E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje në grupin e PS për bojkotin ndaj Kuvendit, Ruçi: S’do votojmë më asnjë ligj



Erald Kapri

Partia Socialiste do të rikthejë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, duke mos votuar asnjë ligj pavarësisht pjesëmarrjes në punimet e Kuvendit. Grupi Parlamentar i PS-së u mblodh dje dhe diskutoi në lidhje me qëndrimin e opozitës, por në mbledhjen me dyer të mbyllura deputetët kanë debatuar për bojkotin të Kuvendit. Në përfundim të mbledhjes, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se u morën 3 vendime. "Duke filluar që nga dita e nesërme, Grupi Parlamentar Socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë, e as me shumicë të cilësuar", deklaroi Ruçi. Ai tha se grupi vendosi që "do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin". Nga ana tjetër, Ruçi bëri me dije se opozita do të ndërmarrë hapa të tjera, por kjo strategji e re do të bëhet e ditur në muajin shtator, me fillimin e sesionit të ri parlamentar. "Lidhur me hapat e mëtejshme, Grupi Parlamentar Socialist në sesionin e ardhshëm, apo të ri, parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publike hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar", tha Ruçi. Ndonëse kreu i deputetëve të majtë deklaroi se opozita do të vijojë të kërkojë me forcë transparencën e zgjedhjeve, ai nuk bëri me dije nëse do të ketë rikthim të protestave në rrugë.
Debatet në grup
çështja e protestave është prekur në diskutimet me dyer të mbyllura në grup. Mësohet se në diskutimet e tyre, deputetët që morën pjesë në grevën e urisë, Ledi Shamku, Taulant Balla, Arben Ahmetaj e Agim Leka, kanë kërkuar përshkallëzim të protestës opozitare. Ata kanë kërkuar rikthimin e protestave në rrugë, për të detyruar maxhorancën që të pranojë kërkesat e tyre. "Duhet të bëhemi barrikadë njerëzore para Berishës", mësohet të jetë shprehur deputetja Shamku. I ashpër ka qenë edhe Saimir Tahiri, i cili është shprehur se qëndrimit të opozitës i mungon kërcënimi. Nga ana tjetër, deputetët Damian Gjikuri, Ditmir Bushati, Ilir Gjoni dhe Marko Bello, kanë vënë theksin e tyre te ndërkombëtarët dhe që opozita duhet të kërkojnë mbështetjen e tyre për një alternim të kërkesave të opozitës, në raport edhe me të huajt, duke pasur si objektiv kauzën e transparencës. Deputeti Erjon Braçe ka kërkuar vijim e betejës në Parlament, ndërsa nuk ka nënvlerësuar protestat në rrugë. Beteja politike në Kuvend është mbështetur edhe nga deputetë te tjerë. Duke qëndruar tek përshkallëzimi i protestave për arritjen e kërkesave të opozitës, deputeti Arben Malaj ka deklaruar se greva e urisë nuk ia arriti qëllimit të saj, pasi nuk arriti pritshmëritë tek publiku. Malaj ka thënë më tej në mbledhjen e Grupit Parlamentar se Partia Socialiste duhet të jetë e qartë në veprimet e saj politike dhe se duhet të përballet me sfidat politike të mëvonshme. Malaj ka mbështetur qëndrimin e Bashkim Finos, i cili ka kërkuar që Asambleja e PS të mblidhet në shtator për të diskutuar rreth bojkotit.

Debati ne grupin e PS

Gramoz Ruçi: Në kushtet kur Berisha e refuzoi marrëveshjen, ne duhet të rishikojmë marrëdhëniet me Parlamentin dhe të rinisim protestat.
Agim Leka: Unë mendoj që duhet ta bojkotojmë Parlamentin, Berisha nuk ka lëshuar asgjë.
Ledi Shamku: Të kthehemi në rrugë e të bëhemi barrikadë njerëzore, të mos shkojmë në Kuvend.
Marko Bello: Kjo është burracakllëk, po e bojkotuam Kuvendin.
Damian Gjiknuri: Strategjia që nuk funksionon nuk ka pse të përsëritet.
Ditmir Bushati: Parlamentin nuk duhet ta bojkotojmë.
Bashkim Fino: Vendimin për bojkot nuk e marrim vetëm ne si grup parlamentar, por duhet mbledhur Asambleja që mund të mblidhet në fillim të shtatorit.
Ilir Gjoni: Mbështetja e ndërkombëtarëve është e rëndësishme për PS dhe bojkotimi i Parlamentit nuk shkon në këtë drejtim.
Erjon Braçe: Duhet të vazhdojë lufta në Parlament, por edhe protestat në rrugë.
Arben Malaj: Mendoj se për të marrë vendime të rëndësishme, duhet të mblidhen forumet e larta të partisë. Partia Socialiste duhet të ketë një objektiv të qartë politik. Mendoj se greva e urisë nuk arriti pritshmëritë e kërkuara te publiku. Partia Socialiste duhet të orientohet te fitoret e saj, avantazhi si dhe sfidat e ardhshme politike.
Sajmir Tahiri: Ne na mungon kërcënimi. Duhet të jemi strikt deri në fund të këtij sesioni dhe të përgatisim një strategji tjetër për në shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›