E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media ndërkombëtare: Protesta të përgjakshme në Tiranë

“Mijëra protestues i kërkuan kryeministrit të Shqipërisë dorëheqjen, pasi e akuzuan për lidhje me korrupsionin. Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste”

Mediat ndërkombëtare e kanë pasqyruar me interes protestën e përgjakshme, të ndodhur dje në Tiranë. Shumica prej tyre, ndër titujt kryesor kishin atë për protestën e opozitës dhe vrasjen e tre demonstruesve në kryeqytetin shqiptar. Përveç përshkrimit të situatës së ndodhur, në artikujt e medias ndërkombëtare është përshkruar edhe ngërçi politik, që ka përfshirë vendin që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

CNN: Mbeten tre të vrarë në

protestat anti-qeveri në Shqipëri

Së paku tre persona janë vrarë të premten, gjatë protestave anti-qeveri, përpara zyrës së kryeministrit. Mijëra protestues i kërkuan kryeministrit të Shqipërisë dorëheqjen, pasi e akuzuan për lidhje me korrupsionin. Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste. Disa protestues u përplasën me më shumë se një mijë forca politike, që ishte vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Protestuesit lëshuan gurë dhe molotov drejt policisë, përpara se sa policia të përdorte ujin për të shpërndarë turmën. Tre protestues u lajmërua të kenë vdekur dhe 23 janë plagosur, përfshirë tre në gjendje të rëndë, për shkak të plagosjeve. Këtë lajm e konfirmon Sami Koçeku, shefi i emergjencave në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Së paku, 17 policë janë deklaruar të plagosur gjithashtu nga kjo përplasje. Partia Socialiste bojkotoi Parlamentin e Shqipërisë, nga shtatori i vitit 2009, deri në shkurtin e vitit 2010.

Reuters: Shpërthejnë protestat në

Shqipëri, raportohen tre të vdekur

Tre persona u lajmërua të kenë vdekur, pas përplasjeve me policinë, para zyrës së kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë protestës së ditës së premte. “Shenjat tregojnë se viktimat janë qëlluar nga afër, nga armë të kalibrit të vogël, pistoletë. Ata erdhën të vdekur në spital”, u shpreh Sami Koçeku, drejtues në Spitalin Ushtarak. Janë parë gjurmë gjaku nëpër rrugë dhe policia njoftoi gjithashtu për disa oficerë të lënduar. Mbështetësit e opozitës dhe Partisë Socialiste, më parë qëlluan kryeministrinë me gurë dhe mjete të forta, shkopinj dhe çadra. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, plumba manovër, ujë dhe granata tymuese. Shumë tym u vu re edhe pas djegies së disa makinave të policisë. Gjatësia e bulevardit ishte mbushur me protestues dhe dëshmitarë thanë se ishin rreth 20 mijë protestues. Disa prej tyre thërrisnin “fitore” dhe “ai ka ikur”. Policia paralajmëroi turmën të mos hynte në ndërtesën e qeverisë dhe vetëm pak prej tyre hynë brenda. Pas tre orësh përplasjesh, policia shpërndau turmën dhe mori nën kontroll bulevardin kryesor të kryeqytetit.

BBC: Protestuesit përplasen

me policinë, tre të vdekur

Tre njerëz i vranë në kryeqytetin e Shqipërisë, gjatë përplasjeve mes policisë dhe mijëra mbështetësve. Një turmë rreth 20,000 persona po protestonte në bulevardin kryesor, duke kërkuar largimin e qeverisë konservatore. Protesta pasoi dorëheqjen e zv.kryeministrit, Ilir Meta, pas një skandali të publikuar.

Balkaninsight: Përplasje në

Shqipëri, tre protestues të vdekur

Tre protestues janë qëlluar për vdekje dhe rreth 40 demonstrues e policë janë plagosur në protestat anti-qeveritare, në kryeqytetin shqiptar. Sami Koçeku, zv.drejtori i Spitalit Ushtarak, konfirmoi vdekjet dhe tha se 23 protestues e 17 policë janë plagosur, mes të cilëve tre në gjendje të rëndë. Më herët gjatë ditës, qindra protestues sulmuan barrikadën e policisë, e vendosur për të mbrojtur zyrën e kryeministrit, me gurë dhe mjete të forta, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Rreth ndërtesës janë dëgjuar edhe shumë krisma, ndërsa disa makina janë djegur.

Associated Press: 3 të vdekur,

55 të plagosur në Shqipëri

Tre persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën, pas protestave të ashpra anti-qeveri, që u zhvilluan përpara zyrës së kryeministrit, gjatë të premtes. Zyrtarët e lartë të shtetit konfirmuan vdekjen e tre personave, nga të shtënat e armëve gjatë përplasjes mes mbështetësve të opozitës dhe policisë.

Deutsche Ëelle: Tre vetë

humbasin jetën në Tiranë

Të premten në Tiranë, demonstrata antiqeveritare, e mbështetur nga koalicioni opozitar, ka kaluar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Demonstrata e së premtes, që u mbyll në orët e vona të pasdites në Tiranë, degjeneroi rreth orës dy të pasdites, për një kohë të caktuar, në dhunë dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Bilanci zyrtar i viktimave ishte 3 të vrarë nga radhët e demonstruesve. Një person nga Gjirokastra, njëri nga Dibra dhe një i paidentifikuar ende. Ka edhe rreth 25 të plagosur, ose të lënduar nga radhët e demonstruesve. Nga radhët e policisë ka 17 të plagosur. Në orët e mbrëmjes, demonstruesit janë larguar, vetëm disa persona të veçuar, përpara kryeministrisë, kanë qëlluar vazhdimisht me gurë.

VOA: Mijëra përkrahës

të opozitës në Tiranë

Mijëra përkrahës të opozitës po zhvillojnë një tubim proteste përpara ndërtesës së kryeministrisë, gjatë të cilit, sipas burimeve spitalore, dy vetë gjetën vdekjen dhe një i tretë është në gjendje kome. Protesta nisi me parrulla kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit u mblodhën para selisë së qeverisë, nga ora 2, me parrulla kundër korrupsionit dhe më pas shkëmbyen goditje me forcat e shtuara të policisë, të cilat shpërndanë fillimisht protestuesit me pompa uji dhe gazlotsjellës. Shkopinjtë e posterave dhe gurët e një sheshi në rindërtim, para piramidës, u përdorën nga protestuesit për të goditur forcat e rendit; mes të dy palëve ka disa të plagosur, policë dhe qytetarë. Protestuesit e irrituar u vunë zjarrin, një automjeti të policisë dhe 4 automjeteve të tjera private në afërsi të kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›