E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media holandeze: Shqipëri-Poloni, sfida Han-Benhaker

Rikthimi i Shqipërisë më FIFA e UEFA do të shoqërohet me një shije të vecantë për trajnerin holandez Ari Han, tekniku i katërt i huaj brenda tetë viteve të fundit. Aventura në rang kombëtaresh do të fillojë me miqësoren kundër Polonisë, të programuar më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë.
Sipas faqes holandeze voetbalprimeur.nl, sfida është shumë tërheqëse, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për testimin të një prej skuadrave pjesëmarrëse në finalet e Kampionatit Europian, Polonisë, por për një përballje midis dy teknikeve "portokalli": Ari Hanit që drejton nga muaji janar 2008 Shqipërinë dhe Leo Benhakerit, që arriti jo vetëm ta cojë Poloninë midis 16 më të mirave të kontinentit, por siguroi edhe një kontratë të dytë me federatën polake.
Sfida brenda llojit "portokalli" do ta shoqërojë sërish Ari Hanin, pasi do të përballet me Ervin Koemanin, holandezin që tashmë drejton Hungarinë, një nga gjashtë ekipet që bëjnë pjesë së bashku edhe me Shqipërinë në grupin 1 kualifikues të zonës europiane për Botërorin "Afrika e Jugut 2010".
Ndërkohë trajneri i Polonisë, Leo Benhaker bëri të ditur edhe skuadrën provizore prej 31 lojtarësh, nga e cila do të përzgjedhë edhe 23 futbollistët që do të luajnë në finalet e Euro 2008.
Ky grup lojtarësh do të luajë edhe kundër Maqedonisë, më 26 maj dhe Shqipërisë, më 27 maj. Katër portierë, nëntë mbrojtës, nëntë mesfushorë dhe nëntë sulmuesë ndodhen në listën provizore. Në ndeshjen e fundit miqësore Polonia humbi 3-0 me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›