E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Korçës mbeten në burg shtatë të arrestuarit

SHKRUAN: Irena Vreto 22-01-2011 09:36

Korçë- Masakra e Korçës, autorët shkojnë në gjykatë për masë sigurie burg pa afat për grupin. Shtatë të arrestuar për ngjarjen e tri ditëve më parë në lagjen “Radanec” të Korçës kanë dalë gjatë të premtes para togave të zeza në gjykatën e juglindjes. Trupi gjykues ka vendosur masë sigurie burg pa afat për të shtatë të pandehurit, të cilët kanë mbërritur njëri pas tjetrit në gjykatë nën masa të forta sigurie. Gjyqtari i çështjes ka qenë Besnik Shehu, ndërkohë që akuza është përfaqësuar nga prokurorja Irena Çunoti. Të veshur me jelek antiplumb, të gjithë autorët e përgjakjes që solli 2 të vrarë dhe 3 të plagosur kanë që shoqëruar nga shumë efektiva të policisë, ndërkohë që seancat për masat e sigurisë janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Ngjarja e rëndë ka ndodhur tri ditë më parë dhe është zhvilluar në një lokal bastesh sportive në lagjen e njohur “Radanec” të qytetit të Korçës. Dy grupe të rinjsh janë përleshur me njëri-tjetrin, duke vënë në përdorim armët. Është menduar fillimisht se konflikti për motive të dobëta është mbyllur me këshillimin nga ana e policisë pak ditë para krimit, teksa gjithçka është rindezur sërish. Një pikë bastesh sportive është kthyer në vendin e krimit, ku autori kryesor i ngjarjes, shtetasi Erjon Mukadezi ka përdorur një kallashnikov për të lënë të vdekur në vend njërin prej të rinjve të përfshirë në debat dhe konkretisht shtetasin Mikel Tepexhiku, kurse tjetri, shtetasi Kastriot Hysi, ka vdekur në spitalin ushtarak të Tiranës. Ndërkaq tre të plagosurit e tjerë janë Ermal Demolli, Denis dhe Erjon Meminaj, të cilët ndodhen në spitalin rajonal të Korçës. Erjon Mukadesi ka qenë autori kryesor i kësaj masakre. 28-vjeçari, pasi ka hapur zjarr, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe përgjatë gjithë natës ka qenë i rrethuar nga policia në banesën e një miku të vet deri në momentin e arrestimit të tij. Përgjakja e qytetit mes breshërive të shumta të armëve ka sjellë dy të vrasës dhe tre të plagosur, ndërsa në burg kanë përfunduar plot 7 persona, autorë të këtij krimi të rëndë. Erjon Mukadesi, 28-vjeçar; Irfan Mukollari, 21 vjeç; Fatjon Dinkollari, 27 vjeç; Ervin Mukollari, 19 vjeç; Miri Myrtollari, 27 vjeç; të gjithë banorë të Korçës, si dhe Bashkim Latollari kanë dala para gjykatës për masën e sigurisë. Mukadesi akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kurse të tjerët akuzohen për “Vrasje në bashkëpunim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›