E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet , Mjekët: Operojmë dyfishin e kapaciteteve



Në spitalet e vendit tonë kryhen 18 mijë operacione në vit nga 10 mijë që përballojnë departamentet dhe që të kryhen në kushte normale. Kirurgët shprehen se janë rritur ndjeshëm ndërhyrjet kirurgjikale në vend, duke filluar nga ato më të thjeshtat në urgjenca e deri tek më të vështirat, ato terciale, që realizohen në pavijonet e Kirurgjisë. Në konferencën e 17-të kirurgjikale shqiptare mbajtur dje, shefi i pavijonit të Kirurgjisë numër një në QSUT, Mehdi Agolli, gjithashtu vlerësoi se disa nga ndërhyrjet arrijnë të realizohen në vendin tonë, ashtu si në vende të tjera të Evropës.

Llojet

Sa i takon QSUT-së, shefi i departamentit të Kirurgjisë në QSUT, Edmond Çeliku, ai theksoi se "kjo qendër spitalore ka detyrimin që të jetë lider dhe që në procesin e akreditimit dhe certifikimit ta ushtrojë këtë rol deri në fund, por dhe të jetë njëkohësisht përgjegjësja shkencore për shërbimin kirurgjikal kombëtar".

“Ndërkohë, zbatimi i sistemit të referimit, i kërkuar me forcë kohët e fundit, pritet të sjellë uljen e fluksit të operacioneve kirurgjikale, të kryera në QSUT”, - tha ai.

Në këtë qendër spitalore, sipas tij, kryhen rreth 18 mijë operacione në vit. “Në kushte normale departamenti përballon rreth 10 mijë operacione, në mënyrë që të kryhet dhe ana mësimore ashtu siç duhet, që të bëhen dhe promovime shkencore siç duhet, por dhe që të ngrihet ana profesionale”, - pohoi Çeliku.

Mjekët shqiptarë thonë se ende ka mangësi në realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilat sot kanë filluar të përdoren nga mjekët e huaj. Arsyet janë mungesa e pajisjeve, por edhe kostoja tepër e lartë. "Nuk kanë munguar të bëhen nga të gjitha llojet e operacioneve që bëhen sot në botë, ajo që quhet kirurgji terciale. Bëhet fjalë për kirurgjinë onkologjike të disa organeve të cilat me gjithë mungesat ato janë realizuar me sukses në vendin tonë, si në kirurgjinë e barkut ashtu dhe në pjesë të tjera të kirurgjisë, në kirurgjinë e qafës, të tiroides, të paratiroides, në kancerin e organeve", - thotë Mehdi Agolli, shef i pavijonit të Kirurgjisë numër 1, në Tiranë.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në konferencë, theksoi: “Ka një preokupim të vazhdueshëm të MSH-së, por dhe aktorëve të tjerë, që janë pjesë e rëndësishme e procesit, si Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për të pasuruar gjithmonë e më tepër shërbimin shëndetësor me elementë të rinj që nga teknologjia e re, formimi i profesionistëve që shërbejnë në të”.

Operacionet terciare janë ato të kategorisë së parë, që janë kryesisht sëmundjet malinje dhe e gjithë gama e operacioneve të mëdha që nuk mund të përballohet nga rrethet. "Ne bëjmë shumë operacione të kancerit, të cilat nuk mund të bëhen në rrethe, madje dhe për sëmundjen e tiroides është e vështirë të bëhen në rrethe, pasi do profesionalizëm të lartë, ndërsa operacionet e tjera ka rrethe që i realizojnë", - tha Çeliku, sipas të cilit, Shkodra apo Durrësi janë rrethe avangardë në këtë drejtim.

Vasili

Poliklinikat, me shërbim më cilësor

Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve që ofrohet në poliklinikat e vendit, reformimi i të gjithë sistemit parësor janë themelet e një sistemi të ekuilibruar shëndetësor. Kjo ka qenë deklarata e kreut të Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë përurimit të përfundimit të riparimit të poliklinikave numër 9 dhe 2 në Tiranë, qendra shëndetësore që ofrojnë shërbime të specialiteteve.

“Këtu fillon themeli i një shëndetësie të vërtetë, të ekuilibruar dhe një shëndetësie gjithmonë e më afër qytetarit. Cili është besimi im personal për këtë sistem parësor që ka Shqipëria? Mendoj që u ofrojmë qytetarëve një ndihmë të kualifikuar me të cilën ata do ta marrin gjerësisht dhe me një nivel shumë të mirë, dhe me plotësimin që do të bëhet në fazën e dytë të projektit me pajisjet",- tha Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.

Këto qendra shëndetësore, pjesë e shërbimeve të sistemit parësor, janë rikonstruktuar me ndihmën e Cooperazione Italiana. Ndërkohë që një projekt i afërt është ai për rikonstruksionin e godinave të disa poliklinikave, si në Tiranë, Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›