KFOR, nga 1 janari me 4 mijë trupa më pak
Trupat e NATO-s në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, do të pësojnë reduktimin e parë pas një muaji. Nga 14 mijë trupa ushtarake të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, më 1 janar kontingjenti i ushtrisë që mbron tërësinë territoriale dhe rendin publik mund të shkonte në 10 mijë, nëse nuk do të kishte probleme situata e sigurisë. Megjithatë, procesi nuk do të përshpejtohet, sepse gjithçka varet nga situata në terren. Këtë e ka deklaruar dje vetë komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler. Ndonëse kreu i KFOR-it e vlerësoi të qetë situatën e sigurisë në Kosovë, vuri në dukje, megjithatë, disa faktorë, të cilët mund ta cenojnë sigurinë në vend, si grupet e ndryshme që veprojnë në veriun e Mitrovicës, definimi i pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe situata ekonomike në Kosovë. Duke folur për reduktimin e trupave të KF0R-it, gjenerali gjerman Bentler tha se ky proces do të zhvillohet varësisht nga rrethanat që krijohen në Kosovë, duke nënvizuar se "nuk do të ketë automatizëm në proces, çdo gjë varet nga zhvillimet në teren". Ai siguroi se KFOR-i do të jetë i përkushtuar që të krijojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, posaçërisht në ditën e zgjedhjeve, ndonëse, sipas Bentlerit, KFOR-i nuk ka ndonjë plan operativ special. "Përkushtimi i KFOR-it është që të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt anekënd Kosovës. Dhe çdo eveniment që organizohet, ne do ta monitorojmë situatën nga afër", është shprehur gjenerali Bentler. Në fakt, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në verën e shkuar, udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s studiuan mundësitë e një reduktimi të trupave të KFOR-it, kryesisht si pasojë e stabilizimit të situatës, por edhe nga fakti që disa shtete europiane e kanë vlerësuar si kosto shtesë edhe Afganistanin dhe Kosovën. Spanja ka qenë shteti i parë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila vendosi tërheqjen e trupave të saj në Kosovë, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës Shumëkombëshe të Perëndimit, e cila drejtohet nga Italia.
Y.Pata
Y.Pata