Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë zotin Yasuo Hayashi
Në vijim të takimeve të tij në Japoni, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë, zotin Yasuo Hayashi.
Organizata e Tregtisë së Jashtme të Japonisë JETRO është një organizatë qeveritare që punon për të nxitur tregtinë dhe investimet, ndërmjet Japonisë dhe vendeve të tjera. Kjo organizatë është krijuar në vitin 1958 për të promovuar eksportet japoneze në botë. Ajo është e vendosur drejt nxitjes së investimeve të huaja në Japoni dhe ndihmës ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të maksimalizuar potencialet eksportuese.
Në këtë takim, kryeministri Berisha u përqendrua në paraqitjen e mundësive dhe kushteve shumë të përshtatshme që paraqet Shqipëria në zhvillimin e investimeve të huaja.
Kryeministri shpjegoi se pozicioni i favorshëm gjeografik i Shqipërisë , me pasuri të shumta natyrore, si dhe masat e vazhdueshme të ndërmarra nga qeveria, në lehtësim të biznesit e bëjnë atë një vend teper atraktiv për investitorët. Ndër të tjera, Kryeministri bëri një ekspoze të masave lehtësuese të qeverisë shqiptare në ndihmë të biznesit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në nismën “Shqipëria 1, euro”, aplikimin e e-taksave, e-prokurimeve, e-doganave, etj, të cilat, së bashku kanë minimizuar barrierat burokratike dhe i kanë dhënë një frymëmarrje të re zhvillimit të biznesit.
Duke theksuar se shumë investitorë janë inkurajuar nga klima e krijuar në Shqipëri për biznesin, Kryeministri Berisha u shpreh se të investosh në Shqipëri është një mundësi e fituar.
Nga ana e tij, zoti Hayash vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga qeveria shqiptare në përmirësimin e klimës ndaj biznesit në tërësi. Ai vuri në dukje se investitorët japoneze kanë shprehur interes të veçantë për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në fushën energjetike. Ai u shpreh se e shihte me përparësi prezantimin që kryeministri Berisha do të mbante para biznesmenëve japonezë, duke konsideruar atë si mënyrën më të mirë për të informuar biznesin për mundësitë e reja që paraqiten në favor të tij.
Duke falenderuar zotin Hayashi për pritjen, kryeministri Berisha e ftoi atë, për një vizitë në Shqipëri.