Media franceze jehonë turizmit në Shqipëri, Veliaj: Tirana ka diçka për çdo zemër kurioze

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Gazeta e përditshme franceze “Ouest-France” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë dhe kryeqytetit shqiptar, duke e quajtur vendin tonë “perlën e fshehur të Ballkanit” që mirëpret turistët me krahëhapur.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sot se “Tirana, me energjinë dhe ngjyrat e saj unike, vazhdon të mahnisë vizitorët nga e gjithë bota. Nga sheshi “Skënderbej” te Pazari i Ri dhe parqet e gjelbëruara, kryeqyteti ynë ka diçka për çdo zemër kurioze”, tha Veliaj.
Sipas “Ouest-France”, në më pak se një dekadë, Shqipëria është bërë një destinacion i kërkuar nga turistët që kërkojnë diçka origjinale, natyrë të pacenuar dhe çmime të përballueshme.
Ofertat turistike vijnë si një ndërthurje mes plazheve me ujëra të kaltra, relievit malor dhe fshatrave piktoreskë.
Riviera shqiptare merr vëmendje të shtuar në këtë artikull, ndërsa Tirana me pikat strategjike, që nga sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, po merr çdo ditë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.
Shqipëria vazhdon të njohë shtim në numrin e turistëve që vizitojnë vendin tonë, duke çuar numrin në 10,4 milionë turistë ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit 2013.
Fotot nga artikulli i gazetës franceze “Ouest-France” 1 nga 4/r.e//a.f/