Medi Bici përgjigjet para deputetëve për në Gjykatën e Lartë
Seanca e parë dëgjimore me kandidatët e përzgjedhur për në Gjykatën e Lartë nga Presidenti Topi, nisi dje në Komisionin e Ligjeve me Medi Bicin. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda u është përgjigjur pyetje të shumta të ardhura nga deputetët e të dy krahëve. Ndonëse një seancë dëgjimore, ajo nuk i ka shpëtuar debatit mes të dyja palëve. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, denoncoi këtë proces duke e cilësuar si të montuar politikisht, pasi sipas tij, kandidatëve u janë bërë pyetje antikushtetuese dhe për më tej ata do t'i nënshtrohen votimit të hapur. "A ju vjen keq që unë e denoncoj këtë proces, si një proces të montuar politikisht, i cili do të përfundojë me votim të hapur në seancë plenare, duke iu përgjigjur kamxhikut politik që ka ndërtuar maxhoranca. A ju vjen keq që unë mendoj se pyetjet, të cilave ju u jeni përgjigjur janë skandaloze?", tha Tahiri. Por pyetja e drejtuar Bicit nga Tahiri shkaktoi reagimin e maxhorancës, pasi disa herë atij iu ndërpre fjala nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Për më tej Bici është përgjigjur duke thënë se mbështet votimin e hapur në Kuvend. "Unë kam qenë edhe njëherë kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë para dy vjetësh, dhe megjithëse kisha një veprimtari 17 vjet në gjyqësor, kam kaluar në votim anonim. Dhe për mua më bëhet mirë që të vij të deklaroj të paktën që këto rezultate kanë dhjetë vjet që nuk deklarohen", tha Bici. Pyetjes së deputetëve nëse ka dhënë vendime në konflikt interesi, ai i është përgjigjur se asnjëherë nuk ka dhënë vendime në konflikt interesi. Për më tej ai deklaroi se në sistemin e drejtësisë nuk duhet të ketë njerëz nga e kaluara komuniste. "Nuk kam asnjë lloj mbështetjeje politike, nuk kam qenë asnjëherë, as para '90 dhe as pas '90 anëtar i ndonjë partie politike, organizate politike. Para '90 kam vuajtur nga këto vendime, kështu që mendimi im është që në këtë stad që jemi, kërkojmë të hyjmë në Europë, nuk duhet të ketë gjyqtarë të tillë në sistemin e drejtësisë", vijoi Bici. Më tej kandidati Bici kritikoi në disa raste punën e Gjykatës së Lartë pasi sipas tij ka pasur standarde të ndryshe për çështje të njëjta.