e shifrave të përkrahjes për partitë politike ka konfirmuar edhe njëherë përfundimet e nxjerra sipas parimit të këpucarit; pra që punon me materialin e porositësit dhe sipas përmasave të porositësit. Pas demaskimit që i ndodhi Zogby-t me sondazhin e parë dhe buliminë që u reflektua me sponsorizimin e turpshëm të Edvinit dhe ylberistëve, shifrat e sondazhit të dytë është bërë përpjekje të rrumbullakosen disi, por duke u kujdesur që t’i japin Edvinit atë dozën e duhur të ilaçit që e konfirmon (në fakt, s’e beson as vetë) si liderin e padiskutueshëm të opozitës dhe kandidatin potencial për të marrë drejtimin e vendit. Sondazhet po ndjekin tëpkë parimet e dikurshme të Frontit Demokratik, kur festa nis që përpara për partinë që do të fitojë dhe kandidatët e përbashkët, të cilët triumfojnë përballë armiqve të partisë. Analiza është e thjeshtë po të shohësh inkonseguencat e mëdha që shoqërojnë edhe rezultatet e dyta. Partia Socialiste pëson një rënie në perceptimin e besueshmërisë, megjithatë si rezultat final ajo del se është rritur me dy përqind (!!). Gjithçka është kryer për të rritur disi besueshmërinë tek sondazhi, të bërë copash pas rezultateve-paçavure të herës së parë dhe besueshmëria ndaj Partisë Demokratike është rritur, edhe pse kjo nuk reflektohet edhe në rritjen e besueshmërisë ndaj qeverisjes së kryeministrit Berisha. Tjetër shifër e porositur për të ushqyer lopën e “politikës së re” është rënia e besimit të zgjedhësve se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Pra, gjithçka, që të merret doza e propagandës se nuk jemi mirë, e se përtej së majtës e së djathtës, duhet lëvizur për të ndryshuar (pra, për t’i dhënë cicë pushteti Edvinit). S’meriton shumë vëmendje edhe hileja e dytë “Top Channel – Zogby”, as hartimi i rezultateve si një pamflet propagandistik, që rreket t’u tregojë njerëzve se “Fronti Demokratik” i Edvinit duhet të triumfojë mbi armiqtë e popullit, pra mbi armikun Sali Berisha. Mungojnë sërish partnerët në terren, ata që kanë shpërndarë formularët dhe kanë përpunuar të dhënat, një drojë që shkon gjithashtu në drejtim të analizës së lartpërmendur. Çuditërisht, moderimi i rezultateve po shoqërohet me ekstremizimin e komenteve, bile disa syresh, që e dinë mirë se si po funksionon fabrika e sondazhit, paralajmëruan që tani, se sondazhi tjetër do të jetë dërrmues për Partinë Demokratike, meqenëse qenka regjistruar tashmë edhe “skandali Pango”. Në fakt, më herët gjatë shkurtit na ishte regjistruar “skandali i Jalit”, por ai u shndërrua në demaskues për kartelin e ndërtimit e duket se e njëjta kurbë po regjistrohet edhe me fabrikimet e tjera të kësaj natyre. Derisa të dëgjojmë pamfletin e tretë dërrmues të Frontit Demokratik dhe kompanive mediatike që gjithnjë e më shumë po i ngjajnë infrastrukturës propagandistike që ishte ngritur dikur për të mbështetur “fitoren 100 përqind të kandidatëve tanë”, mbetemi tek konfirmimi i të vetmit fakt kurioz të sondazhit të dytë; atë të besnikërisë së madhe që kanë porositësit e sondazhit për Erion Velinë, të cilët s’ndenjën dot pa e klasifikuar me 2 përqind të preferencave, edhe pse ai s’ishte hiç parti politike, e sot vështirë se ka ndonjë kandidat për të qenë për “Frontin”. Duhet të shohim më vëmendje edhe ç’mendon Skënder Gjinushi për këtë çështje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›